Europa dhe kriza në Ballkan

Në Ballkanin Perëndimor ekziston rreziku real nga skenari ukrainas, që do të thotë mbështetja nga pushteti e integrimeve europiane mund të shkaktojë reaksion më të fuqishëm të kundërshtarëve të zgjerimit (lexo Rusisë) se sa mbështetja e opinionit ndaj këtij projekti.

Ivan Krastev.



«Lufta e Dytë Botërore ka përfunduar, por e Para ende po zgjat», më ka thënë para do kohe një zyrtar turk në Ankara. Ai mendonte Lindjen e Afërt, por në Moskë, Kiev e në Ballkan kam dëgjuar të njëjtin koment mbi Europën. Jo edhe në Bruksel, sepse Bashkimi Europian edhe më tej nuk e pranon se jetojmë në botën në të cilën është kthyer gjeopolitika, në të cilën qeveritë dhe pjesa më e madhe e publikut janë të fiksuar te kufijtë e territoret e ku krenaria kombëtare është më e rëndësishme se rritja ekonomike.

Në këtë qëndron problemi me Ballkanin Perëndimor, ku BE-ja refuzon të sillet e të mendojë si lojtar gjeopolitik. Në shkurt BE ka prezantuar strategjinë e re për këtë rajon. Qëllimi i saj është që në Serbi, Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Shqipëri me ripërtëritjen e gjasave për anëtarësim në BE të nxiten reformat. Kjo është lëvizje vërtet e guximshme në çastin kur institucionet europiane po ballafaqohen me rritjen e popullizmit në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian.

Një shaka ballkanike më së miri e përshkruan gjendjen e njerëzve të cilët presin tepër gjatë: optimistët besojnë se Turqia do t’i bashkohet BE-së gjatë kryesimit të Shqipërisë, deri sa pesimistët besojnë se Shqipëria do të anëtarësohet gjatë kryesimit të Turqisë. Me fjalë të tjera: kurrë.

Brukseli vlerëson mirë se satus quo-ja është e paqëndrueshme. Por ky konstatim pa masa përcjellëse çon drejt stabilitetit në rajon. Në Ballkanin Perëndimor ekziston rreziku real nga skenari ukrainas, që do të thotë mbështetja nga pushteti e integrimeve europiane mund të shkaktojë reaksion më të fuqishëm të kundërshtarëve të zgjerimit (lexo Rusisë) se sa mbështetja e opinionit ndaj këtij projekti.

Ballkani sërish është aktual, para së gjithash për shkak të krizës së refugjatëve, e cila e ka tronditur thellë rajonin. Në të përsëri po forcohet dëshira për integrime europiane, sidomos pas periudhës në të cilën BE-ja konsiderohej si organizatë e cila jep tepër pak para ndërsa parashtron tepër kushte.

Inkurajues, ndonëse ngjarje e vërejtur dobët është ratifikimi i paradokohshëm i marrëveshjes për miqësi ndërmjet Bullgarisë e Maqedonisë, dy vende marrëdhëniet e të cilave kanë qenë të tendosura për kohë të gjatë, kryesisht për shkak të problemeve të pakicave. Me këtë hap të rëndësishëm dy vendet kanë sinjalizuar se ka ardhur koha për zgjidhjen e problemeve në rajon.

Për t’i realizuar ambiciet e veta në lidhje me transformimin e rajonit, Bashkimi Europian duhet të respektojë ndryshimet aktuale gjeopolitike. Kur në vitin 2001 për herë të parë ka premtuar anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, të rrallët kanë dyshuar në të ardhmen europiane të regjionit. Për Rusinë Ballkani ka qenë vetëm rajon tranzitor për eksportimin e produkteve të saj energjetike në tregun e Europës perëndimore. Moska atëherë nuk kishte ambicie që të garojë me Brukselin.

Para 15 vitesh Turqia ka pritur anëtarësi të shpejtë në BE. Në harmoni me këtë e ka formësuar politikën e saj ndaj Ballkanit në mënyrë që Europës t’ia tregojë rëndësinë e vetë strategjike. Atëherë askush nuk e ka pritur Kinën në Ballkan. Ndërkohë është rritur konkurrenca gjeopolitike në Ballkan. Kina sivjet po bëhet investuesi më i madh i jashtëm në rajon. Planet për ndërtimin e shpejtë të hekurudhës ndërmjet portit grek Pireu e Budapestit nëpërmjet Beogradit janë shumë të rëndësishme për Kinën si pjesë e zhvillimit të rutës së saj tregtare «një brez, një rrugë» (one belt, one road) ndërmjet Afrikës e Europës. Kina shpreson se Ballkani Perëndimor me kohë do të integrohet në tregun unik evropian, ndonëse nuk ngutet që projektet e saja t’i harmonizojë me ligjet e BE-së.

Kjo shtron shumë çështje. A mos do të ishte më mirë që BE-ja t’i shtyjë vendet e Ballkanit Perëndimor që të pranojnë rregulloren e saj për prokurimin publik apo duhet ta lërë këtë për më vonë? A është e gatshme BE-ja që të ofrojë kompensim në rast se këto shtete për shkak të integrimit europian i humbasin investimet kineze? Edhe Rusia ka ndryshuar qasje. Është e qartë se Moska do të jetë kundër hyrjes së Maqedonisë në NATO, ndonëse ë parë për shkaqe simbolike se sa atyre strategjike.

Kreatorët e politikës europiane duhet të dinë se në qoftë se nëse kontesti afatgjatë ndërmjet Greqisë e Maqedonisë nuk zgjidhet deri në samit e ardhshëm mbi Ballkanin Perëndimor në maj 2018, do të jetë ky dështim i dyfishtë – fundi i ambicieve të Maqedonisë dhe dështimi i përpjekjeve të Brukselit që të merret seriozisht në rajon. Ballkani është vend në të cilin Rusia mund të veprojë në destabilizimin e Bashkimin Europian me çmim shumë të ulët politik: pa shpenzime të mëdha financiare dhe pa rrezik për konflikt me ShBA-të. Para diplomacisë evropiane shtrohet detyra që ta bindë Moskën së përshkallëzimi i tensioneve nuk është në interesin e saj. A është Europa e gatshme për këtë?

Këtu është edhe Turqia, vendi marrëdhëniet e të cilës me BE-në janë në nivelin më të ulët në historinë e saj. Qëllimet e kryetarit turk Recep Tayyip Erdoğan në Ballkanin Perëndimor ende janë të paqarta. Ankaraja po e sforcon ndikimin e saj në komunitetet fetare në Ballkan, ndërsa Moska në të krishterët ortodoksë. A do t’i harmonizojnë Rusia e Turqia politikat e tyre sipas recetës nga Siria?

Në qoftë se Bashkimi Europian nuk do të reagojë shpejt ndaj këtyre realiteteve gjeopolitike, strategjia e tij për Ballkanin Perëndimor do të përjetojë disfatë.
(The Guardian)