Europa në luftë me armikun e ri: lajmet e rrejshme

Gjermanët po e lëshojnë vendin e tyre, të tmerruar prej refugjatëve myslimanë. Qeveria suedeze përkrah «Shtetin Islamik». Bashkimi Europian ka nxjerrë rregulla për etninë e dordolecëve. Një ekip prej njëmbëdhjetë personash, të njohur si «East Stratcom», shërben si vija e parë e frontit e Europës kundër masakrës dhe kërdisë së lajmeve të rrejshme, shkruan «New York Times».




Nga një sy ua hedhin webfaqeve, ndërsa i bëjnë sytë katër nëpër media sociale, duke zhbiruar qindra raporte në ditë. Por kjo punë s’ka të sosur, sepse e keqja s’ka të ndalur. Gjermanët po e lëshojnë vendin e tyre, të tmerruar prej refugjatëve myslimanë. Qeveria suedeze përkrah «Shtetin Islamik». Bashkimi Europian ka nxjerrë rregulla për etninë e dordolecëve.

Në zyrën me pamje të hapur në Bruksel, një ekip prej njëmbëdhjetë personash, të njohur si «East Stratcom», shërben si vija e parë e frontit e Europës kundër masakrës dhe kërdisë së lajmeve të rrejshme. Themeluar prej Bashkimit Europian për adresimin e «fushatave të vazhdueshme ruse të dezinformimit», ekipi – në përbërje të të cilit ka diplomatë, burokratë dhe ish-gazetarë – gjurmon raportet për të përcaktuar nëse janë të rrejshme. Pastaj i zhveshin ato rrëfime të rreme  për lexuesit që mund të kenë rënë pre e tyre. Dhe ky ekip ia ka dalë që prej gjashtëmbëdhjetë muajsh të diskreditojë më shumë se 2500 lajme të rrejshme, shumë prej të cilave kanë lidhje me Rusinë.

Në vitin kur francezët, gjermanët dhe holandezët do të zgjedhin krerët e tyre, autoritetet po kanë vështirësi t’u kundërpërgjigjen valëve të lajmeve të rrejshme dhe propagandës kundër Bashkimit Europian, që ka për synim humbjen e besimit të njerëzve në institucione. Dhe ndërsa zyrtarët janë zënë ngushtë në këtë luftë kundër hakimit të sofistikuar dhe operacioneve të lajmeve të rrejshme, njëherësh druajnë se Europa dhe zgjedhjet e shteteve të saj do të jenë caqe të mundshme në këtë moment kritik: projekti i vjetër europian për dekada me radhë për bashkimin e kontinentit ka mbetur pezull, sfiduar prej forcave populiste brenda bllokut dhe presioneve që vijnë prej Rusisë dhe jo vetëm.

«Nëse u hidhni një sy mediave europiane, madje edhe atyre amerikane, që po mbulojnë këtë çështje tani, unë do të thosha se janë këta njerëz të këtij ekipi që kanë ngritur shqetësimin dhe paralajmërimin», thekson Jakub Janda, zëvendësdrejtor i «Vlerave europiane», grup i pavarur mendimi me seli në Pragë, që ka bashkëpunuar me «East Stratcomin». Shumë pretendime të rrejshme kanë për cak politikanët që paraqesin pengesat më të mëdha për hesapet e Moskës për minimin e Bashkimit Europian. Pretendimet tjera mundohen të portretizojnë refugjatët nga Lindja e Mesme si terroristë ose përdhunues, duke u fryrë flakëve të zjarrit të populistëve.

Në Francë, drejtuesi i partisë «En Marche!» ka thënë javën e kaluar se kanalet ruse të lajmeve kishin sulmuar kandidatin presidencial, Emmanuel Macron, që është pjesë e kësaj partie dhe po garon me fushatën pro-Bashkimit Europian. Richard Ferrand, sekretar i përgjithshëm i partisë, ka deklaruar se të dhënat dhe webfaqet e fushatës ishin sulmuar prej «qindra, nëse jo edhe prej mijëra» sulmesh të dirigjuara prej territorit rus. Ekipi i «East Stratcom» është i pari që e pranon se rusët janë në epërsi në këtë fushë: detyra është e rëndë, numri i raporteve është i vrullshëm dhe ka mungesë të burimeve për të skanuar të gjitha raportet.

