Europa gjithnjë e më larg, Erdoani dhe Putini para derës

Përse në Ballkan po bie entuziazmi për Bashkimin Europian? Disa mendime të politologut Vedran Xhihiq nga Universiteti i Vjenës.

Politikanët në Ballkan po kultivojnë një diskurs të kërcënimit të përhershëm nga të tjerët, përkatësisht nga jashtë, dhe këtë e kriposin me një shtresë nacionalizmi, i cili gjithnjë transporton edhe ndjenjën e viktimizimit: Vedran Xhihiq, politolog nga Vjena. Foto: Novi list



Në vitin 1980, para më shumë se 37 vitesh, Bashkësia Europiane, paraardhëse e Bashkimit Europian të sotëm, nënshkroi marrëveshjen e parë të bashkëpunimit me Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Kriza ekonomike e viteve ’80, rritja e nacionalizmit, paaftësia e Lidhjes së Komunistëve për t’u ballafaquar me problemet akute e përplasën Jugosllavinë në humnerë.

Në vitin 2003, pasi në Ballkan morën fund luftërat nga Sllovenia në Maqedoni, BE i bëri një premtim solemn vendeve të Ballkanit në Samitin e Selanikut: një ditë jo të largët të gjitha shtetet e Ballkanit mund të anëtarësohen në BE. Më vonë në rrethet diplomatike thuhej se synim i BE-së është që vendet e Ballkanit të hyjnë në BE në vitin 2014. Një vit simbolik: 100 vjet pas atentatit të një terroristi serb në Sarajevë dhe shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, e cila filloi pas provokimit të një gjimnazisti serb, por edhe verbërisë së shumë politikanëve europianë.

Në vitin 2003 BE simbolizonte stabilitet, mirëqenie, prosperitet. Që nga atëherë BE ka kaluar nëpër disa kriza: në Francë dhe në Holandë dështuan referendumet për thellimin e integrimeve europiane, pastaj BE-në e përfshiu kriza financiare dhe ekonomike (Greqia dhe valuta euro), pastaj e ashtuquajtura krizë e refugjatëve (2015) dhe Brexiti (2016), shkruan politologu Vedran Xhihiq nga Universiteti i Vjenës në një analizë për Agjencinë Federale Gjermane për Edukim Civil. «Por, pas 15 vitesh të afrimit horizonti kohor për anëtarësim në BE për njerëzit e moshës së mesme në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë apo Maqedoni gjendet përtej viteve që ata pritet të jetojnë», shkruan Xhihiq. Për të arritur mesataren e zhvillimit ekonomik të BE-së vendet e Ballkanit deri në vitin 2030 duhet të shënojnë rritje ekonomike çdo vit për gjashtë për qind.

Entuziazmi për BE-në, sipas profesorit Xhihiq, po bie gjithkund në Ballkan, më së shumti në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Edhe në shtetet e dominuara nga shqiptarët (Kosovë dhe Shqipëri) po zbehet shpresa se një ditë do të jenë pjesë e BE-së. Në Serbi 61 për qind e të anketuarve e vlerësojnë si shumë pozitiv ndikimin rus, 32 për qind përshëndesin anëtarësimin e Serbisë në Unionin Euroaziatik nën udhëheqjen ruse, 35 për qind e shohin pozitivisht ndikimin gjerman dhe vetëm 5 për qind janë për hyrjen e Serbisë në NATO. Në Kosovë më shumë se 90 për qind e qytetareve dhe qytetarëve përkrahin anëtarësimin në NATO.

Në viset serbe (Serbi dhe Republika Srpska e Bosnjës) politikani më i popullarizuar është Vladimir Putini me mbi 70 për qind. «Në diskursin politik dhe në jetën politike hapur kërkohet dhe instrumentalizohet afërsia me Rusinë dhe Putinin», shkruan Xhihiq. Roli i Rusisë në rajon po rritet. Nuk është rol konstruktiv. Në tetor 2016 qeveria malazeze akuzoi Rusinë për përpjekje për puç para zgjedhjeve parlamentare. Qëllimi ishte që të pengohej anëtarësimi – ndërkohë i arritur – i Malit të Zi në NATO. Rusia e ka përkrahur hapur Nikola Gruevskin, kryeministrin shumëvjeçar të vendit, i cili refuzonte t’ia dorëzonte pushtetin një qeverie të prirë nga socialdemokratët. Në prill Maqedonia u gjend para luftës civile pasi përkrahës të Gruevskit sulmuan parlamentin. Në mënyrë kontraverse diskutohet edhe për rolin e «Qendrës Humanitare» ruse në Nish të Serbisë. Kjo «qendër» përmendet në kontekst të spiunazhit. «Rusia po e shfrytëzon rastin për t’u profilizuar në rajon për dallim nga BE dhe NATO», shkruan Xhihiq. Në vendet e Ballkanit të dominuara nga myslimanët (Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëri dhe pjesë të Maqedonisë dhe Serbisë) listës së personaliteteve më të popullarizuara i prin kryetari turk, Rexhep Taip Erdoan. Edhe në mesin e pushtetarëve të Ballkanit ekzisto një simpati për Rusinë dhe Turqinë. Arsyen e kësaj simpatie Xhihiq e sheh te një kod i rrënjosur thellë i autoritarizmit, i cili përbëhet nga patriarkalizmi, maçizmi, tradita, dëshira për figura të fuqishme udhëheqëse dhe nacionalizmi në rritje. Erdoani dhe Putini, sipas Xhihiq, personifikojnë këtë model udhëheqësi. «Imazhi i prijësit të fuqishëm, i cili të tjerëve u tregon se si duhet vepruar, dhe u bën ballë të fuqishmëve të botës, i gëzon shumë njerëz në Ballkan». Në rajon po rritet gatishmëria për të pranuar forma të tjera – iliberale dhe autoritare – të sundimit.

