Është koha për lajme të konfirmuara

Leximi i politikës shqiptare është bërë i vështirë, e pothuajse i pamundur që nga marrëveshja Berisha - Rama e vitit 2008, marrëveshje që e vuri politikën shqiptare efektivisht nën kontrollin e plotë të kryetarëve të partive. «Lajmet» e ditëve të fundit mbi të ardhmen e koalicionit PS-LSI na demonstruan edhe një herë nevojën për transmetimin e lajmeve vetëm pas konfirmimit.

Foto: Shutterstock



Opinionistët janë të çoroditur. Gazetarët nuk janë në gjendje të raportojnë diçka që është e sigurt që ka ndodhur. Politikanët janë në gjendje të tallen me medien duke ngulitur «lajme» që rezultojnë të pavërteta ose gjysmë të pavërteta, ose keqinterpretim i fakteve. Ka një përpjekje të ngathët nga një pjesë e opinionistëve dhe të gazetarëve për t’u përballur me këtë realitet që po zgërlaq edhe më tej besueshmërinë e medies shqiptare për të raportuar diçka që bën sens. Dhe kjo mungesë përballjeje me realitetin është akoma më e keqe se sa vetë pamundësia për të raportuar atë që ka ndodhur.

Tre ditë më parë, katër njerëz hëngrën një darkë. Këta njerëz ishin Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj nga njëra anë dhe kryetari i parlamentit e njëkohësisht kryetar i LSI-së Ilir Meta, i shoqëruar nga Petrit Vasili, ministër i Drejtësisë. Është afër mendsh të supozohet që të katërt kanë diskutuar për zgjedhjet e 18 qershorit. Problemi është që hamendësimi nuk përbën lajm. Por media nuk u mjaftua me kaq. Një pjesë e madhe e medies shkoi më tutje duke raportuar se «burimet» e saj i thoshin se të katërt kanë diskutuar dhe kanë rënë dakord për rikonfirmimin e koalicionit. Ky «lajm» me burime u përgënjeshtrua nga e njëjta media rreth 24 orë më vonë. Nuk është se tamam u përgënjeshtrua. Por ajo që u mor vesh është që një nga të katërt që hëngri darkë, Ilir Meta, deklaroi në konferencë për shtyp disa gjëra që sugjeronin se marrëveshja nuk qe realizuar. Opinionistët në shumë emisione debati e kishin të vështirë të kuptonin, e aq më pak, të komentonin se çfarë po ndodhte.

Në pamundësi për të mësuar diçka të vlefshme për t’u raportuar, media me apo pa dëshirë e bëri veten qesharake duke raportuar me seriozitetin më të lartë detaje të parëndësishme të llojit: dy shishe verë u panë të dalin nga restoranti dukshëm me tapën në vend.

Pamundësia për të lexuar politikën shqiptare u krijua brenda natës në vitin 2008, kur kryetari i PD-së Sali Berisha dhe kryetari i PS-së Edi Rama ranë dakord me njëri-tjetrin për të ndryshuar sistemin elektoral të vendit duke instaluar sistemin që kemi sot. Përpara kësaj date, së paku nga Partia Socialiste, media shpesh kishte mundësi të informohej për gjëra të ndryshme, të rëndësishme apo të parëndësishme, por gjithsesi me një shkallë jo të vogël besueshmërie.

Ndryshe nga sistemi i mëparshëm, ku shqiptarët votonin veçmas për një kandidat për deputet dhe për një parti politike, sistemi aktual i kërkon shqiptarëve të votojnë vetëm një parti politike. Partitë politike nga ana e tyre caktojnë lista me kandidatë për deputetë. Kjo e fundit është teorikisht. Praktikisht kryetarët e partive përcaktojnë se kush do të jetë në parlament e kush nuk do të jetë. Kjo e bën që deputetët të mos ekzistojnë si subjekte më vete por thjeshtë si gurë shahu të kryetarit.

Zyrtarisht sistemi politik aktual e ka emrin «proporcional rajonal me lista të mbyllura». Praktikisht sistemi politik aktual është që udhëheqësit e partive vendosin çdo gjë. Teorikisht jemi republikë parlamentare. Praktikisht jemi republikë kryeministrore. Për rrjedhojë, askush nuk e di se çfarë po ndodh në politikën e vendit përveç krerëve të partive përkatëse. Rrjedhimisht, çdo informacion tjetër joformal i llojit: u arrit marrëveshja apo nuk u arrit marrëveshja, është teknikisht i pamundur që të verifikohet. Por duke pranuar informacione joformale, qoftë edhe nga ata që i njohim si figura të larta politike, media nuk bën asgjë tjetër veçse përqesh vetveten dhe humbet atë pak reputacion që i ka mbetur.

E vetmja mënyrë që shqiptarët të marrin vesh nëse është arritur apo jo marrëveshja për koalicionin qeverisës është që kryetarët e partive përkatëse ta deklarojnë një gjë të tillë. Për sa kohë kryetarët nuk thonë as po e as jo, çdo spekulim, qoftë ky edhe nga «burime të mirëbesuara nga lartë» është mirë të mbetet jashtë medies. Nuk besoj se ndonjë nga drejtuesit e medies aktuale dëshiron të bëhet aq qesharak sa brenda dy orësh të raportojë një herë që u arrit marrëveshja dhe një herë tjetër që marrëveshja nuk u arrit.

(https://www.reporter.al/eshte-koha-per-lajme-te-konfirmuara/)