EULEX-i akuzohet se po mundohet të heshtë informatoren Bamieh

Mari Bamieh thotë se kërcënimi me ndjekje penale prej Misionit të Bashkimit Evropian është përpjekje për ta detyruar të heqë dorë prej pretendimeve për kulturën e korrupsionit




Misioni i huaj i Bashkimit Evropian është akuzuar se po përdorë kompetencat e veta që të detyrojë të heshtë informatoren që pretendon se ka zbuluar dëshmi për korrupsion të mundshëm.

EULEX, misioni i huaj në Kosovë, do të përballet me proces gjyqësor prej avokates londineze, Maria Bamieh. Ajo pretendon se ka qenë e detyruar të largohet prej punës si prokurore për shkak të zbulimit të dëshmive të ryshfetit në mesin e stafit të lartë të misionit. Por Bamieh dhe bashkëpunëtori i saj janë paralajmëruar zyrtarisht prej EULEX-it se do të mund të ndiqeshin penalisht nëse do të zbulonin detaje të rastit të saj të punësimit «jopalëve», përfshirë edhe dëshmitarët e mundshëm.

Prospekti për përndjekje penale në Kosovë është jashtëzakonisht serioz, duke pasur parasysh se kryhet prej gjykatësve dhe prokurorëve të EULEX-it. Ai ka autoritet për të kërkuar ekstradimin e të dyshuarve nga Britania e Madhe ose të kërkojë fletarrest evropian.

EULEX-i ka kushtuar më shumë se një miliard euro prej kohës së themelimit të tij me premtimin se do të gjykonte «peshqit e mëdhenj» në mesin e politikanëve në Kosovë, që janë të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar.

Pretendimet e Bamieh, bashkë me shfaqjen e dokumenteve komprometuese në mediat e Kosovës, kanë krijuar përshtypjen brenda ish-krahinës së dikurshme jugosllave se EULEX-i mund të jetë pjesë e problemit të cilin po përpiqet ta zgjedhë.

Nëpërmjet një deklarate, Bamieh, dikur avokate dhe prokurore e Shërbimit të Kurorës së Britanisë së Madhe, ka thënë se kërcënimi i EULEX-it për përndjekje është kulmi i një fushate prej tri vjetësh për ta ndaluar atë që të mos ekspozonte ato që ajo pretendon se janë kulturë e korrupsionit prej heqjes dorë nga ankesa për keqtrajtim. «Zhvillimet e fundit shërbejnë vetëm për të demonstruar fuqitë e gjera, për t’u munduar për të parandaluar hapjen e shqetësimeve të mia e të diskutohet hapur», ka shkruar ajo. «Pavarësisht prej këtyre, nuk do të sprapsen dhe nuk do të lejojë të më shkelen të drejtat».

Bahskëpunëtori i saj, Peter Daly, nga firma «Bindmans», ka thënë se veprimet ishin përpjekje për ta ndaluar atë dhe Bamieh nga rënia në kontakt me dëshmitarët. «Kërcënimet kundër meje dhe klientes time – bashkë me kërkesën jashtëzakonisht të pazakonshme për anonimitet të plotë dhe dëshirën për të penguar procedurat nga çfarëdo shqyrtimi – nuk duket se i shkojnë për shtat funksionit të EULEX-it si protektor të sundimit të ligjit», ka deklaruar ai.

Bamieh i është bashkuar EULEX-it më 2008, por pretendon se ishte detyruar të largohej verën e kaluar për shkak të përpjekjes për të zbuluar korrupsionin dhe ryshfetin në mesin e zyrtarëve të lartë të misionit. Ajo pretendonte se kishte dëshmi të korrupsionit pas përgjimit të një thirrje telefonike të njërit prej të dyshuarve, që ishte zyrtar i lartë civil, duke ngritur dyshime se zyrtarë të lartë të EULEX-it po merrnin ryshfet në vlerë prej qindra mija eurosh.

Por pas ankesave te autoritetet dhe kërkesës për hetim të plotë, Bamieh ka thënë se ishte viktimizuar, njollosur në media dhe ishte detyruar të largohej. Largimi i saj kishte ardhur pas dy vjet keqtrajtimi, përfshirë hetime të përmasave të gjera të sjelljes së saj. Ajo kishte ngritur dyshime se kishte bashkëpunim të kriminelëve me disa zyrtarë të lartë të misionit evropian.

EULEX-i ka bërë të ditur se ajo dyshohet se kishte nxjerrë dokumente jashtë misionit. Bamieh i ka hedhur poshtë akuzat, duke ngulmuar se ajo për mediat kishte folur vetëm pas suspendimit. Në zhvillimet e mëtejshme, EULEX-i i ka shkruar tribunalit, duke kërkuar mbrojtje të privatësisë dhe anonimitetit të dëshmitarëve në fazat e ardhshme të procedurave. Kjo do t’ia ndalonte medieve që të raportonin për çfarëdo rasti, pavarësisht mbulimit në nivel botëror të rastit në media.

Shah Qureshi, drejtues i ligjit të punësimit në «Bindmas», ka thënë se kërcënimet ligjore ishin jashtëzakonisht të pazakonshme dhe dashakeqe. «Është një aspekt themelor i funksionimit të ligjit që bashkëpunëtori juridik nuk kërcënohet me ndjekje penale thjesht pse përfaqëson klientët e tij», ka deklaruar ai. «Kërcënimi bërë prej avokatëve të EULEX-it është në kundërshtim me këtë parim themelor». Ai ka shtuar: «Ky është sulm themelor ndaj sundimit të ligjit në Mbretërinë e Bashkuar dhe ne e hedhim poshtë pa asnjë rezervë. Fakti se ky sulm është bërë prej një organizate të themeluar për mbrojtjen e sundimit të ligjit do të duhej të ishte burim i shqetësimit më të thellë në Bruksel dhe Kosovë».

Kosova është ndarë nga Jugosllavia më 1999 dhe u shpall protektorat i Kombeve të Bashkuara pas luftës së përgjakshme. Shqiptarët më 2008 shpallën Pavarësinë nëpërmjet Deklaratës së njëanshme në Kuvendin e Kosovës dhe njësiti i OKB-së ishte zëvendësuar prej EULEX-it.

Një zëdhënës i EULEX-it ka refuzuar të komentojë kërcënimet për ndjekje penale os pretendimet për presion ndaj bashkëpunëtorit juridik të Bamieh. «EULEX-i së fundi është në procesin e mbrojtjes së çështjes ligjore që është sjellë kundër nesh prej Maria Bamieh», ka deklaruar zëdhënësi. «Si pasojë e kësaj, argumentet në ato procedura po vazhdojnë dhe ne nuk do t’i komentojmë derisa të mbarojnë procedurat. EULEX-i, duke qenë misionin i sundimit të ligjit, respekton tribunalin e punës të Londrës qendrore dhe nuk dëshiron të komentojë derisa të jepet Gjykimi».

«The Guardian»