Erza Muçolli së shpejti me album në tregun francez [video]

20 nëntori do të shënoj lansimin e albumit të parë të vogëlushes së talentuar në muzikë, Erza Muçolli.




Pjesë e albumit «Për një botë më të mirë» do të jetë edhe një këngë me klip dedikuar paqes dhe tolerancës, një projekt i përbashkët me fëmijë të tjerë i mbështetur nga UNICEF-i, bën të ditur emisioni «Express» i KTV-së.

«On Écrit Sur Les Murs» është titulluar kjo këngë, teksti i së cilës fillon edhe mbaron me fjalën e humanistes shqiptare Nënë Terezës, «Paqja fillon me një buzëqeshje».

E lindur në Francë, 9-vjeçja nga Kosova arriti të jetë e pranishme në të gjitha faqet e shtypit francez, falë talentit dhe zërit të saj të mrekullueshëm, por edhe falë mbështetjes së madhe që po e merr nga vendi ku është rritur.

Me sytë bojëqielli, me flokë të gjatë biond e me një zë shumë të ëmbël, Erza që në takimin e parë i kishte bërë për vete tre anëtarët e jurisë në «France’s Got Talent», transmeton Koha.net. Dhe jo vetëm kaq. Ajo nuk ka qenë thjeshtë finaliste në këtë spektakël me format gjithëbotëror. Ka arritur të radhitet e treta ndër francezët më të talentuar në muzikë.

Erza Muçolli vjen nga një familje kosovare, që ka vajtur në Francë dhe që aktualisht banon në Sarreguemines, një qytet që ndodhet në Regjionin Lorrain.