Elina Duni dhe muzika e ardhmërisë

Gazeta e njohur zvicerane «NZZ am Sonntag» e lartëson në qiell këngëtaren shqiptaro-zvicerane.

Foto: Fahredin Spahija



«Për fat të mirë nuk ekziston vetëm përditshmëria gazetareske. Nganjëherë ndodhin edhe mrekulli. Këngëtarja dhe kompozitorja Elina Duni është njëra prej tyre. Një shfaqje fascinuese, shumëgjuhëshe, e gjallë, e shpejtë, me sharm francez dhe mençuri dinamike, njëkohësisht artiste e angazhuar me thellësi dhe me sens për muzikë melankolike», kështu e fillon shkrimin e tij për Elina Dunin kritiku i muzikës dhe letërsisë Manfred Papst në numrin e fundit të gazetës «NZZ am Sonntag».

Bendi i Elina Dunit sapo ka nxjerrë në treg albumin e katërt – «një miks mbresëlënës me këngë popullore shqiptare dhe jazz modal». Gazeta nënvizon se Duni nuk përçon një mesazh politik me muzikën e saj. «Ajo nuk bën muzikë për një palë. Por, ajo tregon se Kosova dhe Shqipëria nuk janë vetëm vatra krize dhe strehë vorfënore të Europës, por kanë një kulturë, e cila përmban bukuri dhe dinjitet». Megjithatë, edhe biografia e saj është plot politikë. «Gjyshi im ka qenë partizan dhe si 12-vjeçar përfundoi në një kamp përqëndrimi në Prishtinë. Ai u lirua dhe iu bashkua komunistëve në Tiranë. Ai luftoi kundër diktaturës dhe u fut në burg. Unë jam rritur me të. Ai ka qenë mësues, por tridhjetë vjet e kishte të ndaluar të shkruajë dhe japë mësim. Ai shiste cigare në një qoshk! Desha apo jo: historia ime është plot me politikë, tamam si historia e Shqipërisë», tregon Elina Duni.

Në bisedë me gazetarin zviceran ajo ankohet se në viset shqiptare është në rrezik kultura lokale popullore, sepse të rinjtë po ikin në qytete. «Po vdes prodhimi i instrumenteve tradicionale, muzika autentike po zhduket. Vendin e saj po e zë moda e turbo-folkut. Në shqip kjo quhet tallava. (…) Meloditë e njohura përzihen me ritme elektronike. Kështu shkatërrohet krejt poezia. Këtë muzikë në rastin më të mirë mund ta përdorësh për të vallëzuar dhe pirë. Ajo që dua t’ia kthejë vendit tim është sublimimi i traditës lokale».

DIALOGPLUS