Ekipi mundohet të vërtetojë menjëherë se këto janë raporte të rrejshme në «Facebook» dhe «Twitter», dhe publikon raporte të përditshme dhe se ua dërgon një herë në javë një njoftim për raportet e rrejshme më shumë se 12 mijë ndjekësve të mediave sociale. Por listimi i 2500 raporteve është i vogël krahasuar me vlugun e përditshëm të raporteve të rrejshme nëpër mediat sociale. Është pothuajse e pamundshme që të detektohen të gjitha lajmet e rrejshme, dhe ekipi europian mundohet të detektojë raportet e rrejshme me më së shumti lexues.

«East Stratcom» është mënyra më e mirë e demaskimit. Megjithatë, anëtarët e ekipit, shumica prej të cilëve e dinë rusishten, janë akuzuar për spiunim. Njëri prej tyre, një shtetas çek, është akuzuar me emër e mbiemër prej një televizioni rus se është spiun. Ekipi në Bruksel nuk është forca e vetme në Europë që po e lufton këtë problem. Grupe të ngjashme po krijohen prej Finlandës deri në Republikën Çeke për të detektuar dhe përgënjeshtruar lajmet e rrejshme. Agjencitë shtetërore të sigurisë kanë nisur të përmirësojnë masat e sigurisë për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve të mundshme të hakerëve rusë, dhe janë shumë media europiane që kanë krijuar ekipe që të mos lejojnë që rrjetet e tyre të jenë caqe të lehta sulmesh.

Një prej problemeve kryesore të politikëbërësve anembanë Europës është se shtetet kanë mungesë specialistësh të teknologjisë. Gjermania ka aprovuar së fundi një ligj për siguri kibernetike që kërkon krijimin e një ekipi për kundërpërgjigje sulmeve të hakerëve. Zyrtarët e kanë kuptuar pa bujë se do të duhen edhe tri ekipe për këtë punë, por se nuk kishin staf të specializuar. «Ka shqetësime që janë shprehur prej shumë qeverive se lajmet e rrejshme mund të shndërrohen në armë», ka deklaruar Damian Collins, politikan britanik në krye të një hetimi të nisur nga një grup parlamentar që po merret me fenomenin. «Përhapja e këtij lloj materiali do të mund të minonte edhe institucionet tona demokratike».

Pavarësisht prej një nisme rajonale për t’iu kundërpërgjigjur raporteve të rrejshme, ekspertët vënë në dyshim pretendimin e qeverive se do të kenë efekt nismat e tyre për kontrolluar dhe publikuar të vërtetën. Lajmet e rrejshme mund të shpërndahen me lehtësi nëpër media sociale pa ndonjë nevojë vërtetësie. «Shumica e njerëzve nuk mendojnë fort se kush e jep lajmin», thekson Mark Deuze, profesor në Universitetin e Arizonës. Ai ka thënë se lajmet e rrejshme janë shtuar në Holandë në prag të zgjedhjeve parlamentare në mars. «Njerëzit po i ekspozohen një mali me lajme të rrejshme qesharake».

Zyrtarët janë të shqetësuar edhe për përpjekjet e hakerëve për t’u infiltruar nëpër adresat elektronike të kandidatëve dhe politikanëve me qëllim që të vjedhin informacion. Pothuajse si në rastin e homologëve amerikanë, paralajmërojnë ekspertët e sigurisë, politikanët europianë vazhdojnë të mbesin caqe potenciale, megjithëse agjencitë kombëtare të inteligjencës kanë ashpërsuar masat e kontrollit pas zhvillimeve të fundit.

Në Gjermani, ku kancelarja Angela Merkel po përballet me garë të fortë në prag të zgjedhjeve parlamentare në shtator, shërbimi i brendshëm i inteligjencës tashmë ka raportuar për rritje të theksuar të sulmeve të ashtuquajtura gjuetie në muajt e fundit që të godisnin partitë politike dhe deputetët e Bundestagut. Ata ia atribuojnë këto përpjekje grupit të hakerëve të njohur si «Fancy Bea», ose APT 28, që shërbimet amerikane të inteligjencës e kanë lidhur me sulmet e hakimit ndaj organizatave të Konventës së Partisë Demokratike para zgjedhjeve presidenciale amerikane. Zyrtarë amerikanë dhe gjermanë të inteligjencës besojnë se grupi operon nën komandën e GRU-së, shërbimit të inteligjencës ushtarake të Rusisë.

