«Euro 2016» ndryshon orën e shfaqjes «Hamletmachine» në TKK

Për shkak të ndeshjes së futbollit Belgjikë-Itali që transmetohet në orën 21:00 në sheshin pranë Teatrit Kombëtar të Kosovës, jemi të shtyrë që terminin e shfaqjes Premierë «Hamlemachine» (datë 13 dhe repriza 14 qershor) ta spostojmë për në orën 20:00, në mënyrë që shfaqja të mos pengohet nga zhurmat e transmetimit.

Premierën e shfaqjes «Hamletmachine», tekst i Heiner Muller që vjen me regji nga Hana Qena. Shfaqja jepet në Skenën e Vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, transmeton Koha.net.

Hamletmachine është dramë postmoderne e shkruar nga Heiner Muller në vitin 1977 në Gjermaninë Lindore. Në dhjetë faqe tekst autori merret jo vetëm më idetë e komunizmit e feminizmit por edhe me idenë e të qenit i kurthuar në kohë e në ndonjë situatë. Hamletmachine huazon skena e tekst nga drama e Shakespeare-it, por nuk ka dialog e as linjë dramatike. Në pesë aktet, të cilat dallojnë nga njëra tjetra, Ofelia dhe Hamleti paraqiten si hije mistike të figurave reale e historike. Nuk ka sinopsis për këtë tekst, më shumë ngjan me një ekspozitë të gjallë të cilën mund mos ta kuptoni të tërën por gjithsesi do të intrigoheni nga ajo.

Fabula nuk është e fiksuar, koha, vendi nuk janë të përcaktuara. Personazhet nuk kanë qëndrueshmëri. Kritikët thonë që Hamletmachine është kritikë për paaftësinë e intelektualëve evropianë për të bërë ndonjë ndryshim në ciklin e dhunës e revolucionit e në këtë situatë janë edhe personazhet e tekstit. Njerëz që tentojnë të bëjnë ndryshime por në fund dorëzohen sepse janë personazhe të ngujuara, janë intelektualë të dështuar.

Shfaqja ka doemos shtrirje dhe relevancë edhe konform aktualitetit kosovar.

«Në Kosovë, burrëria është e lidhur ngushtë më nacionalizëm, për të qenë burrë duhet të jesh edhe patriot. Me inskenimin e Hamletmachine, dua të vë në pikëpyetje nacionalizmin kosovar, burrërinë dhe feminizmin e pasluftës. Hamletmachine, për mua si regjisore është përpjekje për çlirim nga sindroma e Ofelisë», thotë regjisorja Hana Qena.

Në shfaqje luajnë Ermal Sadiku si Hamleti, dhe Alketa Sylaj në rolin e Ofelisë. Skenografia: Genc Kadriu, Muzika: Geri Kacerja, Posteri: Manshu Li. Repriza e parë e shfaqjes është ditën e martë, me 14 qershor, në orarin e njëjtë.