Europa Lindore po plaket

Punëtorët e shteteve të Europës Lindore po emigrojnë në kërkim të vendeve të punës, por janë pensionistët ata që kanë ngelur në vendlindje. Shtetet e reja të Bashkimit Europian po përballen me rënie ekonomike dhe nuk pritet të ketë ndryshim të gjendjes derisa të mos kthehen bashkatdhetarët ose të marrin emigrantë për të fuqizuar ekonomitë e tyre, shkruan gazeta «The Economist».

Foto: Shutterstock



Në qytezën lituane Panevezys fabrika e re plot shkëlqim e ndërtuar prej kompanisë norvegjeze të tekstilit «Devold» është e vetmja në një zonë të lirë ekonomike. Fabrika i ka dyzetë vende të lira pune. Kjo nuk po ndodh për shkak se punëtorët në Penevezys janë përtacë, por për arsye se gjithnjë e më pak punëtorë po ngelin në vendlindje. Kryetari i qytezës bën të ditur në zyrën e tij se është përgjysmuar numri i nxënësve nëpër shkollat e qytetit krahasuar me një dekadë më parë.

Shqetësimet e tilla janë bërë të zakonshme përgjatë Europës Qendrore dhe asaj Lindore, ku shkalla e lindshmërisë është e ulët e numri i atyre që po emigrojnë është i lartë. Shtete që dikur ishin pjesë e bllokut komunist e që i janë bashkuar Bashkimit Europian prej vitit 2004 po përballen me mungesë të fuqisë punëtore për shkak se qytetarët e tyre po shkojnë për punë në Britani ose Gjermani. Popullsia e moshës së aftë për punë në Letoni ka pësuar rënie të madhe prej vitit 2000 – një e treta e atyre që kanë diplomuar nëpër universitete ndërmjet viteve 2002 dhe 2009 kanë emigruar deri më 2014. Të dhënat në fakultetet dhe shkollat e mjekësisë në Bullgari tregojnë se 80 deri në 90 për qind e tyre kanë ndarë mendjen të emigrojnë pas diplomimit.

Humbja e fuqisë punëtore të Lituanisë ka koston e vet të lartë, thekson Stasys Jakeliunas, ekonomist lokal. Ai thotë se kanë ndihmuar remitencat dhe paratë që janë investuar nga Bashkimi Europian, por paralajmëron se mungesa e fuqisë punëtore dekurajon investitorët e huaj dhe dëmton rritjen ekonomike të vendit. Sipas të dhënave të FMN-së, në disa shtete të Europës Lindore migrimi ekonomik ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në trendin e zhvillimit të vendit ndërmjet viteve 1999-2014. Deri më 2030, GDP-ja për person në Bullgari, Rumani dhe disa shtete baltike mund të jetë 3-4 për qind më e ulët se para emigrimit.

Të gjitha këto rrezikojnë planet financiare publike. Pensionet që marrin pothuajse gjysmën e shpenzimeve sociale në Europën Lindore janë shqetësimi më i madh. Më 2013, Letonia kishte 3,3 persona të rritur për moshë pune për një person më të moshuar se 65 vjeçar, nivel që Britania dhe Franca nuk do ta mbërrijnë deri më 2060.

Shtetet po e ngrehin moshën e pensionimit (hiç Poloninë, që së fundi e ka ulur atë në një vendim të papritur). Përfitimet tashmë janë barrë për shtetit, duke nxitur thirrje për shkurtime buxhetore në këtë fushë. Kur bëhen krahasimet me të hyrat për kokë banori, atëherë Bullgaria, Rumania dhe disa shtete të Baltikut janë dyfish më të ngarkuar me barrë sociale.

Të pazonja për t’ua mbushur mendjen qytetarëve të tyre të mos largohen, qeveritë po mundohen që në vend të kësaj t’i joshin të kthehen në vendlindje, frymëzuar prej përpjekjeve të suksesshme të Irlandës dhe Koresë Jugore. Daumantas Simenas, menaxher i projekteve në zonën e lirë ekonomike në Panevezys, ia dedikon kthimin nga Britania në vendlindje programi «Krijoni për Lituaninë», që kishte kërkuar të shkolluarit në diasporë të ktheheshin në vend me ndihmën e qeverisë që siguronte vende pune. Fakti se kishte vend pune ia kishte lehtësuar kthimin, thekson ai. Përveç kësaj, «me shtëpi s’ka».

Megjithëse përpjekjet e tilla mund të kenë efektin e vet, ideja ishte parë edhe me dyshime. «Krijo për Lituaninë» ka rikthyer më shumë se 100 lituanë prej momentit të lansimit të programit para pesë vitesh, thekson Milda Darguziate, që e nisi programin pasi kishte lënën punën e menaxheres bankare në Shtetet e Bashkuara dhe iu përgjigj pozitivisht thirrjes së qeverisë për kthim. Në mesin e atyre që janë rikthyer ka edhe deputetë, një nënkryetar dhe shumë këshilltarë të zyrës kryeministrore. Kthimi i mjekëve dhe inxhinierëve megjithatë nuk është punë e lehtë. Studimet tregojnë se punëtorët me shkathtësi të zhvilluara nga Europa Lindore janë joshur prej institucioneve të rëndësishme perëndimore, si shkollat, përfitimet dhe mundësitë e barabarta për karrierë. Të dhënat e fundit të FMN-së tregojnë se shkalla e të kthyerve është «modeste», me shifrat që thonë se pesë për qind e atyre që kanë shkuar nga vendi kanë vendosur të kthehen.

Firmat kanë nisur të zbatojnë politika të shkurtimeve të vendeve të punës. Një studim i kryer së fundi në Bullgari ka bërë të ditur se punëdhënësit po detyrohen t’i ngrenë pagat që t’u mbushet mendja pasardhësve të punëtorëve se duhet të mendojnë të qëndrojnë në vendlindje. Në Bullgari dhe shtetet baltike, pagat janë ngritur më shumë se shkalla e produktivitetit në pesë vitet e kaluara – një trend që i bën eksportet më pak produktive.

Kjo mund të ndryshojë. Kostot më të larta të fuqisë punëtore po i detyrojnë firmat të punojnë me teknologji automatike, thekson Rokas Grajauskas, ekonomist në «Danske Bank». Në fabrikën «Devold» shumë punë që kryhen me duar, si prerja e rrobave dhe qepja e jelekëve të dimrit, tani po bëhen me robotë.

Shtetet e tilla po paralajmërojnë një tjetër zgjidhje: sjelljen e emigrantëve nga shtetet fqinje më të varfra. Popullsia e Estonisë ka shënuar ngritje më 2016 për të dytin vit me radhë prej viteve nëntëdhjetë. Por migrimi mund të ndikojë në ikjen e trurit. Pothuajse të gjithë 400 mijë ukrainasit që kanë marrë leje qëndrimi në Poloni më 2015 punojnë në bujqësi, ndërtimtari dhe në patundshmëri. Përkundrazi, rreth 30 për qind e popullsisë polake pjesë e shtresës më shkollim më të lartë, janë larguar nga vendi për shkaqe punësimi.

Në mesin e atyre që po ikin nga Europa Lindore, e drejta për të jetuar dhe punuar kudo që doni është shkaku kryesor i ndryshimit të madh. Por shtetet ku ata janë rritur përballen me një sfidë të zorshme. Ato duhet të mësohen si t’i joshin dhe rikthejnë punëtorët e rinj, sepse ndryshe i pret rënia ekonomike.