«Emri i Autonomisë» – rrëfim intelektual i Surroit për aktualitetin politik

Në këtë libër autori ka dhënë mendimet dhe zgjidhjet e tij politike për situatën e krijuar në Kosovë pas nënshkrimit të marrëveshjeve të fundit.




Surroi librin e nis me dedikimin për Fehmi Aganin duke kujtuar se vendit i mungon një politikan i tillë duke zbuluar ndër të tjera mos seriozitetin e negociatorëve kosovarë që gjatë negociatave kur ai ishte prezent më tepër kanë biseduar për ushqimin sesa hallet e Kosovës.

«Jemi sot në një gjendje ku në vend të leximit kemi konfrontim të njerëzve që u rritën me të njëjtin ideal dhe tani konfrontimi shkon aq larg sa që po eskalon çdo ditë situata. Edhe në këto ditë po përsëritet kërkesa e njëjtë siç gjendeshim në vitet 89-90 edhe pse jetojmë në sisteme të ndryshme dhe kjo është brengosës sepse nënkupton se gjërat nuk kanë ndryshuar.

Nëse vazhdimisht duhet bërë kompromise dhe duke u thirrur në atë se ne nuk humbim asgjë atëherë pyetja është se çka ne fitojmë. Kjo lë për të kuptuar se ne gjithmonë qenkemi në mbrojtje. Atë që kam kuptuar unë nga analizat është momenti që ne po e përjetojmë sikur në vitet e 90-ta është pra kriza e legjitimitetit. Kosova nuk mund të ketë legjitimitet nëse të gjithë akterët nuk pajtohen. Ai nuk është humbur vetëm sot Kosova ka vite të tëra që po e humbet legjitimiteti» ka thënë Surroi.

Ndërkaq redaktori i librit Agron Bajrami ka thënë se «Emri i Autonomisë» shpjegon qartë në mënyrë të argumentuar se si politika është ajo që bën krizën derisa te i njëjti mund të gjendet edhe zgjidhja.

Publicisti Veton Surroi e nis librin me dedikim për Fehmi Aganin, si njëri prej njerëzve që ka formësuar mendimin politik në vitet ’90, si person që në të gjitha proceset negociatore, me një parimësi, ka mbrojtur interesat e vendit.

«Soma Book Station», në Prishtinë ka qenë nikoqir i promovimit të librit që është një përmbledhje e eseve që përshkruajnë se si, duke filluar nga një darkë e gjatë në një restorant të Vjenës e deri te Marrëveshjet që quhen «historike», Kosova ka mbërritur te legalizimi i Autonomisë territoriale të serbëve.

Libri me titullin «Emri i autonomisë», vjen pas librave si «Miliarderi» dhe «Këmbët e Gjarprit», dhe shpjegon përse duhet ndalur rrëshqitjen e mëtejme të Kosovës.

Është një rrëfim intelektual për ditët përcaktuese të cilat i përjeton vendi.

Veton Surroi është publicist dhe politikan i njohur shqiptar dhe themelues e udhëheqës i Partisë Reformiste ORA. Surroi në vitin 1997 themeloi gazetën e përditshme më të lexuar në Kosovë, «Koha Ditore», dhe për disa vite punoi si kryeredaktor në këtë të përditshme.

Detajet nga promovimi i këtij libri mund t’i gjeni në numrin e nesërm i Kohës Ditore.