Është djalë

Pse vetëm burrat janë të dhunshëm?

Foto: Shutterstock

Kur kuptojmë se dikush është shtatzënë, shpesh i bëjmë dy pyetje: kur është koha e lindjes? Dhe: a dihet çka është? Kur dëgjojmë për rrahje, vrasje masive, përdhunime apo vrasje në apo jashtë lidhjeve, ne s’pyesim: a dihet gjinia? Ne e marrim me mend se kanë qenë burra.

Rastet prominente ku bëhet fjalë për përdhunim dhe dhunë kundër grave janë aq të shumta dhe aq të neveritshme.

Këngëtarja Kesha, aktorja Amber Heard, modelja Gina-Lisa Lohfink: të gjitha duhet të luftojnë kundër faktiti se atyre nuk u besohet. Kundër Michael Brücknerit, deputetit nga Nürnbergu të partisë CSU në parlamentin e Bavarisë, i cili ka pranuar se ka pasur seks me një vajzë 16-vjeçare, po zhvillohen hetime për shkak të dyshimit të keqpërdorimit të një personi të moshës minore.  21-vjeçari Brock Turner, i cili e ka dhunuar pas një koshi të bërllokut një studente me vetëdije të humbur, duhet të qëndrojë më së shumti 6 muaj në burg, ndërkohë që babai i tij po merakoset që çunit të tij s’po i pëlqen bifteku. Në Katar një turiste u dënua për seks jashtëmartesor, sepse ajo kishte dorëzuar padi për përdhunim.

Aktualisht në Itali sërish po diskutohet shumë mbi vrasjen e grave, mes tjerash për shkak se një burrë xheloz e ka ngufatur dhe djegur ish të dashurën e tij. Të premten në Orlando një burrë vrau këngëtaren Christina Grimmie, në Berlin me gjasë një grua u ther me thikë nga një burrë, në Los Angeles një gjykatë bëri publike masën e dënimit për aktorin Michael Jace, i cili ka vrarë gruan e tij. Në fundjavë eskaloi konflikti mes huliganëve tepër të dhunshëm në Marseille, një britanik luftonte me vdekjen. Në Berlin në orët e para së të dielës u arrestua një person , i cili me gjasë ka vrarë të dashurën e tij. Po atë natë një burrë në një klub homoseksualësh në Orlando vrau 49 njerëz dhe plagosi 53 të tjerë. Në Potsdam këtë javë ka filluar procesi gjyqësor kundër vrasësit të të rinjve Mohamed dhe Elias.

Këto janë të gjitha raste të ndryshme. Në qoftë se në çdo rast të veçantë pyesim veten nëse seriozisht na e merr mendja se një grua mund t’i ketë kryer këto vepra, ne mbase duhet të përgjigjemi: vështirë. Jemi mësuar se bëhet fjalë për burra që besojnë se mund t’i detyrojnë të tjerët se si duhet të jenë, dhe mendojnë se mund të vendosin se kush guxon të jetojë dhe kush jo. Me atë rast bëhet fjalë për diçka aspak më të vogël se pyetja kujt i takon bota. Mirëpo, sa më shumë thellohemi në secilin prej rasteve të përmendura dhe shohim se kjo është vepër e një të çmenduri kundër mbarë njerëzimit, aq më pak marrim vesh se çfarë ka ndodhur.

Natyrisht nuk kuptojmë gjithçka dhe ndoshta gati asgjë kur mendojmë se dorasi ka qenë burrë. Miliarda burra nuk kanë vrarë kurrë askënd apo plagosur. Por ne kuptojmë se si jemi mësuar me dhunën e burrave kur nuk pyesim më mbi gjininë e dorasit.

Të qenmit burrë nuk i shpjegon këto vepra, por ne s’mund ta injorojmë të qenmit burrë kur merremi me pyetjen se si mund të pengohen krime të tilla. Eseistja Rebecca Solnit ka shkruar «when you say lone gunman, everyone talks about loners and guns but not about men». Ne s’flasim për të qenmit burrë, ndonëse jemi të rrethuar nga dhuna që buron nga burrat. Në Gjermani policia në vitin 2015 çdo ditë ka regjistruar 19 dhunime dhe detyrime seksuale dhe këto janë vetëm ato raste që denoncohen në polici, numri i rasteve të pa lajmëruara është dukshëm më i madh. Në përgjithësi ndër të dyshuarit për vepra penale seksuale 93 për qind kanë qenë burra, në veprat penale që rrezikojnë jetën 83 për qind.

