Emërtimi i ndërlikuar i rrugëve dhe i shesheve në Prizren

Emërtimi i rrugëve dhe i shesheve në Prizren vazhdon të jetë pjesë e debatit lokal, me gjithë faktin se vendimi ishte miratuar në muajin maj të këtij viti nga Kuvendi i Komunës.




Këshilltarët opozitarë kanë konsideruar se emri i një rruge është përcaktuar pa e marrë bekimin nga anëtarët e KK-së, shkruan sot «Koha Ditore».

Mybera Mustafa nga LDK-ja ka bërë të ditur se ish-rruga «Tirana», në bazë të propozimit të komisionit të prezantuar në KK, parashihej që të riemërtohej «Tirana» deri në një pjesë, dhe në pjesën tjetër «Ekrem Rexha – Drini».

«Por tani na del se emri i rrugës është «Ekrem Rexha – Drini», me vendim të komisionit, pa e marrë një miratim paraprak nga Kuvendi i Komunës», ka thënë ajo, duke shtuar se vërejtja nuk ka të bëjë me emrin e komandantit të ndjerë nga radhët e UÇK-së, por me procedurën që është ndjekur në këtë rast.