Europa po zgjohet

E djathta nacionaliste në Europë mund të frenohet – me politikë të mençur që nuk joshet nga masat ekstreme. Këtë e tregojnë zgjedhjet në Francë dhe në Austri, demaskimi i armiqve të Europës në Gjermani, zhvillimet politike në Itali, fitorja e liberalëve në Holandë.

Kulla e Eiffelit e ndriçuar me flamurin e Europës. Foto: Shutterstock



1.
Austria e zgjodhi president një politikan të gjelbër dhe i dha një goditje të djathtës ekstremiste, e cila gëzon përkrahjen e Vladimir Putinit dhe ia mban krahun nacionalistëve serbë në Ballkan. Megjithatë, rreziku nga e djathta nuk është shmangur në këtë vend. Sipas një studimi të publikuar ditëve të fundit 43 për qind, pra gati çdo i dyti austriak, dëshiron që në krye të vendit të jetë një «njeri i fortë». Edhe më skandaloze: 31 për qind e të anketuarve mendojnë se koha e nazizmit kishte edhe anë të mira. Zgjedhjet presidenciale në fillim të dhjetorit treguan se kur bashkohen demokratët, atëherë e djathta edhe në Austri e ka vështirë të imponojë kandidatët e saj në pozita qendrore të republikës.

2.
Në Gjermani armiqtë e Europës të «Alternativës për Gjermaninë» (AfD) nuk kanë shans të bëhen forcë serioze politike. Grindjet mbi kursin e partisë nuk po pushojnë. Në kongresin e partisë të mbajtur gjatë fundjavës kaluan në epërsi përfaqësuesit e vijës së ashpër. Këtë strukturë shtypi gjerman është duke e demontuar pothuaj për çdo ditë – me hulumtime të gjithanshme, me komente, kryeartikuj. Pas zgjedhjeve të shtatorit në Gjermani do të ketë një qeveri të moderuar – pa marrë parasysh a fiton kandidatja konservatore për kancelare Angela Merkel apo garuesi i socialdemokratëve Martin Schulz.

3.
Në zgjedhjet presidenciale në Francë ultranacionalistja Marine Le Pen nuk doli e para as në raundin e parë të mbajtur të dielën. Më 7 maj fiton me siguri Emmanuel Macron, ish-ministër në qeverinë socialiste, një politikan liberal. Macron ishte kandidati i vetëm vërtet proeuropian, i cili nuk u shqua me polemika bajate kundër Bashkimit Europian dhe sidomos Gjermanisë – siç bënte kandidatja e Frontit Nacional Marine Le Pen apo komunisti Jean-Luc Mélenchon. Zgjedhjet në Francë treguan se e djathta nacionaliste në Europë mund të frenohet – me politikë të mençur që nuk joshet nga masat ekstreme. Le Pen, Mélanchon, por edhe François Fillon premtonin masa radikale. Francezët vendosën ndryshe: me votën e tyre ata bënë një ndryshim radikal të skenës politike duke i dhënë më së shumti vota kandidatit të qendrës së majtë Emmanuel Macron. Deri para dy-tri vitesh pakkush e njihte Macron. Ai u largua nga qeveria socialiste dhe themeloi partinë e tij «En Marche!» Me këtë grup politik Macron do të qeverisë si president. Pas zgjedhjeve presidenciale më 7 maj pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare. Të dielën kandidatët e dy partive tradicionale – socialistëve dhe republikanëve (konservatorëve) – nuk arritën të hyjnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Një humbje historike.

4.
Në Itali kryeministri Paolo Gentiloni po qeveris pa zhurmë, pa intriga, pa drama. Gentiloni mund të jetë në krye të qeverisë deri në fund të mandatit të këtij parlamenti në shkurt 2018. Për dallim nga Matteo Renzi hiperaktiv, i cili pothuaj çdo lëvizje politike e protokollonte në Twitter, Gentiloni po qeveris pa mediat sociale. Dhe efekti është pozitiv: ai ka rritur besimin e italianëve ndaj kabinetit qeveritar. Ndërkohë partia populliste «Movimento 5 Stelle» po tregohet e paaftë të qeverisë Romën. Mund të merret me mend çfarë kaosi do të shkaktonte kjo parti po t’ia besonin italianët drejtimin e vendit.

5.
Në Holandë kryeministri i deritanishëm Mark Rutte arriti ta pengojë popullistin e djathtë Geert Wilders në marshin drejt pushtetit. Ndonëse partia liberale VVD e Rutte humbi mjaft mandate, ajo prapë doli e para dhe një koalicion i politikanëve të arsyeshëm me gjasë do ta qeverisë Holandën në katër vitet e ardhshme.

6.
Por, demagogët e djathtë ende kanë principatat e tyre. Në Hungari Viktor Orbani po etablon një sistem autoritar, një demokraci iliberale, e cila orientohet në modelin rus apo kinez të sundimit. Ne Poloni qeveria konservatore dhe ultrakatolike po ndjek një kurs tejet agresiv kundër BE-së. Në Sllovaki qeveria formalisht socialdemokrate refuzon të pranojë nja 800 refugjatë – një skandal përballë solidaritetit të Gjermanisë, e cila ka pranuar rreth një milion refugjatë. Çekia ka një president që zë faqet e shtypit me huqet e tij si pasojë e konsumit zemërgjerë të alkoolit ose me shprehje të simpatisë politike ndaj Vladimir Putinit. Përkundër rezistencës së demokratëve në Austri, Holandë, Francë, Itali dhe Gjermani, Putin nuk do të dorëzohet. Për të Bashkimi Europian është model që e sfidon Rusinë jodemokratike. Në shkatërrimin e BE-së Putin sheh shansin e tij për të imponuar sistemin e tij të vlerave antiperëndimore edhe antiliberale. Për këtë arsye Moska po mbështet autokracitë e Ballkanit (Serbi, Republika Srpska, Maqedoni). Tendenca autoritare po vërehen edhe në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa Bashkimi Europian për shkak të krizës së rëndë që po kalon nuk e ka autoritetin e dikurshëm. Konsolidimi i qeverive të majta apo të qendrës në vendet e rëndësishme të BE-së do të shtojë gjasat që Brukseli t’i kthehet Ballkanit dhe të përshpejtojë procesin e integrimit. Parakusht për këtë është çlirimi i popujve të Ballkanit nga prangat e kastave të korruptuara politike. Për të arritur këtë duhet tejkaluar apatinë e përgjithshme që ka përfshirë shoqëritë e Ballkanit. Një gjë e tillë, për fat të keq, më lehtë thuhet se sa bëhet (shpejt).