Sipas politologut Xhihiq, i cili është me origjinë nga Bosnja, «liderët e fuqishëm» të Ballkanit janë politikanë me retorikë të shkathtë. Ata hiqen si pragmatikë, që çdo gjë ia nënshtrojnë përparimin. Paralelisht me këtë ata kultivojnë një diskurs të kërcënimit të përhershëm nga të tjerët, përkatësisht nga jashtë, dhe këtë e kriposin me një shtresë nacionalizmi, i cili gjithnjë transporton edhe ndjenjën e viktimizimit. Kryetari serb Aleksandar Vuçiq dhe politikanët shqiptarë të Kosovës me të kaluar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës mundohen të shquajnë origjinën e tyre modeste dhe të prezantohet si njerëz të popullit. «Njëkohësisht ata pretendojnë një epërsi në interpretimin e asaj se kush është <populli i vërtetë> – qofshin këta shqiptarë autentikë, serbë të vërtetë, tamam boshnjakë, malazezë krenarë apo kosovarë. Ky polarizim politik e ndan shoqërinë përgjatë skemës mik-armik dhe kësisoj çdo diskurs dhe madje edhe kritika e matur ndaj partisë qeveritare delegjitimohet dhe pjesërisht kriminalizohet si tradhti ndaj <çështjes kombëtare>. Në këtë mënyrë personalitete udhëheqëse si Vuçiqi në Serbi apo Bakir Izetbegoviqi në Bosnjë-Hercegovinë arrijnë vazhdimisht ta hedhin poshtë kritikën e opozitës ndaj mënyrës se si qeverisin ata», shkruan Xhihiq.

Në Kosovë, sipas tij, ekziston një hendek i madh mes qeverisë dhe opozitës. Në Serbi Vuçiqi prej vitesh gjendet në një fushatë të pandalshme elektorale, të cilën ai e inskenon vetë. Përveç krijimit të atmosferës së kërcënimit nga jashtë situatën në Ballkan e komplikojnë edhe aferat dramatike – treni me parulla nacionaliste, të cilin Serbia dëshironte ta dërgonte në veri të Kosovës, arrestimi i Ramush Haradinajt në Francë me kërkesë të Serbisë, thellimi i tensioneve në Maqedoni në muajin prill, deklaratat e Edi Ramës që u interpretuan si shqiptaromëdha etj. Sipas Xhihiq në Ballkan krizat prodhohen në mënyrë artificiale dhe ai që e vë flakën imponohet edhe si zjarrfikës. Në zbatimin e kësaj strategjie partitë në pushtet i përdorin edhe mediat, të cilat i kanë futur nën kontroll në kuadër të zgjerimit të pushtetit.

«Një mostër tjetër qendrore e sundimit autoritar shihet te informaliteti, përmes të cilit realizohen interesat ekonomike të partive qeveritare. Për të siguruar sundimin dhe lojalitetin, në shtetet pasardhëse të Jugosllavisë gjithnjë e më shumë shfrytëzohen lidhjet joformale dhe varësitë, përmes të cilave shkatërrohen institucionet dhe sabotohen të drejtat civile. Në një sistem të tillë llogaritet vetëm besnikëria personale, e cila bazohet në varësi materiale, lidhje familjare, përkatësi klanore, prejardhje etnike apo fetare, si bazë e pushtetit. Në bazë të besnikërisë personale ndaj figurës udhëheqëse apo partisë dominuese krijohen rrjete klienteliste», shkruan Xhihiq. Në këtë sistem partitë qeveritare nuk janë vetëm struktura për të organizuar pushtetin dhe interesat politike, por ato funksionojnë edhe si rrjete klienteliste, të cilat i shpërndajnë të mirat publike dhe resurset shtetërorë, të cilat i kontrollojnë. Kjo, sipas Xhihiq, gjithnjë e më shumë po bëhet bazë e strategjive partiake për të legjitimuar pushtetin.

Si përfundim: pushtetarët e Ballkanit kultivojnë një retorikë gjunjëzuese ndaj Brukselit, por njëkohësisht adhurojnë tendencat autoritare të Erdoanit dhe Putinit. Duke i toleruar këta politikanë udhëheqës BE në Ballkan qëmoti është bërë pjesë e problemit, nënvizon Xhihiq.
E.R.