Ëndrra

Foto: Shutterstock



Është një vend i vetmuar
Lagunë me heshtje dhe Hënë
Pa asnjë klithmë
Veç rrëzimit të erës
Sikur i bije të fikët.
Ç’kalim i ndërgjegjshëm
Mes ëndrrës dhe tokës.
U qetësua era
Në ujërat plot alga,
Ku zhysnim duart tona.
I linin duart të lëkundeshin
Në ujërat e pazakonta,
Sytë na ndritnin
Prej spërdredhjes së Hënës
Në skenarin e pyllit.
Kështu humbisnim shpirtin
E të qenit vetvetja
E ishim të lirë si nimfat,
Duke mos patur asgjë
Të trashëgonim prej qenies.
Po nimfat dhe djallushët
Vishnin me purpur
Lëvizjet e tyre të ndritshme
Dhe kështu ne nën Hënë
Arrijmë të pushtojmë
Unin e pakapshëm,
Që s’fitohet plotësisht asnjëherë!

Përktheu: Moikom ZEQO