Ëndrrat e Maqedonisë ende të parealizuara 25 vjet pas pavarësisë së saj

Asnjë nga dy synime kryesore strategjike të Maqedonisë – integrimi europian dhe anëtarësimi në NATO – nuk është realizuar ende edhe 25 vjet pasi ajo mori pavarësinë, ndërkohë që marrëdhëniet etnike me pakicën shqiptare mbeten të trazuara.

Pamje nga pjesa e vjetër e qytetit të Shkupit. Foto: Shutterstock

Njëzet e pesë vjet pasi u bë e pavarur nga Jugosllavia më 8 shtator 1991, Maqedonia ka ende probleme të jashtme me Greqinë fqinje dhe probleme të brendshme me demokracinë të cilat po bllokojnë qëllimet e saj përfundimtare për t’u integruar në Euro-Atlantik.

«Këto synime u vendosën nga të gjitha partitë politike pasi vendi fitoi pavarësinë e tij në vitin 1991, por nuk u arritën», tha për BIRN Mirjana Malevska, profesoreshë në Universitetin e Evropës Juglindore.

«Procesi i demokratizimit në vend është i lidhur ngushtë me proceset integruese dhe është kushti kryesor për të hyrë në familjen Euro-Atlantike», tha ajo.

Maqedonia mori statusin e vendit kandidat në BE në vitin 2005. Në atë kohë, vendi ishte një lider rajonal mes shteteve ish-jugosllave në garën për t’iu bashkuar klubit europian. Në vitin 2009 asaj iu rekomandua të fillonte negociatat e pranimit.

Por tani rekomandimi është në rrezik. Për shkak të dështimeve institucionale në reforma dhe krizën e vazhdueshme politike që ka përfshirë vendin, Komisioni Europian tha në vjeshtë të vitit të kaluar se do të nxirrte një tjetër rekomandim pas zgjedhjeve të ardhshme në Maqedoni, por vetëm nëse zgjedhjet gjykohen si të lira dhe të ndershme dhe nëse vendi zbaton reformat e nevojshme.

Por debati i pazgjidhur për «emrin» me Greqinë është një tjetër pengesë për integrimin Euro-Atlantik të vendit. Dera e NATO-s gjithashtu nuk do të hapet për Shkupin deri kur dy vendet fqinje të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për problemin – dhe Greqia vazhdon ende ta kundërshtojë fuqishëm faktin që Maqedonia e quan veten Maqedoni.

Malveska thotë se ka pasur disa përpjekje demokratizimi, por kriza e vazhdueshme politike ka pasur një ndikim negativ.

«Kriza nisi pas përgjimeve masive të paligjshme nga shërbimet e qeverisë. Kjo është shkelje masive të të drejtave dhe lirive të njeriut. Nëse hetimet aktuale nga ana e prokurorisë speciale për krimet e treguara në përgjime vërtetojnë akuzat për korrupsion, që do të ishte një goditje për procesin demokratik në vend», tha ajo.

Kriza u përshkallëzua në shkurt 2015, kur Social Demokratët e opozitës filluan të publikonin kaseta përgjimesh, të cilët ajo tha se tregonte se qeveria e udhëhequr nga VMRO DPMNE ishte ajo që fshihej pas përgjimit të paligjshëm të rreth 20’000 njerëzve, përfshirë edhe ministra. Opozita tha se përgjimet vërtetonin se shumë anëtarë të qeverisë ishin të përfshirë në krime të ndryshme.

Nikola Gruevski, i cili ishte kryeministër nga viti 2006 deri sa ai dha dorëheqjen në fillim të këtij viti në bazë të një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE që ka për qëllim dhënien fund të krizës, tha se përgjimet ishin «fabrikuar» nga shërbime të huaja të inteligjencës dhe i ishin dhënë opozitës që ajo të destabilizonte vendin.

Profesori dhe analisti politik Sefer Tahiri shprehu shqetësimin se 25 vjet pas pavarësisë, Maqedonia jo vetëm s’ka qenë e aftë të konsolidojë demokracinë e saj, por ka zhvilluar edhe probleme të reja.

