Ekstremistët shqetësojnë Ballkanin, zemrën myslimane të Evropës




Mëngjesin e njërës prej ditëve të para të shkurtit, po valonte flamuri i zi i «Shtetit Islamik» në pullazin e një shtëpie të pameremetuar krejtësisht, në një fshat të vogël të izoluar në pjesën veriore të Bosnjë-Hercegovinës.

Flamuri veç ishte hequr kur mbërriti policia, dhe kurrë nuk u mor vesh kush e kishte vendosur. Por ky rrëfim dëshmonte edhe njëherë për zyrtarët boshnjakë dhe agjencitë perëndimore të inteligjencës se vendbanimi, banuar me pasues të degës puritane të islamit në Arabinë Saudite, të njohur si vehabizëm, ka marrëdhënie me rrjetet që kanë rekrutuar qindra burra myslimanë nga të gjitha rajonet e Ballkanit për të luftuar në Siri e Irak.

«Është e drejtë të thuhet se Gornja Moaça është mbase qendra më e madhe e ekstremizmit në Bosnjë», ka deklaruar një zyrtar perëndimor inteligjence. Ai ka folur vetëm në kushte anonimiteti, sepse nuk ishte i autorizuar të diskutonte informacionin e ndjeshëm me një gazetar. Derisa rajoni nuk ka përjetuar sulme terroriste masive të llojit që shokuan Francën, edhe ato nuk do të ishin befasi, ka thënë zyrtari, duke shtuar: «Kemi parë komplote aspiruese».

Shumica e burrave që janë nisur prej Ballkanit që të luftojnë në Lindje të Mesme janë nga Bosnja dhe Kosova, pjesë të ish-Jugosllavisë, pavarësia e të cilave u sigurua prej ndërhyrjeve ushtarake të prira prej amerikanëve në vitet nëntëdhjetë. Pothuajse gjysma e 3.8 milionë banorëve të Bosnjës janë myslimanë. Kosova me 1.8 milion banorë, 95 për qind të popullsisë e ka myslimane, duke qenë bindshëm shteti më pro-amerikan në Evropë. Shtatorja dhe portreti i madh i ish-presidentit Bill Clinton kanë hedhur shikimin kah sheshi që mban emrin e tij në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ku gjithashtu një rruge i është lënë emri i ish-presidentit George W. Bush dhe ku një butik mban emrin e Hillary Clintonit.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj evropianë kanë shpenzuar miliarda dollarë dhe përpjekje diplomatike pas përfundimit të luftërave duke u munduar t’i shndërrojnë dy shtetet në demokraci të qëndrueshme. Prapëseprapë, të dy shtetet janë zhytur në qeverisje jofunksionale, korrupsion gjithëpërfshirës, ndarje etnike dhe mjerim të nxitur nga varfëria, kushte që i kanë shkaktuar rritje joshjes së islamit të linjës së ashpër, farat e të cilit kanë zënë për ironi me ndihmën e aleatëve më të ngushtë arabë të Amerikës.

Edhe në kohën kur burra nga Ballkani po luftojnë në Siri e Irak, kryesisht për «Shtetin Islamik», fundamentalistët në vendet e tyre po intensifikojnë sulmet ndaj legjitimitetit dhe versionit liberal të islamit që ishte praktikuar për shekuj me radhë në Ballkan. Rezultat i kësaj është rritja e frikës se do të ketë përshkallëzim të sulmeve ndaj islamit tradicional, duke nxitur pasiguri. Kështu, Bosnja dhe Kosova do të shndërroheshin në shtigje drejt Perëndimit për xhihadistët thellësisht të radikalizuar.

«Këto grupe radikale konservative, qëllim kryesor e kanë të marrin kontrollin e bashkësisë myslimane të Kosovës», ka deklaruar Ramadan Ilazi, zëvendësministër për Integrime Evropian dhe ekspert i islamit politik. «Kjo është një sfidë e vërtetë».

Edhe nëse nuk e shijojnë vetë, shumica e myslimanëve të Ballkanit tolerojnë pirjen e alkoolit dhe duhanin. Ata nuk mbanin mjekra të stilit islamik dhe ferexhe dhe rrallëherë – nëse shkonin ndonjëherë – luteshin nëpër xhami. Ata lirshëm përzihen me anëtarë të gjinisë së kundërt dhe me besimtarë të feve të tjera, si dhe me jomyslimanë.

Disa imamë tradicionalë, që kanë folur zëshëm kundër ekstremizmit kanë qenë prej e fyerjeve, sulmeve dhe nxjerrë prej xhamive. Atyre u janë penguar hytbet dhe janë cilësuar si të pafe nëpër video dhe uebfaqe radikale që dënojnë islamin tradicional si dalje prej rrugës së Zotit.

