Erozioni i Perëndimit

ESE - Bashkimi Europian është vetëm një bashkësi vlerash para revokimit. Themelet e tij po rrëzohen. Gjermania dhe fqinjët e saj kanë arsye për vetëkritikë. Vetëm një Europë liberale e shteteve thelbësore, e cila është e vetëdijshme për fuqinë e saj, mund të ndalë shpërbërjen e vazhdueshme.

Heinrich August Winkler.



I.
Nuk duhet të jetë fjala përherë për Gjermaninë. Nëse do të të prishet gjumi gjatë natës, mund të mendosh për Europën ose, më konkretisht, për epilogun e zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Europian në maj 2019. Nëse pjesëmarrja në zgjedhje bie edhe më tutje (në maj të vitit 2014 ajo ishte 42,5 për qind) dhe nëse rritet përkrahja për partitë anti-BE dhe protestuese (aktualisht ato do të kishin më shumë se një të pestën e parlamentarëve), atëherë sigurimi i shumicave proeuropiane në Parlamentin e Strassburgut do të jetë edhe më i vështirë se deri më tani. Është e diskutueshme nëse njëri nga prijësit e listës së familjeve të partive europiane do të ketë pas vetes një shumicë, në mënyrë që besueshëm të pretendojë postin e presidentit të Komisionit të BE-së. Kur më 2015 për herë të parë u provuan prijësit e listave, përkrahësit e tyre premtuan mrekulli të vërteta. Gara e prijësve të listave duhej t’i jepte Komisionit të BE-së një mandat demokratik, prej saj pastaj të krijonte një qeveri europiane dhe Parlamentin Europian ta ngrit në rangun e një parlamenti të vërtetë, të ndarë në kamp qeveritar dhe në opozitë. Pak a shumë kundër vullnetit të tyre, shefat e shteteve dhe qeverive pranuan në Këshillin Europian prijësin e listës më të fuqishme, atë të Partisë Popullore Europiane (PPE), e cila është demokristiane-konservatore, dhe kësisoj ndikuan në de fakto parlamentarizimin e kreut të Komisionit të BE-së. Por, rezultati i pritshëm ishte se Komisioni nën drejtimin e ish-kryeministrit të Luksemburgut, Jean-Claude Juncker nuk e shihte veten në radhë të parë si mbrojtëse e marrëveshjeve europiane, por si «Komision politik», i cili dispozitat e marrëveshjeve nganjëherë i interpretonte në mënyrë shumë të çuditshme. Nga ana tjetër, shumica e Parlamentit Europian si detyrë parësore të tij e shihte që Komisionit të «tij» t’i japë mbështetjen e dëshiruar kundrejt «euroskeptikëve» dhe kundërshtarëve të BE-së, dhe me atë rast më shumë se njëherë la anash detyrën e tij për të kontrolluar Komisionin. Reforma e vitit 2014 nuk ndikoi në popullarizimin e projektit Europë.

