Erdoganizmi po e vret demokracinë turke

Si u shtyp opozita politike në Turqinë e sunduar prej dorës së hekurt të presidentit autoritar, Rexhep Taip Erdoan? Një analizë e «Foreign Affairs» një vit pas përpjekjes së dështuar për grusht shtet.

Turqia është transformuar pamohueshëm prej grushtit të shtetit të dështuar të korrikut të vjetëm. Presidenti Rexhep Taip Erdogan. Foto: Shutterstock



Turqia është transformuar pamohueshëm prej grushtit të shtetit të dështuar të korrikut të vjetëm. Presidenti Rexhep Taip Erdogan, pasi mezi i shpëtoi përpjekjes për vrasjen e tij, në sytë e mbështetësve të tij është shndërruar në profet mysliman turk: është lider i pasfiduar i kombit, i ngarkuar me detyrën e ringjalljes së ymetit mysliman, bashkësisë botërore myslimane.

Kundërshtimi konsiderohet blasfemi. Ata që refuzojnë ta përkrahin janë antiturq dhe antimyslimanë, rrjedhimisht armiq të shtetit. Ky është lajm i tmerrshëm për demokracinë e Turqisë, së cilës i duhet opozita e shëndetshme për të mbijetuar.

Erdoani, lider djathtist, erdhi sefte në pushtet si kryeministër më 2003 nëpërmjet Partisë së Zhvillimit dhe Drejtësisë (AKP). U zgjodh president më 2014. Njëherësh, sidomos gjatë dekadës së fundit, Turqia ka shënuar rritje ekonomike, që ka ndihmuar rritjen e hises së votës së AKP-së. Tinëzisht, ai edhe i ka demonizuar votuesit që nuk pritej ta votonin, përfshirë edhe sekularët, liberalët, socialdemokratët, majtistët dhe kurdët. Kjo strategji ia ndërtoi Erdoanit një bazë të përbërë prej konservatorëve dhe islamikëve politikë.

Pas vitit 2014, Erdoani ia doli me zor ta transformojë sistemin politik turk në presidencë të stilit ekzekutiv ku ai si president mund të konsolidojë pushtetet si drejtues shteti, drejtues qeverie dhe drejtues i partisë në pushtet. Kjo ishte punë e zorshme të jetësohej; Erdoanit i duhej të fitonte referendumin popullor për ndryshimin e kushtetutës para se ai të merrte gjithçka në duar të veta, por AKP-ja asnjëherë nuk kishte fituar më shumë se pesëdhjetë për qind të votave.

Erdoanizmi e ka futur demokracinë turke në rrugën e vetëshkatërrimit, dhe duket se nuk ka shtegdalje.

Pothuajse dy vite më vonë, ambiciet presidenciale të Erdoanit kaluan nëpër një krizë që kërcënoi ta shkatërronte edhe vetë atë: përpjekja për grusht shteti e 15 korrikut. Para saj, Erdoani tashmë ishte në listën e liderëve më të pushtetshëm të Turqisë. Pas shpëtimit nga përpjekja për vrasjen e tij dhe rrjedhimisht pas mposhtjes së armiqve, sidomos atyre të lëvizjes gyleniste – ish-aleatit që duket se kishte rol kyç në puç – ai vetëm sa ka marrë vrull, që pastaj e shfrytëzoi si levë në referendumin e ngutshëm kushtetues për të jetësuar ambiciet e tij politike.

Pas puçit, Erdoani u përballë me opsionet e pajtimit ose të polarizimit të mëtejshëm. Ai vendosi për atë që shkrimtarja Busra Erkara e përshkroi në «New York Times» si «zgjidhje të pagabueshme për të shkatërruar, ribrenduar dhe kapitalizuar ankthin kolektiv në vend të qetësimit të gjakrave». Dhe ja cili ishte ankthi i madh: kryeqyteti i vendit, Ankaraja, që nuk ishte sulmuar qysh prej sulmeve të Timurit më 1402, u bombardua pa pushim prej puçistëve, të cilët sulmuan drejtpërdrejt parlamentin. Dhe përpjekjet e Erdoanit për ta përdorur frikën kanë ngjallur forca të pashembullta në historinë e republikës turke.

Frikë dhe zemërim

Përpjekja për grusht shtet, duke shënjestruar drejtpërdrejt shtetin turk, nxiti frikë dhe zemërim deri në palcë në radhët e qeverisë dhe mbështetësve të saj. Megjithëse puçi u neutralizua brenda pak orësh, fushata e përndjekjes së gylenistëve të dyshuar u transformua në gjueti shtrigash që vazhdon sot e asaj dite dhe është zgjeruar edhe kundër të gjithë kundërshtarëve të Erdoanit: liberalëve, majtistëve, nacionalistëve kurdë, dhe kujtdo qoftë që e sfidon Erdoanin.

Dhe sa për mbështetësit djathistë dhe islamikë të Erdoanit, puçi i dështuar nuk ishte vetëm sulm i brendshëm, por edhe komplot i planifikuar nga «aleatët e huaj» për ta rrëzuar Erdoanin nëpërmjet elementeve gyleniste. Mbështetësit e tij ngulmojnë se ishte thjesht i fundit në serinë e sulmeve historike të lansuara nga Perëndimi kundër kombit turk dhe ymetit, duke u kthyer në kohë deri te kryqëzatat. Sipas kësaj linje mendimi, me sulme të pareshtura kundër Erdoanit dhe shtetit turk, këto interesa të huaja dashakeqe janë të lidhura pashkoqur me të ardhmen e vendit e deri te fati i liderit: pa Erdoanin, Turqia nuk mund të jetë përsëri komb madhështor ose ta përmbushë misionin e saj historik të restaurimit të dinjitetit të ymetit.