Një ekstremist i dyshuar islamik, të hënën e javës së kaluar në Bosnjë, ka vdekur gjatë një sulmi në një stacion policor ku vrau një oficer policor serb. Në nëntor në Kosovë, dy amerikane që po shërbenin si misionare mormone ishin sulmuar prej ekstremistëve të dyshuar, dy prej të cilëve më vonë ishin akuzuar, bashkë me pesë të tjerë, për planifikim të sulmeve terroriste. Një ekstremist me prejardhje nga Kosova ishte dënuar për sulmin e kryer ndaj një autobusi në Aeroportin e Frankfurtit më 2011, duke lënë të vrarë dy ushtarë amerikanë. Ky ishte sulmi i parë fatal prej një islamisti në Gjermani. Një gjykatë boshnjake dënoi më 2013 një vehabist për vendosje të një bombe që vrau një oficer policor kroat të Bosnjës.

Gazetarët që kanë hulumtuar grupet islamike dhe rekrutimin e luftëtarëve, dhe politikanët që kanë alarmuar për përhapje të fundamentalizmit, kanë marrë kërcënime me vdekje.

«Kushdo që nuk është (konsiderohet) si ata, është jobesimtar», ka thënë Alma Lama, deputete e Kuvendit të Kosovës, që ka kërkuar mbrojtje policore për vete dhe familjen e saj për shkak të «mijëra» kërcënimeve të shkaktuara prej qëndrimeve të saj kundër islamit të linjës së ashpër dhe mohimit që u bën kjo rrymë të drejtave të grave. «Këta njerëz po mbjellin urrejtje ndërmjet grupeve fetare dhe urrejtje gjinore».

«Radikalët janë kërcënim për ne myslimanët tradicionalë, e jo për serbët e as për kroatët», ka deklaruar Shaykh Edin Kukavica, imam boshnjak i degës së kufizimit mistik, që së fundi ka marrë një mesazh, ku paralajmërohet se «shigjeta është rrugës».

Meqë numri i islamikëve të linjës së ashpër është i vogël në të dy shtetet, zyrtarët pajtohen se vetëm disa prej tyre mësojnë shkathtësitë luftarake në Lindje të Mesme. Ata mendojnë se edhe vetëm nëse një grusht i tyre janë pjesë e kësaj kategorie, atëherë është shqetësuese.

«Madje edhe nëse vetëm një person shkon, do të ishte problem, dhe ne po e marrim shumë seriozisht këtë problem», ka deklaruar Amir Veiz, drejtor i kundërterrorizmit në Agjencinë Shtetërore të Mbrojtjes dhe Hetimeve në policinë shtetërore të Bosnjës.

Të dy shtetet kanë marrë masa kundër ekstremistëve, kanë thënë zyrtarët dhe po koordinohen ngushtësisht me agjencitë inteligjente amerikane dhe evropiane për të zvogëluar numrin e tyre burrave dhe grave që po shkojnë në Irak dhe Siri, ku mbi 160 boshnjakë dhe rreth 300 kosovarë, disa me familje, thuhet se po luftojnë. Disa prej tyre i janë bashkuar Frontit «Nusra», krah sirian i «Al-Qaedas», por pjesa më e madhe janë listuar me «Shtetin Islamik».

Megjithatë, Kosova me popullsinë e saj të vogël, mbetet kontribuuesja më e madhe evropiane për kokë banori me numrin e luftëtarëve dhënë «Shtetit Islamik», dhe disa ekspertë thonë se të dy qeveritë fillimisht kishin minimizuar problemin për të mbuluar dështimet e tyre për të vepruar më herët dhe për të shmangur acarimin e konservatorëve të fuqishëm fetarë.

«Kisha informacionin se 150 deri në 200 persona po luftonin, por Qeveria thoshte se ishin vetëm 10 sish», ka thënë Vehbi Kajtazi, gazetar në gazetën më të madhe të pavarur, «Koha Ditore», që thotë se i ishte bërë presion të mos shkruante për këtë çështje. «Qeveria po mundohej ta shtypte, por nuk mundën për shkak se problemi është problem i madh për Kosovën».

«Ne tashmë jemi vonuar paksa, mendoj, dhe kjo është arsyeja pse kjo është një situatë emergjente në kuptimin e nevojës për kundërpërgjigje, një kundërpërgjigje që është gjithëpërfshirëse, folur në kuptimin ekonomik, social, politik», ka thënë Ilazi, zv/ministër për Integrime Evropiane i Kosovës.

Islami i linjës së ashpër po praktikohej në Ballkan prej qindra luftëtarësh kryesisht arabë që kishin ndihmuar qeverinë e prirë myslimane të Bosnjës, të zënë ngushtë prej embargos së armëve prej OKB-së, që t’i rezistonte shkatërrimit prej Serbisë dhe Kroacisë në një luftë që kishte zgjatur prej vitit 1992 deri më 1995. Një numër më i vogël u ishte bashkuar kryengritësve shqiptarë etnikë që kishin luftuar për pavarësimin e Kosovës prej Serbisë.

