EULEX-it i tkurren kompetencat

Misionit evropian të sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, do t’i tkurret mandati.

Projektligji i ri i Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e mandatit të EULEX-it ka pësuar disa ndryshime. Burimet të televizionit publik kanë thënë se me këtë ndryshim parashihet se këtij misioni i pamundësohet që të hapë raste të reja për krimet e luftës dhe korrupsionit, para se ato t’i fillojë prokuroria e shtetit.

Ky ndryshim është vendosur, edhe pse Brukseli nuk ka kthyer letër institucioneve të Kosovës.

Ndërkohë, një burim qeveritar në kushte anonimiteti i ka thënë portalit Koha.net se «Misioni i EULEX-it ka ardhur në Kosovë me ftesë të Presidentit.
«Ftesa e Presidentit parasheh edhe kompetencat e Misionit, të cilat me ligjin e ri janë dukshëm më të vogla sesa që ka pasur deri tash EULEX-i», ka thënë ky burim pa mundur që të precizojë më shumë.

Modifikimin e ligjit e ka përmendur edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. Qeveria e Kosovës zhvilloi sot mbledhjen e 93-të, në të cilën ka miratuar Projektligjin për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, (EULEX Kosova).

Zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, prezantoi projektligjin në fjalë, duke thënë se ligji i ri për EULEX-in do të quhet Ligji për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

«Ju e dini që të premten kemi miratuar një draft ligj i cili ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare dhe kemi pasur për bazë letrën e presidentit të Republikës dërguar zonjës Mogherini. Në mungesë të një përgjigje tani ka nevojë që ky ligj të modifikohet dhe të quhet Ligji për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Arsyeja kryesore është që tani jemi në ditët e fundit të përfundimit të mandatit aktual të EULEX-it dhe me qëllim të tregimit të përkushtimit tonë për Misionin e EULEX-it në Kosovë dhe rritjen e kapaciteteve tona për rend dhe ligj si dhe për të shprehur gatishmërinë për të vazhduar mandatin e tyre në Kosovë edhe për dy vjet, propozoj që ta miratojmë këtë projektligj dhe ta dërgojmë në Kuvendin e Kosovës», tha Kuçi.

Kryeministri Isa Mustafa tha se arsyetimet janë dhënë nga zëvendëskryeministri Kuçi, për ndryshimet që janë dashur të bëhen në mënyrë që të procedohet në Kuvend.

«Do ta procedojmë sonte, në mënyrë që të sigurojmë që mbledhja e Kuvendit të thirret para skadimit të mandatit të EULEX-it dhe vendimi i Kuvendit të merret po ashtu para skadimit të mandatit», tha Mustafa.