Europa nuk do të zgjidhë dramat e Ballkanit

Ideja se BE-ja do të përshpejtojë procesin e pranimit në Ballkan për të parandaluar vendet nga kolapsi apo lufta me njëra-tjetrën është një ëndërr e parealizueshme.

Selia e Bashkimit Europian në Belgjikë ka ulur flamujt në gjysmë-shtizë. (AP Photo/Darko Vojinovic)



Teksa Ballkani i rikthehet gjendjes së vjetër të grindjeve mes shteteve të vogla që kërcënojnë njëra-tjetrën, po përsëritet ankimi i zakonshëm: Europa e ka fajin!

Përse? Sepse, sipas mbrojtësve të kësaj teze, mungesa e një «perspektive» europiane, për shembull perspektiva e anëtarësimit të shpejtë në BE – ka penguar demokratët modernë, bashkëpunues dhe ka inkurajuar nacionalistët në të gjithë rajonin.

Me fjalë të tjera, nëse Europa do të nxitonte në anëtarësimin e Serbisë, Bosnjes, Maqedonisë etj, në BE, demagogët e rrezikshëm që nuk bien dakord do të heshtnin dhe rajoni do të vazhdonte rrugën e tij pak a shumë të lumtur që dukej se po ndiqte disa vite më parë.

Mund të ketë një lloj thelbi në këtë pretendim – ryshfetet shpesh funksionojë – por kjo nuk ka për të ndodhur dhe është koha që ata që e reklamojnë këtë fantazi ta pranojnë se është veçse një fantazi.

Si fillim, Europa po ndihet shumë më pak bujare dhe optimiste tani sesa ishte në vitet 2000, kur shkëlqimi i ardhur nga rënia e komunizmit ngrohu këdo dhe dukej e lehtë që BE-ja të premtonte anëtarësim për këdo.

Tani gjendja është më e errët. Liberalët mund të kenë psherëtirë disi të çliruar pas zgjedhjeve holandeze që treguan se e djathta ekstreme nuk ishte aq e fortë sa i trembeshim. Por kërcënimi i të djathtës ekstreme ndaj stabilitetit të Europës nuk do të përfundojë me fitoren e Mark Rutte në Holandë. Një zgjedhje më e rëndësishme presidenciale pritet të mbahet në Francë, ku Marine Le Pen e Frontit Kombëtar mundet ende të fitojë, pas të cilës të gjitha bastet për të ardhmen e BE-së do të neutralizohen.

Ndërsa eurokratët përballen me këtë skenar të frikshëm, kryeministrja britanike Theresa May do të shkaktojë disa dallgë të vetat duke aktivizuar Nenin 50 të Traktatit të Lisbonës. Ligji për këtë, që tani ka marrë miratimin mbretëror, po pret në sirtarin e saj për t’u aktivizuar dhe për të shkaktuar dy vite negociata rraskapitëse mes Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve të saj që do të lënë pak hapësirë për  zyrtarët e BE-së që të mendojnë për zgjerimin në Ballkan.

Teksa liderët e BE-së luftojnë për të kthyer besimin dhe progresin në projektin e tyre të dëmtuar, e fundit gjë që ata duan të shohin është Britania – një pagues i madh dhe i pasur në BE – të zëvendësohet nga një grup i varfër që vetëm merr, siç do të jenë shtetet e Ballkanit.

BE-ja do të dojë një periudhë qetësie për disa vite pas largimit të Britanisë, afërsisht në 2019, për t’u përshtatur përpara se të marrë në konsideratë asete aq të varfra sa shtetet e Ballkanit.

Shqipëria dhe Mali i Zi janë më pak problematiket sepse që të dyja janë pro-perëndimore dhe duken imune ndaj joshjes nga Rusia. Por Serbia është veçanërisht skizofrene në aleancat e saj. Për më tepër, ka një mosmarrëveshje territoriale me dhe për Kosovën, që duket se ka prirjen të përshkallëzohet.

Kjo është e barasvlershme me një alarm zjarri në Bruksel që askush nuk do ta shpërfillë, veçanërisht pas gabimit të pranuar botërisht të lejimit të Qipros të anëtrësohet përpara se qeveria qipriote të kishte zgjidhur mosmarrëveshjen me Qipron e Veriut të pushtuar nga turqit.