Rrjedhimisht, në sytë e mbështetësve të tij, kundërpërgjigja e Erdoanit ndaj puçit – duke u bërë më autoritar dhe çuar prapa grilave gazetarët disidentë – është krejtësisht e justifikueshme. Turqia nuk mund të jetë shtet i madh pa të, dhe zemërimet e myslimanëve nuk mund të adresohen në mungesë të tij; ata që nuk e mbështesin atë, nuk mund të jenë as turq të mirë e as myslimanë të mirë. Rrjedhimisht i merituar është edhe represioni ndaj tyre. Islami politik, autoritarizmi dhe nacionalizmi turk tani janë pjesë integrale e erdoanizmit.

Megjithëse AKP-ja e Erdoanit gjithnjë ka joshur islamikët politikë, puçi i 15 korrikut 2016, i ka katapultuar ata në zemër të konstelacionit të aleatëve të Erdoanit. Dhe derisa puçi po kryhej, Erdoani tregoi zellin fetar në vend për të mobilizuar mbështetësit e tij të lansonin antipuçin. Me urdhra të tij, thirrjet besimtarëve iu bënë prej më shumë se tetëdhjetë mijë xhamive të Turqisë në 1 e 15 të mëngjesit – normalisht që nuk ishte kohë për lutje. Strategjia funksionoi, thirrja e besimtarëve mblodhi mbështetësit për aksion, dhe turqit fetarë dolën rrugëve për të derdhur gjakun e tyre për Erdoanin dhe neutralizuan puçin.

Pothuajse 250 civilë vdiqën atë natë, kryesisht të vrarë prej puçistëve. Mbështetësit e Erdoanit, që dolën rrugëve atë natë, vazhduan të marshonin në mbarë vendin për ditë me radhë pas puçit. Ata nuk janë mbështetësit e zakonshëm konservatorë të AKP-së. Shumë prej tyre janë islamikë, madje disa edhe xhihadistë.

Erdoani e di fort mirë se islamikët ia shpëtuan jetën. E ka vlerësuar mirë profilin e tyre në vend dhe në qeverinë e tij. Ta zëmë, pas puçit, presidenti e zgjodhi kryekëshilltar Adnan Tanriverdin, ish-gjeneral të pensionuar forcërisht nga ushtria turke në vitet nëntëdhjetë për shkak të pikëpamjeve islamike. Misioni i Tanriverdit është haptazi ristrukturimi i ushtrisë shekullare turke.

Njëherësh, qeveria ka arrestuar shumë prej gazetarëve më liberalë të Turqisë, si puna e kolumnistit të njohur, Kadri Gursel, me akuza kafkiane se janë të lidhur me lëvizjen konservatore gyleniste. Së fundi, Erdoani ka denoncuar si jolegjitim marshin protestues nga Ankaraja në Stamboll, organizuar për të kundërshtuar fushatën shtypëse të Erdoanit kundër mediave dhe të prirë prej partisë kryesore opozitare (CHP). Madje është kërcënuar me burgosje të Kemal Kilicdaroglut, liderit të CHP-së, dhe tashmë ka arrestuar Selahattin Demirtasin, drejtuesin e Partisë Popullore Demokratike (HDP) nacionaliste kurde, fraksioni i tretë më i madh në parlamentin turk pas AKP-së dhe CHP-së. Dhe duket sheshit se Erdogani nuk do të ndalet.

Erdoanizmi i mëshon teorisë paskolonialiste me anti-Perëndimin e tij. Sipas erdoanistëve, pas Luftës së Parë Botërore, hordhia e themeluesve sekularë republikanë e Ataturkut bëri ujdi me aleatët për t’ia nënshtruar Turqinë interesave perëndimore. Tradita e nënshtrimit të vullnetit të popullit Perëndimit vazhdoi nën shumë parti sekulare që qeverisën Turqinë derisa pushtetin nuk e mori pas pothuajse një shekulli AKP-ja.

Përpjekja për grusht shtet e 15 korrikut kërcënoi edhe njëherë vullnetin e popullit, vazhdon ky tregim, ama kësaj here, populli ia ktheu me luftë. Agjencia shtetërore e lajmeve «Anadolu» raportonte: «Në Turqinë e shekullit 21, ku përpjekjet për grusht shtet kundër qeverive të zgjedhura me vullnet të lirë të popullit turk, janë mbeturina të së kaluarës, ngushëllimi më i madh ishte se përpjekje për grusht shteti të armatosur e 15 korrikut u shtyp para se t’ia dilte mbanë». 15 korriku ishte dëshmi se vullnetit të popullit i duhej një rilindje, ose «Dirilis».

Gjuha revolucionare e «Dirilisit» ia mundësoi Erdoanit të ripërtërinte luftën e tij për presidencë ekzekutive me energji të freskët. Në muajt pasues, organizatat joqeveritare pro-erdoan organizuan shumë panele dhe konferenca për puçin e dështuar anembanë vendit me tituj, si «15 korriku: Prej Rezistencës në Rilindje». Kur AKP-ja organizoi referendumin kushtetues më 16 prill për të fuqizuar pushtetin e Erdoanit, në fushatën e vet kishte kapitalizuar këtë gjuhë, duke shpallur bujshëm: «Rilindja e 15 korrikut, Ringjallja e 16 prillit».

Dhe me erdoanizmin që ka delegjitimuar krejt opozitën, 40 milionë prej 80 milionë qytetarëve të Turqisë kanë mbetur jashtë.