Familjet e partive europiane janë krijesa të çuditshme. Ato ekzistojnë pothuajse vetëm në trajtën e fraksioneve në Parlamentin e Strassburgut. Pjesë e PPE-së, mes tjerash, është edhe një parti me imazh të dyshimtë si Fidesz e kryeministrit hungarez Viktor Orban. Partia europiane e socialdemokratëve përfshinë brenda vetes parti të prira për korrupsion si ajo bullgare, rumune dhe malteze si dhe partia e majtë populliste sllovake Smer. Në krye të socialistëve europianë qëndron kryeministri bullgar i viteve 2005 deri 2009, Sergej Stanishev, nën qeverinë e të cilit vendi i tij u ndëshkua me sanksione nga Komisioni i BE-së për shkak të mungesës së energjisë në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në Rumani koalicioni qeverisës i përbërë nga socialdemokratët (nominalë) dhe liberalët prej kohësh po e demonton shtetin e së drejtës me qëllim që t’i mbrojë miqtë partiakë nga ndjekja penale për shkak të korrupsionit. Përjashtimi i socialdemokratëve rumunë nga familja e partive socialdemokrate europiane nuk është më pak e domosdoshme se përjashtimi i Fidesz nga PPE. Por, asgjë nuk vërehet se diçka e tillë do të ndodhë. Dy familjet e mëdha të partive të BE-së ushtrojnë mes vete një lloj solidariteti, i cili mund ta diskreditojë këtë nocion dhe ta varrosë kredibilitetin politik. Në zgjedhjet për Parlamentin Europian zakonisht nuk janë parësore çështjet europiane, por temat konfliktuoze të politikës së brendshme. Lista e kandidatëve prezantohet në kuadrin nacional, raporti i deputetëve europianë ndaj zgjedhësve të tyre është shumë më pak i ngushtë se ai i deputetëve të parlamenteve nacionale. Ky raport ndoshta do të bëhej edhe më i distancuar nëse do të kishte lista transnacionale të kandidatëve, siç ka propozuar presidenti francez Emmanuel Macron. Dëshira e zgjedhësve potencialë të socialdemokratëve gjermanë, që në Strassburg të dërgojnë miq partiakë të ish-kryeministrit të Bukureshtit Victor Ponta, të akuzuar dikur për korrupsion, me gjasë do të ishte po aq e vogël sa ajo e përkrahësve të CDU-së (gjermane) për të votuar për ithtarë të Viktor Orbanit. Listat transnacionale të kandidatëve në realitet nuk janë mjet për t’ia afruar qytetareve dhe qytetarëve Parlamentin Europian. Me gjasë ato do të shkaktojnë të kundërtën. Po kjo vlen edhe për pritjen se me avancimin e Parlamentit Europian mund të shmanget deficiti demokratik i BE-së, i cili kritikohet shumë. Thënë qartë: Parlamenti i Strassburgut nuk është zgjidhja e problemit europian të demokracisë, ai e mishëron këtë problem. Kur Këshilli Europian në korrik 1976 me kërkesë të kancelarit gjerman Helmut Schmidt vendosi që Parlamenti Europian të mos përbëhet nga të dërguarit e parlamenteve nacionale, por të zgjidhet drejtpërdrejtë, të gjithë protagonistët e kishin të qartë se kjo asamble nuk do t’i përgjigjej parimit demokratik «one person, one vote». Një parlamenti i cili do të ishte në gjendje që edhe qytetarëve të shteteve të vogla t’ua jep ndjenjën se atje janë të përfaqësuar në mënyrë meritore, do të duhej t’i takonin disa mijëra deputetë; domethënë nuk do të ishte i aftë për punë. Rrjedhimisht, shtetet e vogla u privilegjuan në dëm të shteteve të mëdha. Për të dërguar një deputet në Strassburg, në Republikën Federale të Gjermanisë kërkoheshin 700 mijë vota, në Luksemburg vetëm 60 mijë. Kjo për arsye të mira, madje të obligueshme deri më sot nuk ka ndryshuar në thelb.

Mungesa e reprezentativitetit demokratik nuk e pengon Parlamentin Europian të ushtrojë funksione të rëndësishme. Por, kjo ka për pasojë që Parlamenti i Strassburgut nuk gëzon prestigj të krahasueshëm me atë të Dhomës së Ulët të parlamentit britanik apo të Bundestagut gjerman. Përfaqësi popullore europiane nuk mund të jetë për shkak se nuk ka popull europian. Rrjedhimisht, BE, sipas ish-gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë Dieter Grimm, «pas parlamentarizimit të plotë do të ishte më e dobët se më parë sa i përket demokracisë». Pra, legjitimimi demokratik i Bashkimit Europian në radhë të parë duhet të arrihet përmes parlamenteve nacionale. Puna e tyre sa i përket Europës mund të koordinohet dhe sinkronizohet më mirë, por nuk mund të shmanget. Për aq kohë sa Europa është e ndarë në shtete nacionale, parlamentet e tyre do të mbesin garantuesit më të rëndësishëm të demokracisë në Europë.

