Elegji kosovare

Hyjnesha në fron. Foto: Arben Llapashtica



Shkuen udëbashët. Era pas i ndiqte.
E vranë e lanë trimin përmbi dhe
Në fushën e madhe të gjanë nën një ahishte.
Nuk pate Kosovë një luginë për të?

Erdhi lokja plakë në heshtjen e vet
Hodhi sipër djalit një grusht dhe,
Një grusht nga hini i gjyshave të lashtë
Stërpikë me gjakun dhe djersën e breznive,
Një copë të thërmueme malesh të njomun
Ndër mijëra muzgje, ndër mijëra agime,
Një copë të dhimbshme Kosove hodhi përmbi të.

Dhe vajti ajo e qëndroi te gardhi i vjetër
E plakun, e krrusun
Nga dhimbja, vetmia dhe shiu.
Mes lotëve të ndritshëm gremiseshin
Konturet e zeza të reve
Dhe kryqet e thyem të vetëtimave.

Dhe mbi të gjitha këto,
Pika të ftohta binin:
Pikonin yjet në lotët e saj.
Pikonte bota nga dhimbja.