Enigmë dhe poezi të tjera

Heiner Müller.



Enigmë

Babai im i ka dy këmbë
Njërën e ka prej druri.
Nga lufta. Qëllojani tani:
Për cilën është krenar?

***

Horr është ai që të dashurën braktis
Vetëm për shkak se ajo ka morra. E kam bërë këtë? E kam bërë.
Disa fije floku unë, i urituri, i kam gjetur në supë.
«Hajde në kuzhinë, ngrënës!» E bëra këtë? Jo.

***

Sytë e tu janë si uji
Që vjen nga malet: i kthjellët.
Por këtu shihet edhe diçka
pikëlluese: hija
e lisave të panevojshëm.
Vetëm sëpatat
bëjnë punë këtu.

***

Gjermani, 1945
Pamje rruge

Mbi qerre një arkivol.
Mbi vig një fëmijë.

***

Nëna Gjermani mes Rajnës dhe Elbës
Përsëri i mori në gji ujqit e saj
Dhe prapë u bë lavire firmash
Dhe turpin e saj e pranoi nën dritën e neonit.

***

Me rastin e vrasjes së Martin Luther Kingut

E vranë predikuesin kundër dhunës.
Zëri i pacifistëve u ngufat me gjakun e tij.
Kundër dhunës ndihmon dhuna, thotë heshtja e tij.
Ai ishte kambana që bënte thirrje për paqe në mbrëmjen para betejës.
Ai do të jetë shpata në luftërat që do vijnë
Në duart e mbledhësve të bërllokut në Memphis, Washington, Detroit, Chikago, New York
Dhe bujqve të Vietnamit.

Përktheu: Enver ROBELLI

Heiner Müller u lind në vitin 1929 në Eppendorf (landi i Saksonisë, Gjermani). Vdiq në vitin 1995. Ka shkruar kryesisht drama, por shpesh edhe poezi.