Nëse presidenti i ardhshëm i Komisionit të BE-së nuk do të jetë njëri nga prijësit e listës së familjeve të partive europiane, por i propozuar me shumicë të kualifikuar dhe në mënyrë autonome nga kryetarët dhe kryeministrat me legjitimitet demokratik, të cilët do të merrnin parasysh rezultatin e zgjedhjeve të Parlamentit Europian, atëherë ky nuk do të ishte kthim prapa në fushën e demokracisë europiane. Përballë një Parlamenti Europian të parcializuar, me gjasë të dominuar nga popullistët e të gjitha ngjyrave, Këshilli Europian do të kishte shansin të shfaqej si mbrojtës i interesave të përbashkëta të bashkësisë së shteteve. E drejta europiane në trajtën e Kontratës së Lisbonës është gjithsesi në anën e Këshillit Europian.

II.
Natyrisht nuk mund të jemi të sigurt që Këshilli Europian do të pajtohet përherë lidhur me interesin e përgjithshëm europian. BE-ja e 28 ose së shpejti e 27 shteteve anëtare gjithnjë e më shumë po ka vështirësi të flasë me një zë në çështjet e rëndësishme. Këtu kemi para së gjithash erozionin normativ, të cilit po i prijnë shtete si Hungaria, Polonia dhe Rumania, duke e vënë në dyshim ndarjen e pushteteve dhe sidomos pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe kësisoj këto shtete po shkelin kriteret e Kopenhagës për anëtarësim të vitit 1992 si dhe dispozitat fundamentale të Kontratës mbi Bashkimin Europian, pra Kontratën e Lisbonës të vitit 2009. Sanksioni më i ashpër, të cilin e parasheh kjo kontratë, heqjen e të drejtës së votës, është një shpatë e topitur: për një vendim të tillë duhet të votojnë të gjitha shtetet përveç shtetit për të cilin bëhet fjalë. Por, Hungaria dhe Polonia në rast të tillë mund të llogarisin në njëra-tjetrën.

Nga shtetet themeluese të BE-së deri më tani Franca është shprehur më së ashpri kundër demokracive «iliberale» të Europës së mesme lindore, siç vlerëson ajo. Habitshëm të rezervuara janë vlerësimet nga ana e Berlinit. Shumëçka flet për atë se kjo po ndodhë jo për shkak ndjeshmërisë së veçantë historike, por për arsye të interesave masive ekonomike të Gjermanisë. Komisioni i BE-së deri më tani ka reaguar me taktikën e të mbajturit pezull; thuhet se presidenti Juncker frikësohet nga një konflikt serioz me Varshavën apo Budapestin. Por, efektet e politikës së Viktor Orbanit dhe Jaroslav Kaczynskit as që mund të mbivlerësohen. Një Bashkim Europian, i cili pranon që bazat e tij normative të shkelen nga disa shtete anëtare, e djeg ambicien për të qenë bashkësi vlerash. Ai mund të vazhdojë të ekzistojë si bashkësi e themeluar për interesa pragmatike me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të tregut të përbashkët, të sigurimit të kufijve të jashtëm, të përmirësimit të bashkëpunimit ushtarak si dhe për luftimin e terrorizmit islamik dhe krimit të organizuar. Por, aktualisht BE nuk është bashkësi e demokracisë liberale në kuptimin më të gjerë.

