Erdoani kundër vlerave perëndimore

Është fakt i pamohueshëm se prioritet i Erdoganit nuk janë vlerat perëndimore; prioritetet e tij janë luftërat kundër gylenistëve dhe kryengritësve kurdë, e nuk është lufta kundër ISIS-it, shkruan David Gardner në Financial Times.

Prej se është zgjedhur president më 2014, zoti Erdoan ka ashpërsuar identitetin turk, islamik dhe sunit të AKP-së.

Turqia është në traumë pas përpjekjes së dështuar për puç dhjetë ditë më parë prej një fraksioni të ushtrisë. Por në kohën kur presidenti Rexhep Taip Erdoan dhe partia e tij neoislamike në pushtet kanë nisur fushatën për spastrimin e rivalëve të lëvizjes islamike që i akuzon për puçin, aleatët e Turqisë në Europë dhe aleancën atlantike, kanë arsye të mirë për t’u shqetësuar për çka i pret – edhe në rast se Perëndimi mund ta humbë vendin kryesor ndërmjet Azisë dhe Europës.

Perceptimi kishte lëshuar rrënjë shumë kohë para kësaj, sepse Turqia, shtyllë qenësore lindore e NATO-s dhe kandidate për anëtare të BE-së në një rajon të trazuar, kishte kohë që kishte braktisur shpirtin e skuadrës. Zoti Erdoan ka hequr dorë prej të gjitha konsideratave të mëparshme të politikës së brendshme e të jashtme për shkak të fiksimit për presidencë sipas modelit Vladimir Putin. Marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe aleatëve perëndimorë janë bërë ndërvepruese. Ai madje e ka vënë në dyshim nëse vendi do ta kishte më mirë brenda aleancave të tjera, si ajo e Unionit Ekonomik Euroaziatik, të krijuar e fuqizuar fort prej presidentit rus, ose brenda Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, se sa të qëndrojë në NATO ose në një BE që nuk ka plane konkrete për ta pranuar Turqinë.

Duke e anashkaluar idenë e Turqisë myslimane si anëtare të plotë, shtetet e BE-së të prira prej Francës dhe Gjermanisë kanë ndihmuar zotin Erdoan që t’ia kthejë shpinën Europës. Por Turqia përnjëmend kishte nisur të rrëshqiste prej parimeve perëndimore më 2013, kur një kryengritje qytetare dhe europiane kundër kryeministrit të atëhershëm gjithnjë më sundimtar ishte shtypur me dhunë. Zoti Erdoan pastaj u kap në dhjetor në konflikt të ashpër me Fethullah Gülenin, predikuesin islamik me qëndrim në SHBA dhe ish-aleatin e tij, rrjetet tinëzare të të cilit brenda institucioneve të shtetit kishin nisur ta hetonin për korrupsion rrethin e ngushtë të Erdoanit. Aq e madhe ishte lufta për pushtet brendaislamike në institucione, si drejtësia, saqë e shkatërroi edhe kohezionin e ushtrisë – me arrestimin e një prej tre gjeneralëve të saj, të denoncuar si gylenistë që qëndruan prapa puçit.

Ushtria e Turqisë, shtyllë e republikës laike të themeluar prej Mustafa Kemal Ataturkut nga rrënojat e Perandorisë Osmane, është e dyta në NATO. Aleatët perëndimorë të Turqisë e shohin me dyshim kur një prej komandantëve të saj thuhet se ka qenë nën ndikim të kultit islamik në hije. Zoti Erdoan dhe rrethi i tij nga ana e tyre, drejtojnë gishtin nga Shtetet e Bashkuara, ku jeton zoti Gülen.

Disa ministra dhe portale proqeveritare akuzojnë SHBA-në se qëndron prapa puçit. Ata po i referohen një doracaku të Erdoanit: në fund të vitit 2014, për shembull, presidenti kishte deklaruar në një konferencë islamike se perëndimorët «mund të duken si miq, por na duan të vdekur». Ai kishte deklaruar se qëllimi i tyre është vetëm sigurimi i fuqisë dhe pushtetit nëpërmjet pragmatizmit.

