Emërohet kryeprokurori i ri i Gjykatës Speciale të Kosovës

Avokati amerikan Jack Smith është emëruar si kryeprokurori i ri i Gjykatës Speciale të Kosovës me bazë në Hagë pasi largimi i paraardhësit të tij ngriti shqetësime se çështjet mund të vonoheshin.

Jack Smith. Foto: Zyra e Prokurorit të Specializuar.



Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë njoftuan të hënën se Jack Smith është emëruar si kryeprokuror i ri nga Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit, EULEX. «Jam i nderuar dhe i lumtur që më jepet kjo sfidë dhe mezi po pres t’i çoj para hetimet», tha Smith në një deklaratë. Smith është një prokuror amerikan me përvojë në hetime politike të nivelit të lartë dhe hetime penale ndërkombëtare.

«Unë besoj se eksperienca e tij e gjerë në hetime dhe ndjekje penale, si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në shkallë ndërkombëtare, do të jetë provë e përmbushjes së mandatit të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar», tha kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova në një deklaratë. Smith u emërua pasi David Schwendiman u largua nga posti i prokurorit të specializuar për shkak të daljes në pension si një zyrtar amerikan në fund të marsit. Largimi i papritur i Schwendiman shkaktoi shqetësime se çështjet mund të vonoheshin. Deri më tani, nuk është ngritur asnjë padi nga gjykata e re.

Dhomat e Specializuara ndodhen në Holandë dhe disa figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të paditen për krimet të dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës me forcat serbe. Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale. Ka pasur spekulime se politikanë të rangut të lartë të Kosovës, që ishin zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës, mund të përballen me akuza. (BIRN)