Erë dëbore




Erë, o erë dëbore e ndritur

Jetën time të turbullt ma fshi

Kam dëshirë të jem djalë i mitur

Apo lule livadhi nën bli

 

Kam dëshirë nën fyell bariu

Për të gjithë e për vete të vdes

Ah, nga yjet me borën veriu

Më dërgon lulevathi në vesh

 

Është e hijshme kjo këngë e dëborës

Kur trishtimin e fut në tufan.

Doja të isha mështeknë e bregores

Në një këmbë të pres murlan.

 

Do të doja një shkurre të puthja

Prapa kalit tek avullin nxjerr

Hënë, zgjatmi në gjoks ato putra

Dhe trishtimin me kova ma merr.

 

Shqipëroi: Dritëro Agolli