Emigrantët mblidhen në kufijtë serbë dhe boshnjakë për të hyrë në Kroaci

Policia kroate tha se informacione të rreme se vendi europian do të hapte kufijtë e tij bënë që qindra emigrantë dhe refugjatë të mblidheshin në pikat kufitare në Serbi dhe Bosnje, me shpresën për të hyrë në Kroaci.

Refugjatë nga Iraku në Bosnjë. Foto: RFE

Rreth 400 emigrantë dhe refugjatë u mblodhën të martën në kufirin e Bosnjes dhe Hercegovinës me Kroacinë, me një numër pothuajse të ngjashëm në kufirin e Serbisë me Kroacinë, njoftoi media vendase. Policia kroate njoftoi se ishin përhapur informacione të rreme se shteti i BE-së do të hapte kufijtë e tij. «Midis popullsive emigrante në territorin e Bosnjës dhe Serbisë, po përhapen informacione të rreme se Republika e Kroacisë do të lejojë hyrjen e tyre në territorin e saj, si dhe kalimin e mëtejshëm në vendet e Europës Perëndimore», thuhej në një deklaratë të policisë.

Policia lokale dhe pjesëtarët e forcave kufitare të Bosnjës u vendosën në pikën kufitare Maljevac në Bosnjën dhe Hercegovinën veriore, ku disa qindra emigrantë dhe refugjatë shpresonin të kalonin në Kroaci, por situata mbeti e qetë, pa raportuar incidente. Disa qindra gjithashtu u mblodhën në kalimin kufitar të Batrovcit midis Serbisë dhe Kroacisë, pranë qytetit Sid, duke shpresuar gjithashtu të hynin në vendin e BE-së. Sipas mediave serbe, emigrantët dhe refugjatët vinin nga kampet e Adasevcit dhe Principovcit. Më vonë raportet nga mediat lokale sugjeruan se disa emigrantë dhe refugjatë tashmë janë kthyer në kampe.

Të hënën në mbrëmje, një grup prej rreth 100 emigrantësh dhe refugjatësh arritën në vendkalimin kufitar të Izacic të Bosnjës dhe kaloi gjithë natën në qiell të hapur, por që atëherë janë kthyer në qendrat e emigrantëve në Bihaq dhe Velika Kladushë, tha për mediat lokale Sanela Dujkoviq, një zëdhënëse për policinë kufitare boshnjake. Disa shprehën zhgënjim se nuk u lejuan të vazhdojnë udhëtimin e tyre në BE. «Ne po presim dhe po lutemi që kufiri të hapet. Nuk duam të kthehemi», tha njëri prej tyre, Nagris, për BIRN.

Sipas vlerësimeve të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, numri i refugjatëve dhe emigrantëve në Serbi në tetor ishte rreth 3,900, prej të cilëve rreth 3,400 u strehuan në qendrat e strehimit shtetërore dhe në qendrat e pritjes, përfshirë rreth 200 të strehuar në çadra në Principovac dhe Adasevci. Të dhënat nga Qendra për të Drejtat e Njeriut të Beogradit sugjerojnë se ka edhe rreth 500 njerëz në vendet joformale, kryesisht në zonën e Beogradit dhe në zonat kufitare. Shumica megjithatë po strehohen në një qendër pritjeje në Obrenovac dhe një qendër azili në Krnjaca në Beograd. Në Bosnje dhe Hercegovinë që nga fillimi i vitit deri më 17 tetor, pak më shumë se 18,000 emigrantë dhe refugjatë u regjistruan në rrugën e re të ashtuquajtur «Rruga ballkanike», e cila kalon përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe në disa raste edhe Serbisë. Një total prej 6,411 emigrantësh erdhën nga Pakistani. Të tjerë erdhën nga Irani (2,944), Siria (2,533), Afganistani (2,962) dhe Iraku (1,675), tha për BIRN Shërbimi Boshnjak për Punët e Jashtme.