Erdoani vjen në Serbi me 200 investitorë

Presidenti turk viziton Serbinë për të thelluar marrëdhëniet ekonomike. Erdoani do të vizitojë edhe Novi Pazarin.

Dashamirës të modës të njëjtë: Rexhep Taip Erdoan dhe Aleksandar Vuçiq.



Për herë të parë Rexhep Taip Erdoani e vizitoi Serbinë në vitin 2010. Atëbotë ai ishte kryeministër i Turqisë. Të hënën kryetari turk do të nisë një vizitë dyditore në Serbi me qëllim të thellimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Ekspertët serbë të ekonomisë flasin për një ortek të investimeve turke, të cilat tashmë kanë filluar në Serbi. Ambasadori turk në Beograd ka deklaruar se Ankaraja i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit bilateral me Serbinë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ai turk Erdoan janë takuar dy herë muajve të fundit: në konferencën e energjetikës në Stamboll gatë verës dhe në shtator gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York. Atëherë Vuçiq kishte deklaruar se vizita e Erdoanit në Serbi do të jetë konfirmim i «miqësisë së sinqertë» mes dy popujve. Sipas gazetës «Danas» në kuadër të vizitës së Erdoanit do të mbahet edhe forumi i biznesit turko-serb. Pritet që bashkë me kryetarin turk në Serbi të vijnë deri në 200 investitorë potencialë nga Turqia. Në vitin 2016 shkëmbimi tregtar mes dy vendeve ka arritur gati 800 milionë dollarë. Erdoan ka paralajmëruar se qëllimi i të dy vendeve është që shkëmbimi tregtar të arrijë në një miliard dollarë.

Në vitin 2009 Serbia dhe Turqia kanë nënshkruar një marrëveshje për tregti të lirë. Që nga atëherë shkëmbimi tregtar është rritur për 3,5 herë. Vazhdimisht po rriten eksportet serbe në Turqi. Në vitin 2015 Serbia ka eksportuar mallra në vlerë prej 220 milionë euro në Turqi, ndërsa pala turke 530 milionë euro.

Investitorët turq kanë hapur fabrika tekstili në Leskoc dhe Nish. Është paralajmëruar se do të hapen fabrika edhe në Lazarevac dhe Lebanë. «Turqia është e interesuar për investime në turizëm dhe në infrastrukturën rrugore. Përmenden aeroporti në Kralevë, autostrada Beograd-Sarajevë dhe rrugët Tutin-Novi Pazar-Sijenicë», shkruan «Danas». Planifikohet edhe një marrëveshje e re tregtare mes dy vendeve dhe në kuadër të saj edhe eksportimi i 5 tonelatave mish viçi nga Serbia në Turqi. Gjatë qëndrimit në Serbi Erdoan do të vizitojë edhe Novi Pazarin, ku jeton një popullsi shumicë myslimane.

Mes dy vendeve nuk ekziston pajtueshmëri sa i përket çështjes së Kosovës. Turqia ka qenë ndër vendet e para që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës dhe ka është angazhuar në sigurimin e disa njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Opinioni nacionalist serb u zemërua në vitin 2013, kur Erdoani vizitoi Prizrenin dhe tha: «Vëllezër të dashur dhe miq, kemi histori të përbashkët dhe civilizim. Mos harroni, Turqia është Kosovë dhe Kosova Turqi. Jemi aq të afërt, saqë autori i himnit turk Mehmet Akif Ersoj është me origjinë nga Kosova, nga Peja». Në qarqet nacionaliste serbe Prizreni konsiderohet si «Carigradi serb», kryeqytet mesjetar i sundimtarëve serbë.

Tensionet mes Serbisë dhe Turqisë u zbutën pas vizitës së ministrit të Jashtëm Ahmet Dautollu më 2014 në Beograd. Me atë rast ai tha: «Nëse kryetari i Serbisë Tomislav Nikoliq do të vinte në Stamboll dhe do të thoshte <ky është qyteti im>, ne do t’i duartrokisnim. Nuk do të na shkonte ndërmend se po shfaq ambicie ekspansioniste ndaj Turqisë». (dp)