Sa për Bosnjen dhe Maqedoninë, ato janë në gjendje aq të keqe saqë duket joserioze qoftë edhe të imagjinohet pranimi i tyre në BE, tani apo në çdo pikë.

Ajo që mbrojtësit e tezës së anëtarësimit të tanishëm nuk duan të pranojnë është se pretendimi i tyre – që BE-ja duhet të ndërhyjë më shumë sepse Ballkani është një lëmsh – po ka efekt të kundërt nga ideja e tyre. Për shkak se Ballkani është një lëmsh, BE-ja nuk do të ndërhyjë apo jo deri në atë pikë që ballkanasit dëshirojnë.

Eurofilët e Ballkanit shohin pas me nostalgji në ditët kur Rumania dhe Bullgaria u futën në klub me shpejtësi të madhe dhe në shkelje të kriterit, pjesërisht prej presionit britanik – pjesërisht sepse britanikët nën Tony Blair e imagjinuan Londrën si një qendër në zhvillim të BE-së së re, që peshonte drejt lindjes dhe kështu, [britanikët shpresonin] se do të ishte më pak e pavarur nga lidhja e vjetër franko-gjermane.

Kjo është arsyeja përse Blair udhëhoqi në kërkesën për një përgjigje pozitive ndaj aplikimeve të tyre për në BE në Këshillin Europian të Helsinkit në 1999, megjithëse Rumania u mbështet gjithashtu nga Franca, me të cilën kishte lidhje të vjetra.

Kjo ëndërr britanike nuk u bë kurrë realitet. Zyra e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar mendoi mefshtë, bazuar në një lexim shumë sipërfaqësor të historisë, pa marrë parasysh rrethanat moderne. Anëtarët e rinj të BE-së në lindje nuk panë nga Londra, siç kishte imagjinuar Blair, dhe me zhgënjim britanikët shpejt iu rikthyen ndjenjës së tyre të vjetër të mospëlqimit ndaj BE-së si një e tërë. Kjo, siç e dimë përfundoi në një votim për dalje të Britanisë.

Ndërkohë, vendimi i ngutur politik për të pranuar Rumaninë dhe Bullgarinë ka lënë një shije të keqe që BE-ja është e vendosur të mos e përsërisë më.

Shpejt u bë e qartë se lëvizja e reformimit në të dyja vendet ndaloi në çastin që ato u bashkuan me klubin, siç shkroi sër Michael Leigh, nga Fondi Gjerman Marshall në 2015, «Raporti [më i fundit i Komisionit] për Bullgarinë mban një shëmbëlltyrë të çuditshme me mendimin origjinal të komisionit në vitin 1997 mbi aplikimin e vendit për anëtarësim. Tani, si atëherë, pavarësia dhe efikasiteti i gjyqësorit, si dhe krimi i organizuar dhe korrupsioni, citohen si probleme të mëdha të pazgjidhura».

Nëse Rumania ka vepruar për të përmirësuar funksionimin e vet, kjo është rezultat i forcave të brendshme dinamike, jo rezultat i ndonjë veprimi të ndërmarrë nga BE-ja.

Shtetet e Ballkanit duhet t’i zgjidhin vetë krizat e tyre, jo të shohin nga të tjerët. Nëse dhe kur ta bëjnë këtë, Europa mund të dojë t’i fusë ata në klub. Ka shumë pak gjasa të ndodhë në mënyrë të anasjelltë.

Marcus Tanner është redaktor për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, dhe gazetar i jashtëm për gazetën Britanike, Indipendent. Përpara se ti bashkohej BIRN në 2006, ai ka punuar si korrespondent për Ballkanin për Indipendent nga viti 1989 deri në vitin 1994, dhe zëvëndes redaktor i faqes së botës deri në vitin 2001. Tanner është autor i disa librave si, ‘Croatia, A Nation Forged in War,’ ‘Ireland’s Holy Wars,’ ‘Last of the Celts,’ ‘The Raven King: Matthias Corvinus and the Fate of His Lost Library,’ si dhe ‘Albania’s Mountain Queen: Edith Durham and the Balkans.’

(Botuar fillimisht nga: https://www.reporter.al/europa-nuk-do-te-zgjidhe-dramat-e-ballkanit/