Elegjia e gjelbrimit

Foto: Shutterstock



Ku me i lanë këto duer të gjelbërta,
që shpërndajnë përkdhelje t’erandshme?
Ku me i mëshefë këto përshëndetje flakruese
të qerpikëve pranverorë që lodrojnë në sy?
Ku me ikë prej këtij zjarri të gjelbërt,
që i djeg pa hirë bebzat e mija?

Dhe kodra e djegun n’flakën e gjelbrimit
i varë vetullat n’dritaret e kasolles.
Dhe malli i vashës dënes n’elegjin e gjelbrimit,
kur zogu krahët peng ia la në duert e bardha.
O, ku me ikë kështu dimnuer para afshit,
para syve gjelbrorë që shkelin pa mëshirë?

Po digjet lëkura e tokës në gjelbrimin e saj
e s’gjindet asnji trim me u ngushllue.
Ku me i mëshefë këta dhambë të pranverës
që buzët na i kafshojnë pa fije të mëshirës?
Në çukat e gufueme prej mallit gjelbrues
syt më janë plagosë e s’guxoj kujt me i tregue.

O, ma mirë në gjelbrim me u vorrosë pëherë
e hapat e tij të lehtë me të shkelë në pranverë.
Ma mirë me ikë bashkë me erën – me u ba fluror –
dhe me u djegë b’gjelbrim – n’kujtimet rinore,
sesa me mbetë hulli – ashtu dimnuer në shpresa
dhe në shtërgata tue thurë andrra madhështore.

Ma mirë me qenë trim i elegjive t’gjelbrimit,
Ma mirë me të djegë flaka e tij pa mëshirë,
sesa me u dehë në lodrat joshse t’mashtrimit
dhe ndihmën e kujtimeve përherë me e thirrë.