Elizabeth Gowing promovoi librin e vet të tretë për Kosovën

Hatemja, gruaja e një mbledhësi mbeturinash, jeton në një prej komuniteteve më të varfra të vendit më të varfër në Evropë.




Kur britanikja Elizabeth Gowing miqësohet me të, të dyja mësojnë shumë nga njëra-tjetra dhe për njëra-tjetrën. Miqësia e tyre është kryefjalë e një rrëfimi të vërtetë për të jetuarit dhe të mësuarit brenda një komuniteti ashkalinjsh në Fushë-Kosovë, që është përmbledhur në libër, shkruan sot «Koha Ditore».

Si mund t’i lironi fëmijët të shkojnë në shkollë në vend se të kërkojnë lëmoshë? Si t’i bindni shkollat lokale që t’i pranojnë ata? Këto janë disa prej pyetjeve që shtron libri «The Rubbish-Picker’s Wife» (Gruaja e mbledhësit të mbeturinave» me autore Elizabeth Gowing, që është promovuar të shtunën në kryeqytet, shkruan sot «Koha Ditore»). Libri të cilin gazeta britanike «The Independent» e ka cilësuar si «rrëmbyes dhe të gjallërishëm», ishte promovuar në Londër dhe në Tiranë para se të mbërrinte në Prishtinë. Promovimi për audiencën britanike është mbajtur në Ambasadën e Kosovës në Londër.

I botuar në anglisht, libri është vënë në shitje edhe në «amazon.com».

Gowing, ka rrëfyer sesi «The Rubbish…» është produkt i miqësisë së saj me një grua të komunitetit ashkalinj, të cilën e kishte takuar krejt rastësisht. Asokohe, fëmijët e gruas së quajtur Hateme, kishin mbetur pa u shkolluar për shkak se nuk ishin regjistruar me kohë në shkollë.

«Fëmijët e Hatemes nuk kanë qenë në shkollë atë kohë dhe kam kuptuar që, edhe pse kanë pasur dëshirë të shkonin, shkolla nuk i ka pranuar. Fillimisht nuk e kam besuar këtë mundësi pasi që e drejta për shkollim është pjesë e Kushtetutës së Kosovës, por kam shkuar në shkollë dhe në Ministri e kam kuptuar se është e vërtetë», ka thënë Gowing.

Duke qenë vetë mësuese, Gowing do t’i ofronte njërës vajzë të personazhit të librit, mundësinë që t’i mbante mësim për çdo ditë.

«Por ajo ka kërkuar të vijë edhe me disa shoqe dhe së shpejti bashkë me vullnetarët e tjerë e kemi kuptuar që nuk ishte vetëm vajza e Hatemes, por shumë fëmijë të tjerë që kanë pasur dëshirë për shkollim dhe që nuk ishin pranuar në shkollë», ka shtuar ajo. Në «Rubbish…» tregohet sesi Gowing bashkë me vullnetarët e organizatës joqeveritare «The Ideas Partnership» – të cilën e ka themeluar bashkë me Robert Wiltonin e Ardian Arifajn – kishin nisur t’u mbanin mësim fëmijëve të këtij komuniteti.

«Gjithashtu kemi filluar të gjejmë mënyra të tjera për të përmirësuar kushtet e mjerueshme të tyre, me punësimin e grave në një ndërmarrje sociale, të gjejmë bursa për studentë, të mbajmë mësim për të rritur etj.», ka thënë ajo.

Gowing shpreson që libri i saj të sensibilizojë lexuesit sesi njerëzit mund të lidhin miqësi për të mirën reciproke.

«Diçka shumë specifike që po shpresoj mund të dalë prej botimit të librit është gjithashtu një ndryshim te institucionet, pasi që ende ka fëmijë jashtë shkollës në Fushë-Kosovë (për momentin 30 fëmijë) që kanë shprehur dëshirë për një shkollë dhe ende po presin prej qeverisë së tyre që të mund të përfshihen në shkollë», ka thënë ajo.

Gowing ka thënë se inspirimi për të shkruar këtë libër lidhet me faktin se shumë njerëz brenda Kosovës dhe jashtë saj nuk kanë njohuri që ka njerëz të cilët jetojnë në kushte katastrofike.

«Dhe janë të uritur. Varen prej çfarë mund të përfitojnë nga mbeturinat që mbledhin dhe që nuk janë të shkolluar. E kjo ndodh në Kosovë, vetëm 8 kilometra larg kafiterive të Prishtinës. Gjithashtu kam dashur të tregojë fuqinë e vullnetarëve dhe çfarë mund të bëjnë me pak para», ka thënë Gowing. Në «The Ideas Partnership» janë të angazhuar mbi 100 vullnetarë të komunitetit shqiptar, rom, shakali e egjiptian.

Gowing ka në plan që librin e saj të tretë që ka shkruar për Kosovën ta përkthejë edhe në gjuhën shqipe.

Ajo është autore e «Travels in Blood and Honey: becoming a beekeeper in Kosovo» që flet për eksperiencat e saj derisa po provonte jetën e bletares dhe është i mbushur me receta e përshkrime të jetës rurale, ushqimit të shijshëm dhe peizazhit të bukur.

Libri i saj i dytë, «Edith and I: on the trail of an Edwardian traveler in Kosovo» tregon për udhëtimet në gjurmët e Edith Durhmanit në Kosovë dhe për një pjesë të trashëgimisë kulturore të Kosovës.