Edhe nga këndvështrimi tjetër ka shenja të erozionit të unitetit europian. Republika Popullore e Kinës është duke i bërë të varura financiarisht dhe ekonomikisht një numër të madh të shteteve të Europës së mesme lindore dhe juglindore; Rusia e Putinit po e shfrytëzon çdo rast për të futur një pykë mes shteteve të Bashkimit Europian. Kur në Këshillin Europian bëhet fjalë për sanksione kundër Rusisë apo për respektimin e të drejtave të njeriut në Kinë, vendimet unanime janë gjithnjë e më vështirë të arritshme ose ato merren vetëm në formë të zbehtë. Sipas Komisionit të BE-së, kjo bashkësi e shteteve (BE) pritet të zgjerohet në dekadën e ardhshme – në Ballkanin perëndimor. Për këtë zgjerim përmenden para së gjithash arsye strategjike: kush dëshiron që të rritet ndikimi rus apo kinez në Europën juglindore? Sado logjik të tingëllojë ky argumentim, me dëshirë do të donim të dinim nëse përkrahësit e zgjerimit të shpejt në Europën juglindore kanë menduar se pranimi i Serbisë tradicionalisht rusofile në BE për Moskën do të mund të ishte një perspektivë jashtëzakonisht joshëse: një aleat më i mirë i Rusisë brenda Bashkimit Europian vështirë mund të merret me mend. A është e mundur që miqtë e zgjerimit sërish po përpiqen të bashkojnë diçka të papërputhshme – që duke e zmadhuar bashkësinë njëkohësisht të zvogëlojnë kapacitetin e veprimit në politikën e jashtme? Argumentet që vlenin qëmoti kundër anëtarësimit në BE të Turqisë pamatshëm nacionaliste vlejnë në rrethanat e tanishme edhe kundër pranimit të Serbisë po ashtu radikale nacionaliste: jo çdo rritje është fitim.

Sa më shumë që Bashkimi Europian shkapërderdhet, aq më urgjent është veprimi i përbashkët dhe i ngushtë i atyre që duan ta ruajnë atë si bashkësi vlerash. Kjo nuk do të thotë se do të ketë një përçarje të re mes Lindjes dhe Perëndimit. Tri republikat baltike, për shembull, janë në të gjitha çështjet aleatë të demokracive ku sundon ligji dhe të cilat shumë më moti i përkasin aleancës së shteteve (BE-së). Një koordinim i ndërsjellë i shteteve anëtare të BE-së dhe liberale në kuptimin e gjerë në çështjet themelore dhe sidomos në ato të politikës së jashtme, me gjasë nuk do të mbeste pa ndikim ndaj shteteve, të cilat aktualisht qeverisen në mënyrë iliberale.

Këto shtete mund të kthehen në terrenin e kontratave europiane vetëm me ndihmën e popujve të tyre. Kush synon mbrojtjen e bërthamës normative të BE-së, duhet të angazhohet që t’i bind këto shtete të japin kontributin e tyre.

Bashkëpunimi më i ngushtë i demokracive ku sundon ligji: çfarë vlen brenda Bashkimit Europian, vlen edhe për Europën jashtë BE-së dhe Perëndimin në përgjithësi. Pa marrë parasysh a do të ndodhë Brexiti apo jo: demokracitë kontinentale europiane i lidhë me Britaninë e Madhe një kulturë e përbashkët politike dhe në masë të madhe anglosaksone; kjo vlen edhe për dominionet e dikurshme britanike si Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re. Sa më i vështirë të bëhet raporti i demokracive europiane me SHBA-të, aq më i rëndësishëm do të jetë bashkëpunimi me demokracitë e tjera perëndimore. Natyrisht asnjë prej tyre nuk mund t’i zëvendësojë Shtetet e Bashkuara, dhe Amerika mbetet – përkundër presidencës jokonsistente të Donald Trumpit – partneri më i rëndësishëm i BE-së jashtë Europës. Amerika mbetet edhe demokracia më e madhe dhe më e fuqishme në mesin e demokracive perëndimore. Duhet të jesh në masë të madhe harrestar i historisë që duke u mllefosur me Trumpin të arrish në përfundimin se Europa dhe Gjermania do të bënin mirë të shkëputen nga SHBA-të dhe të kërkonin aleatë të rinj, ta zëmë në Moskë apo Pekin.