Qeveria gjermane po peshon mundësinë e gjobave ndaj gjigantëve të teknologjisë, «Google» dhe «Facebook», platformat e të cilave mundësojnë publikimin e lajmeve të rrejshme me qarkullim të shpejtë brenda kohës së shkurtë. Këto kompani insistojnë se nuk mund të mbahen përgjegjëse, sepse nuk gjenerojnë lajme. Hans-Georg Maassen, drejtues i shërbimit gjerman të inteligjencës së brendshme, ka deklaruar se nuk bëhet fjalë dëshmi të pakontestueshme, duke lënë të kuptohet se Rusia qëndron prapa sulmeve në rritje me dezinformata në internet me qëllim të destabilizimit të politikës gjermane.

«Ajo çfarë i bënë sulmet kibernetike shumë seksi për Fuqitë e Mëdha vjen prej pothuajse pamundësisë për të gjetur një dëshmi të qartë», ka deklaruar Maassen gjatë një interviste për «Phoenix TV» më 12 shkurt. «Gjithnjë është e mundshme të mbulosh gjurmët tua dhe të veprosh prej nëntokës». Gjigantët amerikanë të teknologjisë janë përfshirë në debat pas akuzave se nuk po ndërmerrnin masat e duhura për t’iu kundërpërgjigjur raporteve të rrejshme në platformat e tyre. Këto akuza i kanë hedhur poshtë «Google» e «Facebook». Ato tashmë kanë ndërmarrë nisma financimi në Shtetet e Bashkuara, Francë dhe vende të tjera për të detektuar lajmet e rrejshme dhe për t’i tërhequr postimet që shkelin kushtet e përcaktuara të kompanive ose ligjet lokale.

«Nuk është vetëm puna e demaskimit të rrenave», ka deklaruar Jenni Sargent, drejtor menaxherial i «First Draft News», organizatë joprofitabile e themeluar prej «Google» dhe që po përhapet shpejt në Francë në prag të zgjedhjeve presidenciale, si dhe në Europë dhe jo vetëm. «Ne po mundohemi të merremi me përmbajtjen duke kundërshtuar pavërtetësinë e burimit». Këto përpjekje janë shtuar me të madhe nëpër Europë qysh prej zgjedhjeve presidenciale amerikane. Menjëherë pas fitores së Donald Trumpit në tetor, David Alandete mblodhi ekipin e tij në redaksinë e «El Paisit» në Madrid me një qëllim të vetëm në kokë: t’u kundërpërgjigjemi lajmeve të rrejshme.

Si shumë gazetarë, Alandete, redaktor përgjegjës i gazetës dhe ish-korrespondent në Shtetet e Bashkuara, kishte parë valë lajmesh të rrejshme në kohën e fushatës presidenciale, shumë prej të cilave burimin e kishin në Meksikë – një vend që besohet se ofron gjysmën e lexuesve të «El Paisit». «Fitorja e Trumpit ishte një moment kthese për ne», kujton Alandete. «Shumë lexues na shtronin pyetje, si mund të udhëtonin në Shtetet e Bashkuara». Partitë populiste dhe mungesa e besimit te mediat tradicionale kanë shënuar ngritje në Spanjë, si edhe në vende të tjera të Europës. Këto lëvizje i kanë dhënë shtytje eksplodimit të lajmeve të rrejshme, që përcaktojnë pikëpamje të caktuara ose që vënë në dyshim kredibilitetin e të tjerëve.

Për t’iu kundërpërgjigjur raporteve të tilla – dhe njëherësh të ruhej lexueshmëria në Meksikë – «El Pais» nisi të vërtetonte faktet e pretenduara të këtyre lajmeve. Në kuadër të kësaj u krijua edhe një bllok me përfshirje të pesë gazetarëve që merreshin me gjetjen e fakteve. Por gazeta spanjolle njofton se nuk kanë qenë të gjitha lajmet e rrejshme të lidhura me politikën. Në postimin e fundit publikuar muajin e kaluar, reporterët e gazetës kanë rishikuar pretendimet e rrejshme se ylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo, kishte hequr dorë prej makinës sportive pasi kishte lënduar dorën. Postimi, sipas Alandetes, ishte lexuar prej më shumë se 200 mijë lexuesve – duke u bërë shkrimi më i lexuar gjatë asaj jave i «El Paisit». «Shumë njerëz më nuk u besojnë institucioneve», thekson Alandetes. «Po e shohim se lajmet e rrejshme po na shfaqen gjithkah».