Emrat e deputetëve që votuan ligjin e mbetjeve ‹zbukurojnë› kazanët e Tiranës

Pasi parlamenti miratoi të enjten në mbrëmje ligjin që do të lejojë importimin e mbetjeve në Shqipëri, kryeqyteti u zgjua me emrat e deputetëve që e votuan atë të shkruara në kazanët e plehrave, ndërsa policia shoqëroi dy aktivistë të Organizatës Politike.

Koshat e plehrave në Tiranë ku janë mbishkruar emrat e politikanëve që votuan pro importit të plehrave në Shqiperi. Foto: OP

Në orën 21:28 minuta të së enjtes, 63 deputetë të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ngritën në parlamentin shqiptar kartonin e gjelbër të votimit duke marrë pjesë kështu në miratimin e projektligjit «Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.463 datë 22. 9. 2011 ‹për menaxhimin e integruar të mbetjeve› i ndryshuar»; ligj i cili i hap rrugën importimit të mbetjeve në Shqipëri.

27 deputetë të tjerë (3 socialistë, 2 të pavarur dhe pjesa tjetër të PD dhe PR) votuan kundër miratimit të projektligjit ndërsa 4 të tjerë abstenuan. Të pranishëm në sallë, 45 deputetë të tjerë, (24 prej të cilëve nga opozita) refuzuan të merrnin pjesë në votimin e projektligjit.

Jashtë parlamentit, dhjetëra qytetarë dhe aktivistë mjedisorëvazhdonin protestën që prej orës 10:00 në mëngjesit duke kundërshtuar fuqishëm kalimin në parlament të ligjit të importit të mbetjeve.

Të revoltuar nga injorimi i zërit qytetar, që gjatë gjithë ditës i kishte kërkuar deputetëve të mos e votonin ligjin, të cilin ata e cilësuan si «mafioz» dhe «shkatërrimtar për shëndetin dhe turizmin e vendit», një grup i vogël protestuesish vendosën të vepronin.

«Vendosëm të shkruanim me spraj në kazanët e plehrave në disa pika të Tiranës emrat e 63 deputetëve që votuan ‹pro› ligjit dhe të të tjerëve që ishin të përfshirë më herët, si për shembull ish-kryeministri Sali Berisha” tha për BIRN Bislim Lakna, aktivist i Organizatës Politike.

«Pas protestave që zgjatën gjithë ditën dhe duke parë situatën serioze, vendosëm të shprehnim zemërimin tonë në mënyrë të dukshme edhe për njerëzit e tjerë, të cilët për shkak të rrethanave të përditshme nuk mundën t’i bashkoheshin protestës sonë», shtoi ai.

Ndërsa shkruanin mbi një kazan plehrash në rrugën «Myslym Shyri» emrin e kryeministrit Edi Rama, aktivistët Bislim Lakna dhe Klodian Leka u diktuan nga një roje dhe shumë shpejt u rrethuan nga furgonët dhe motorët e policisë dhe u shoqëruan në komisariatin nr. 2.

«Situata ështëabsurde. Na thonë se jetojmë në një demokraci ku secili ka lirinë e fjalës, por për 10 orë përpara parlamentit, zëri i protestuesve nuk u dëgjua. Politika i ka mbyllur të gjitha kanalet e komunikimit me qytetarët dhe ne gjetëm shkrimin nëpër kazanë si të vetmen mënyrë shprehjeje», tha për BIRN aktivisti i shoqëruar nga policia, Klodian Leka.

Tre deputetë të PS dhe LSI, Shalsi, Bushati dhe Derveni propozuan në korrik 2016 rikthimin e importit të mbetjeve me arsyetimin se «nxit industrinë e riciklimit në vend dhe krijon mijëra vende të reja pune»; tre vite pasi qeveria e drejtuar nga Partia Socialiste fitoi zgjedhjet me premtimin për të mos lejuar importimin e mbetjeve në vend.

Nga viti 2011 deri në vitin 2013, Shqipëria u përfshi nga një debat i gjerë kundër ligjit të importit të mbetjeve të riciklueshme, të cilën qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha vendosi ta çojë për miratim në parlament, por që u tërhoq disa muaj përpara referendumit popullor që mblodhi 65’000 firma.

Në mëngjesin e 23 shtatorit, kryeqyteti u zgjua me kazanë plehrash ku janë mbishkruar emrat e disa prej deputetëve që votuan pro miratimit të ndryshimeve që do t’i hapin rrugë importit të plehrave në Shqipëri nga vendet e huaja.

Banorët e Tiranës iu drejtuan rrjeteve sociale të premten për të shpërndarë fotot e kazanëve me emrat e politikanëve dhe duke shprehur kundërshtimin e tyre të fortë ndaj ligjit të miratuar një natë më parë  në parlament.

Sipas Lekës, veprimi simbolik i aktivistëve nuk i afrohet aspak dëmit që do të sjellë miratimi i ligjit për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë.

«Është e gjitha hipokrizi. Nga njëra anë flitet për standarde të riciklimit, por nga ana tjetër kemi skandalin e Sharrës me vdekjen e Arditit (17-vjeçarit që humbi jetën në landfillin e Sharrës) dhe të romëve që kërcënohen të punojnë për firmat abuzuese sepse përndryshe do t’i shembin barrakat», shtoi ai.

Aktivistët i thanë BIRN se shoqërimi i tyre në komisariat ishte bërë «sikur të ishin kriminelë» dhe treguan se kishte pasur presion mbi ta për të pranuar se veprimi i tyre lidhej me vullnetin për të përdhosur personat zyrtarë.

«Ne i siguruam policët se veprimi kishte aspekt simbolik dhe lidhej me votimin e ligjit të importit të plehrave», tregon Bislim Lakna.

Të premten Aleanca Kundër Importit të Plehrave njoftoi Bashkimin Europian për shkeljen e lirisë së protestës dhe lirisë së medias në lidhje me arrestimin e aktivistëve dhe me shkelje procedurale në shqyrtimin e ligjit nga ana e parlamentit, përfshirë mungesën e konsultimeve të mjaftueshme me grupet e interesit dhe popullsinë.

Akivistët Lakna dhe Leka u lanë të lirë nga policia e rendit, ndërsa menjëherë pas lirimit të tyre policia bashkiake i dorëzoi atyre gjobat «për dëmtim të pronës së bashkisë» dhe «për dëmtim me spraj të kazanëve të menaxhuar nga një firmë private», të cilat së bashku arrijnë shifrën 300’000 lekë të vjetra.

Aktivistët i thanë BIRN se ata janë studentë dhe se nuk mund ta paguajnë ‹gjobën e kripur›.

«Rezistenca jonë ndaj ligjit të importit të mbetjeve do të vazhdojë. Ne synojmë të mbrojmë pronën publike dhe do të bashkëpunojmë me grupime të tjera aktiviste dhe figura publike për të kundërshtuar këtë çështje që na përket të gjithëve», tha për BIRN aktivisti Leka.

«Pavarësisht se protesta nuk ka qenë deri më tani në shkallë masive, gatishmëria qytetare po bëhet më e fuqishme dhe ne jemi të motivuar ta vazhdojmë atë», përfundoi aktivisti Lakna.

(reporter.al: http://www.reporter.al/emrat-e-deputeteve-qe-votuan-ligjin-e-mbetjeve-zbukurojne-kazanet-e-tiranes/)