III.
Gjermania nuk është e pafajshme sa i përket krizës së Bashkimit Europian. Veprimi kokë më vete i Gjermanisë (apo: gjermano-austriak, gjë që çështjen nuk e bën më të mirë) në krizën e refugjatëve apo thënë më mirë të migrimit në shtator 2015 nuk ka mbetur pa efekte te fqinjët europianë. Liberalët polakë qëmoti tërheqin vëmendjen se vendimi i Berlinit që migrantët për një kohë të gjatë të lejohen të futen pakontrollueshëm dhe në numër të madh në Gjermani ka çuar ujë në mullinjtë e partisë së Kaczynskit «Ligj dhe drejtësi» (PiS) dhe ka ndikuar në fitoren e kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të tetorit 2015. Në fazën e fundit të fushatës së Brexitit në pranverë 2016 ngjallja e frikës nga migrimi masiv nga Lindja e Afërt dhe e Mesme si dhe nga Afrika luajti një rol të rëndësishëm, mbase vendimtar për suksesin e përkrahësve të Brexitit. Politika gjermane ndaj migrantëve u dha krahë edhe nacional-popullistëve në Francë dhe – me pasoja fatale – edhe në Itali. Vetëlavdërimi i Gjermanisë si komb moralisht udhëheqës i Europës, i cili në mënyrë të çuditshme u kultivua sidomos nga politikanët e qendrës së majtë gjatë kulmit të krizës së migrimit më 2015/16, ndikoi neveritshëm dhe provokoi pyetjen legjitime nëse politika gjermane udhëhiqej nga nevojat e kompensimit, lexo: nga shpresa e heqjes së fajit të pafalshëm nga e kaluara. Po të kishin shikuar me gjakftohtësi gjendjen, të gjithë akterët gjermanë që nga fillimi do ta kishin pasur të qartë se jo vetëm shtetet e reja anëtare të BE-së në Europën e mesme lindore dhe juglindore, por edhe ish-fuqitë kolonialiste të Europës perëndimore nuk ishin fare të gatshme që Gjermania t’ua tregonte rrugën në çështjen e së drejtës për azil dhe migrim. Duket se në javët vendimtare të verës së vitit 2015 kancelarja gjermane nuk është këshilluar nga njerëz të kualifikuar, ndërsa sa i përket arsyetimit afatgjatë, strategjik të politikës gjermane as që mund të flitet. Ndërkohë politika gjermane ndaj migrimit karakterizohet shumë më tepër nga realizimi. Por, protagonistët e kampit qeveritar, opozita parlamentare dhe publicistika ende janë shumë larg nga ballafaqimi vetëkritik i vlerësimeve të gabuara dhe vendimeve të gabuara të vitit 2015. Nga kjo po korr sukses një parti, ringjallja e së cilës ndodhi falë ngjarjeve të vitit 2015: AFD, Alternativa për Gjermaninë (parti nacionaliste gjermane, vër. e përkth.).

Politika e migrimit nuk është e vetmja fushë, në të cilën Gjermania ka arsye t’i nënshtrohet një vlerësimi vetëkritik. Politikanët gjermanë dhe intelektualët tepër gjatë janë përpjekur ta shohin Europën si diçka vetëkuptueshëm «postnacionale». Shtetin e tyre të parë kombëtar Gjermanët e kanë bërë copë e grimë; këtu s’ka çfarë të shtohet. Konkluzioni se shteti kombëtar thjeshtë i takon të kaluarës dhe duhet të zëvendësohet nga një federatë europiane, madje mundësisht sipas modelit të shtetit federal gjerman, hasi në refuzim të gjerë përtej kufijve të Gjermanisë, me përjashtim të Luksemburgut dhe Belgjikës.

