Është çudi kur je femër




Mua tani më vjen për të qarë. Më duket sikur
shkarkesa yjesh më janë grumbulluar te sytë.
Dot nuk duroj,
ndërsa çengelat e nervave nderas tërhiqen
kundrejt njëri-tjetrit.
Kangur me foshnjën në xhep
duket figura ime së largu
këtu në bregdet.
Më vjen për të qarë. Jam me barrë.
Me siguri molusqet e buta tani
lëvizin kapakët e fortë brenda ujit
dhe kandilët e kuq
kushedi ç’udhëtim të mahnitshëm
kanë marrë.
Është çudi kur je femër...
E keni parë natyrën kur tmerrohet, fryn
e shkatërron!
Kur si përbindësh shkrifëron gërmadhat
e mohimit...
Pastaj, kur pastaj, e lehtë dhe e trandur,
me sytë e mëdhenj plot hije
pret një vazhdim, një lindje fëmije
buzë një deti ku i vjen për të qarë, për të qarë,
ngaqë se si është, është me barrë.
Në ato orë të ditës kur molusqet e buta
hapin kapakët e fortë brenda ujit
dhe kandilët e kuq
kushedi ç’udhëtim të mahnitshëm kanë marrë...
(1989)