Engel: Kosova miku më i mirë i Amerikës

Eliot Engel, Bashkëkryesuesi i Komitetit për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan, ka thënë se Kosova është miku më i mirë i ShBA-së.




Nëpërmjet rrjetit social Twitter ai ka shprehur gëzimin e tij për takimin me presidenten e vendit, Atifete Jahjaga.

«Amerika nuk ka mik më të mirë se Kosova dhe jam krenar që po e pres mikeshën time të mirë, presidenten e Kosovës në Capitol Hill», ka shkruar ai.

Presidentja Atifete Jahjaga, gjatë ditës e ka vizituar Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington, ku ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Ajo i takoi në Capitol Hill anëtarët e lartë të Komitetit për Çështje të Jashtme të Kongresit amerikan, të kryesuar nga Kongresisti Ed Royce dhe anëtari i lartë i Komitetit, kongresisti Eliot Engel.

Jahjaga i falënderoi kongresistët amerikanë për përkrahjen e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën.

«Kosova është e lirë dhe e pavarur për shkak të ndihmës dhe përkrahjes së Kongresit amerikan», ka thënë presidentja Jahjaga, thuhet në njoftimin për media.

Kongresistët e falënderuan Presidenten Jahjaga për vizitën dhe thanë se Kosova tashmë është një rrëfim i suksesit.