«Në sferën politike dhe institucionale, si edhe në ushtrimin e pushtetit, ne po shohim shenja diktatorshipi totalitar, sepse në shumë sfera ne po dëshmojmë pati-zimin e jetës publike dhe klan-izimin politik», tha Tahiri për BIRN.

Ai tha se në vend që të ishte një shoqëri e lirë dhe e hapur, zërat kritik po heshtën, shteti nuk është ndarë nga partia qeverisëse dhe burimet shtetërore përdoren për qëllime ideologjike.

Analistët besojnë se marrëdhëniet inter-etnike në vend mbeten të brishta dhe se elitat politike duhet të përpiqen më shumë të përmirësojnë të drejtat e shqiptarëve, të cilët përbëjnë çerekun e popullsisë prej 2.1 milion banorësh në vend, dhe të pakicave të tjera etnike.

Malevska tha se në Marrëveshja e Ohrit në vitin 2001, marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar ndërkombëtarisht që i dha fund konfliktit të shkurtër të armatosur në vend atë vit dhe i dha disa të drejta më shumë shqiptarëve, arriti progres në përmirësimin e situatës për pakicat entike dhe integrimin e tyre në shoqëri, por jo mjaftueshëm.

«Janë arritur disa gjëra. Ka disa universitete që japin mësim në gjuhën shqipe, përfaqësim proporcional i komuniteteve më të vogla në administratën publike, ushtri dhe polici. Po, ka pasur progres», tha ajo.

«Por ne nuk mund të prisnim që mrekullitë të ndodhnin brenda natës. Ka shumë punë për t’u bërë», shtoi ajo.

Megjithatë, ajo tha se është problem kur një parti nacionaliste si VMRO DPMNE fiton vazhdimisht zgjedhjet, edhe pse koalicioni qeverisës përmban gjithashtu një parti të pakicës që përfaqëson shqiptarët.

«Ishim për të ardhur keq që në Maqedoni zgjedhjet janë fituar nga një parti etnocentrike, që e bën të vështirë për shoqërinë të funksionojë në harmoni dhe të vështirë për një integrim më të mirë», tha ajo.

Tahiri ndërkohë argumentoi se statusi zyrtar i shqiptarëve brenda shoqërisë ende i përkufizon ata si qytetarë më të vegjël sesa maqedonasit etnikë.

«Në vend që të kenë status të barabartë, shqiptarët në kushtetutë ende përkufizohen si <pjesë e kombit shqiptar>, një term i shpikur që ngjan me termat e përdorur gjatë komunizmit ose në kushtetutën e vitit 1991», tha ai.

Tahiri shtoi se shqiptarët madje nuk përmenden specifikisht në legjislacionin maqedonas. Në vend të kësaj, shkruhet se disa të drejta i sigurohen grupeve etnike që përbëjnë «të paktën 20 për qind të popullsisë».

«Kjo tregon degradimin legjislativo-juridik të statusit të shqiptarëve, gjë e cila është rezultat e mungesës së pushtetit të partisë politike shqiptare në qeveri; jo vetëm tani, por gjithashtu ato që ishin në koalicionin qeverisës në të kaluarën», tha ai.

Megjithatë, analistët sugjerojnë se sistemi politik mund të përmirësohet dhe dështimet institucionale mund të ndreqen nëse vendi arrin të organizojë zgjedhje të drejta dhe demokratike në dhjetor.

Por Melvska tha se kjo mund të ndodhë vetëm nëse ata që kanë kryer vepra penale të nxirren para drejtësisë dhe politikanët e diskredituar nuk marrin pjesë në zgjedhje.

«Nëse këta njerëz marrin pjesë në zgjedhje, kjo do të ishte e padrejtë, dhe në atë situatë, është e vështirë të flasësh për zgjedhje të drejta dhe demokratike», u shpreh ajo.

Semra Musai është gazetare dhe prezantuese lajmesh në televizionin Alsat-M.

[Botuar fillimisht nga: http://www.reporter.al/endrrat-e-maqedonise-ende-te-parealizuara-25-vjet-pas-pavaresise-se-saj/]