Pragmatizmi u dëshmua para puçit kur Turqia nisi të hiqte rrethojat gjembore diplomatike me Izraelin dhe Rusinë, madje i ktheu antenat edhe kah Siria, ku kishte mbështetur kryengritësit islamikë kundër regjimit të Bashar al-Assadit për pesë vjet me radhë. Kjo ishte mbi të gjitha pranim se ishte rrënuar politika rajonale neoosmane dhe ekspansive në kurriz të Sirisë. Në atë që konsiderohet se është gjest më shumë për Putinin, Erdoani arrestoi pilotët që rrëzuan një bombardues rus nëntorin e kaluar afër kufirit me Sirinë, me pretendimin se ishte provokim gylenist për të prishur dy burrështetasit e fuqishëm. Pas përpjekjes së dështuar për puç, Turqia rrezikohet të largohet prej Perëndimit.

Përmasat dhe serioziteti i fushatës spastruese – deri tash janë larguar më shumë se gjashtëdhjetë mijë persona nga puna – akademikë, mësimdhënës, gazetarë dhe gjykatës përveç të dyshuar në radhët e ushtrisë – do të thellojnë edhe më shumë hendekun e krijuar në raport me BE-në kur vjen puna te sundimi i rendit dhe respektimi i të drejtave të njeriut. BE-ja i kishte ofruar karremin e liberalizimit të vizave me qëllim që Turqia të ndalte valën e refugjatëve sirianë që po ia mësynin Europës.

Raportet me NATO-n, ku forcat amerikane përdorin bazën jugore Incirlik për aksione kundër ISIS-it matanë kufirit me Sirinë dhe Irakun, duken edhe më të ndërlikuara. SHBA-ja në këmbim ishte supozuar të frenonte forcën e saj të madhe tokësore: luftëtarët kurdë të Sirisë, që Ankaraja i konsideron kërcënim më të madh se ISIS-i për shkak të aleancës me kryengritësit kurdë të Turqisë. Dhe tani duket sikur Turqia po e lidh qasjen me Icirlikun – të mbyllur gjatë kohës së puçit – me kërkesën e saj për ekstradimin e Gülenit për gjykim.

Aleatët i druajnë kostos së destabilizimit të Turqisë.

Koalicioni anti-ISIS dhe kryengritësit sirianë vuajnë derisa Ankaraja merr turr pas përpjekjes për grusht shtet. Është fakt i pamohueshëm se prioritet i Erdoganit nuk janë vlerat perëndimore; prioritetet e tij janë luftërat kundër gylenistëve dhe kryengritësve kurdë, e nuk është lufta kundër ISIS-it.

ISIS-ka celula brenda Turqisë për shkak të politikave të hapura të Ankarasë ndaj xhihadistëve që po kalonin në Siri. ISIS-i sulmoi vjet caqet kurde brenda Turqisë, por sivjet – derisa ndjente zjarrin amerikan nga Incirliku – po godet caqe, si aeroporti i Stambollit. Por zoti Erdoan dhe Partia e tij e Zhvillimit dhe Drejtësisë (AKP) e shohin ISIS-in si kërcënim të thjeshtë sigurie, derisa «shtetin paralel» gylenist dhe kryengritësit kurdë si kërcënime ekzistenciale.

Prej se është zgjedhur president më 2014, zoti Erdoan ka ashpërsuar identitetin turk, islamik dhe sunit të AKP-së, duke polarizuar kundër kurdëve etnikë dhe alevitëve kuazi-shiitë, të grupuar në partitë të ndara opozitare, si dhe kundër laikëve të shpërndarë në mesin e tyre. Ksenofobia po e dominon politikën e tij. Megjithatë, opozita parlamentare i qëndroi në krah kundër përpjekjes së ushtrisë për puç. Presidenti ka mundur të arrinte me opozitën konsensus demokratik, ose me islamikët dhe nacionalistët që dolën në rrugë që të vazhdojë heqjen e kundërshtarëve qafe, brenda dhe jashtë vendit, duke u zhytur në konspiracionin e pakuptimtë.