Europa para një dite të zezë: Britanikët vendosin të braktisin Bashkimin Europian

Britania e Madhe nuk do të jetë më pjesë e BE-së. Kështu parashikojnë stacionet e mëdha televizive BBC dhe Sky News.

Ilustrimi: Shutterstock

Tri stacionet e mëdha televizive të Britanisë së Madhe – BBC, Sky News dhe ITV – kanë njoftuar se beteja për fatin e Britanisë së Madhe në apo jashtë BE-së është vendosur: një shumicë e ngushtë e votuesve britanikë kanë vendosur të braktisin Bashkimin Europian. Ndërkohë që numërimi i votave po vazhdon, thuhet se kampi për dalje nga BE udhëheq me 52 për qind kundër 48 për qind që votuan për mbetjen e vendit të tyre në BE. Stacionet televizive e kanë shpallur parashikimin pas numërimit të 354 qarqeve zgjedhore prej gjithsej 382. Aktualisht kampi i Brexitit udhëheq me 900 mijë vota.

Portali gjerman Spiegel Online shkruan se nëse konfirmohet parashikimi për largimin e Britanisë së Madhe, atëherë kjo do të ishte një ditë e zezë për Europën. Në bursa mbretëron nervozizëm i madh, valuta britanike po humb vlerën e saj në mënyrë dramatike.

Kundërshtarët e BE-së kanë shprehur gëzim për fitoren e supozuar. «Fituam pa shkrepur asnjë plumb», tha shefi i partisë antieuropianë UKIP, Nigel Farage. Rezultatet e para tregojnë se Britania mbetet një vend i ndarë në dysh sa i përket raporteve me Bashkimin Europian. Ndërsa Irlanda e Veriut dhe Skocia qartë kanë vendosur në favor të BE-së, zgjedhësit në Angli dhe në Uells (Wales) u deklaruan qartë për Brexit. Kryeministrja e Skocisë Nicola Sturgeon tha: «Populli skocez e ka bërë të qartë se të ardhmen e vet e sheh në BE». (-lli)