Kemi një aparat tejet të madh të strategjive të arsyetimit të dhunës së burrave. Herë fusim duart në koshin e fenomeneve natyrore, ku bëhet fjalë për instinkte dhe hormone dhe në rast dyshimi për ruajtjen e tërë njerëzimit. Herë është feja, pra çështja e besimit, e cila në mënyrë mbinatyrore u shmanget pyetjeve të tjera, sepse ajo sillet në fushën e irracionales. Herë është kultura dhe arsimi, dështimi i çerdheve të fëmijëve dhe shkollave në jetën e hershme të roleve të ndryshme burrërore, dhe nganjëherë është thjesht alkooli. Të gjitha këto shkaqe në të vërtetë në mënyrën e tyre dhe në kontekstin përkatës mund të ndihmojnë paksa për të shpjeguar një sjellje – por kurrë s’mund ta shfajësojnë. Kësisoj s’mund të shpjegohet kjo.

Lidhja mes burrërisë dhe dhunës është fenomen mbarëbotëror: ajo ekziston në të gjitha kontinentet, madje edhe në ishujt e Paqësorit Jugor me numër dyshifror banorësh.

Të konstatosh diçka si problem global, natyrisht domethënë t’i ikësh përgjegjësisë. «Gjithkund është kështu». Kjo do të ishte gjëja më e gabueshme që mund të bëjmë. Po aq e gabueshme do të ishte që vetëm t’i urrenim burrat. Nuk është e thënë të hidhen poshtë burrat, por të tematizohet diçka dhe të luftohet diçka që gjendet brenda tyre – dhe kjo është shumë e ndërlikuar.

Në anglishte ekziston nocioni «tosic masculinity», pra një formë e burrërisë që bazohet në dominim dhe dhunë dhe nuk lejon të shprehen ndjenja. Këtu hyn edhe përfytyrimi i një ngarkese gjigante të instinkteve seksuale, të cilat me zor mbahen brenda binarëve të civilizuar. Është problem kur djemtë dhe burrat përherë tregojnë se «një burrë i vërtetë» nuk qan, se kanë një seksualitet ekscesiv dhe pothuaj kafshëror dhe gjithçka që i del në rrugë atij e shmang me dorën e vet – problem për gratë dhe burrat.

Është kjo formë e burrërisë që duhet ta tematizojmë. Që ajo është e pranishme gjithandej nuk domethënë që është në «natyrën» e dikujt. Para do kohësh thuhej se është e natyrshme dhe e mirë nëse prindërit dhe arsimtarët rrahin fëmijët. Sot shumica prej nesh nuk mendojmë kështu, dhe ne mendojmë se është e panegociueshme që burrat të rrahin gratë. Por ne nuk habitemi kur e bëjnë këtë. Ne konsiderojmë se është krejt e kuptueshme që një grua nuk guxon të shkojë të vrapojë në mal kur të bie muzgu. Një grua. Përherë janë gratë që duhet ta përshtatin sjelljen e tyre. Shumë burra nuk e kanë të qartë sa shumë gratë e integrojnë frikën dhe mbrojtjen nga dhuna në përditshmërinë e tyre. Sa shumë e konsiderojmë normale klimën e kërcënimit. Sa shpesh marrim një taksi për të shkuar në shtëpi, jo nga dembelia, por për të shkuar të sigurta në shtëpi. Kur kemi para.

Madje edhe burrat që e konsiderojnë veten krejtësisht të parrezikshëm mund të bëjnë diçka për të ndryshuar këtë klimë të frikës. Për shembull nëse në mbrëmje ecni vetëm pas një gruaje dhe ajo i dëgjon hapat tuaj, ose kur ecni në drejtim të saj, dilni në anën tjetër të rrugës. S’mund ta merrni me mend sa lehtësuese mund të jetë kjo.

(Spiegel Online)