Republika e vjetër federale e Gjermanisë nuk ka qenë shtet kombëtar; formula e historianit bashkëkohor Karl Dieterich Bracher mbi «demokracinë postnacionale në mesin e shteteve kombëtare» ishte shumë e popullarizuar. Gjermania e ribashkuar është shtet kombëtar, ndonëse jo e llojit të vjetër. Si shtete e tjera anëtare të Bashkimit Europian edhe Gjermania i takon shteteve kombëtare postklasike, të cilat disa të drejta sovrane i ushtrojnë bashkë dhe të tjerat i kanë deleguar te institucionet supranacionale. Jo ndryshe nga francezët, danezët apo polakët edhe gjermanët e kohës së tanishme e shohin shtetin e tyre si fole të së drejtës dhe sigurisë sociale. Vetëm pak prej tyre do të donin që ky shtet të shkrihet në një supershtet europian (ose në një «republikë europiane», siç dëshirojnë disa).

Një formulë tjetër nga kohërat e shkuara, ajo mbi bashkësinë europiane si një «aleancë gjithnjë e më të ngushtë të popujve europianë», i referohet preambulës së Marrëveshjeve të Romës, dokumentit themelues të Bashkësisë Ekonomike Europiane të vitit 1957. Shtetet si Britania e Madhe, të cilat më vonë janë bërë pjesë e bashkësisë europiane, vështirë janë adaptuar me këtë përshkrim. Edhe njëri nga gjashtë vendet themeluese të bashkësisë europiane ndërkohë ka hequr dorë nga ky qëllim: Holanda. Në qershor 2013 ministri i jashtëm holandez, socialdemokrati Frans Timmermans, sot zëvendëspresident i Komisionit të BE-së, në një letër dërguar deputetëve të parlamentit në Hagë shpalli këtë parullë: «Koha e një bashkësie gjithnjë e më të ngushtë në çdo fushë të mundshme të politikës gjendet pas nesh». Për të ardhmen, sipas tij, duhej të vlente kjo devizë: «Aty ku është e domosdoshme – qasje europiane, kudo ku është e mundshme – qasje nacionale».

Europën do ta përçante kushdo që bashkësinë gjithnjë e më të ngushtë e shndërron në parim të politikës së Bashkimit Europian. Një synim shumë me realist do të ishte një bashkëpunim më i ngushtë. Që nga zgjedhja e Macronit si president francez në maj 2017 parakushtet për një bashkëpunim më të ngushtë mes Gjermanisë dhe Francës janë pakrahasueshëm më të favorshme se me paraardhësit e tij Nicolas Sarkozy dhe François Hollande. Jo gjithçka që Macron propozon për reformën e BE-së në përgjithësi dhe unionit monetar në veçantë është realiste. Do të mjaftonte nëse nismat e Parisit të përvetësoheshin nga Berlini. Rreth Holandës është krijuar një grup i shtatë shteteve të tjera të BE-së, të cilat nuk kanë aq mirëkuptim për veprimet unilaterale gjermano-franceze: këtij grupi i takojnë shtetet me euro si Irlanda, Estonia, Letonia dhe Lituania si dhe vendet me valuta të tyre si Danimarka dhe Suedia.

Por, të gjitha këto janë tok me Francën dhe Gjermaninë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e shtetit ligjor dhe demokracisë; në çështjet buxhetore dhe valutore këto shtete janë aleatë të ngushtë të Gjermanisë.

Një Europe normative të shteteve thelbësore, e cila mbron themelet e vlerave të kritereve të Kopenhagës për anëtarësim, mund t’i bashkohen edhe shtete të tjera. Kjo aleancë e ngushtë është e nevojshme nëse synohet të ndalet erozioni politik i BE-së. Alternativa do të ishte heqja dorë përfundimisht nga Bashkimi Europian si bashkësi e vetëkuptueshme e vlerave.

Heinrich August Winkler, 79-vjeçar, është historiani më me ndikim në Gjermani. Së fundi ai ka botuar librin «A po copëtohet Perëndimi?». Ky ese u botua në revistën gjermane «Der Spiegel».

Nga gjermanishtja: Enver Robelli