Të huajt – shumë prej të cilëve më vonë mendohet se i janë bashkuar «Al-Qaeda»-s – ishin tekfirë, radikalë që mbështesin përdorimin e dhunës si pjesë e refuzimit të politikës, kulturës shekullare dhe besimeve të tjera, dhe kërkojnë rikthimin e sundimit të islamit «të pastër» që besojnë se ishte themeluar prej profetit Muhamed në shekullin shtatëmbëdhjetë në Gadishullin Arab.

Ata ishin mbështetur prej fondeve nga Arabia Saudite dhe aleatëve të tjerë arabë të Shteteve të Bashkuara, dhe ndërrrimi i qasjes ishte përforcuar edhe më shumë prej vërshimit të organizatave bamirëse islamike që ofronin para, ushqim dhe trajnime shkollore në këmbim të devotshmërisë ndaj praktikave të tyre të linjës së ashpër.

Pothuajse të gjithë të huajt virtualisht ishin larguar = disa sish u martuan me femra boshnjake – por jo edhe organizatat bamirëse. Me paratë e kamura në shoqëritë në telashe dhe të lodhura nga pasojat e luftës, ato fituan përkushtimin e të devotshmëve duke zgjeruar programet e ndihmës, rindërtimit të xhamive dhe ndërtimit të të rejave, mbështetur edhe prej zyrtarëve që kishin mirëpritur paratë e investuara, dhe nën patronazhin e shteteve të fuqishme myslimane, thonë ekspertët.

Organizatat bamirëse «gjetën tokë të pëlleshme këtu», ka thënë Denis Haxhoviq, drejtor i Qendrës për Studme Strategjike, institut politikash në Sarajevë. «Ata nisën të bëheshin më agresivë në sjelljen dhe përpjekjet e tyre për të promovuar një tjetër qasje ndaj islamit».

Derisa qeveritë e Bosnjës dhe të Kosovës mbyllën një numër organizatash bamirëse islamike gjatë aksioneve masive të vitit të kaluar, vazhdon të mbetet i dukshëm anembanë ndikimi i organizatave.

Burra me koka të mbuluara me mjekra të stilit islamik dhe veshje arabe tani shihen kudo në fshatra dhe qytete të Kosovës dhe Bosnjës, ku pantallonat e tyre mbi kyçet e këmbëve po quhen në mënyrë poshtëruese si «pantallona të vërshimeve». Imamët e rinj lokalë të trajnuar në seminare fundamentaliste në Arabi Saudite dhe vendet e tjera arabe po i drejtojnë xhamitë.

Dyqane që shesin veshje islamike për gra – përfshirë ferexhe dhe mbulesa kokë e këmbë – tekste e video fetare, ushqim hallall dhe mallra të tjera arabe janë grumbulluar përreth xhamive të stilit osman të Prishtinës, ku ka rrugina me butikë dhe bare me stil perëndimor që ofrojnë Martini dhe pije të tjera perëndimore.

Në Sarajevë, kryeqytet i Bosnjës, shitësit ambulantë në trotuare shesin të njëjtat mallra jashtë Qendrës së ndërtuar me paratë e Mbretit Saudit, Fahd Bin Abdul Aiz Al-Saud, më e madhja e këtij lloji në Ballkan.

Qendra – me xhaminë e saj të stilit saudit – prihet prej sauditëve me status diplomatik, duke u shkaktuar kokëçarje shumë sarajevasve të frustruar me investimet e shteteve saudite dhe të Gjirit në xhami dhe prona, si puna e «Hotel Bristol», ku është i ndaluar alkooli.

«Mundohem t’i shmangem çfarëdo kontakti me këta njerëz radikalë në xhami ose tjetërkund», ka thënë Adnan Taliq, 54 vjeç, këpucëtar, dyqani i vogël i të cilit në çarshinë e vjetër osmane të Sarajevës është i mbushur me këpuca të reja lëkure. «Ne frikësohemi prej tyre, por injorimi është mënyra ime për luftimin e islamit radikal».

Shumë burra në Gornja Moaça kanë mohuar se ka lidhje ndërmjet fshatit dhe grupeve të dhunshme.

«Jemi myslimanë të mirë. Jemi besimtarë të njëmendtë, dhe sikur nuk duam që asgjë e keqe të na ndodh neve, nuk ia duam të keqen as tjetërkujt», ka thënë një burrë mjekrosh, që po merrej me pemë në oborrin e tij. Si të gjithë të tjerët, edhe ai ka refuzuar ta tregojë emrin gjatë një vizite që së fundi ka bërë «McClatchy».

«Neve po na kushtohet më shumë vëmendje sesa është e nevojshme. Vëmendje e madhe iu dha prej medieve atij flamuri, dhe kurrgjë nuk ishte puna e tij. Mbase fëmijët e kanë vendosur», është përgjigjur burri kur është pyetur për punën e vendosjes së flamurit të «Shtetit Islamik», fotografi të të cilit ishin botuar nëpër mediat lokale.

Zyrtarë të tanishëm dhe të dikurshëm boshnjakë të sigurisë tregojnë një rrëfim tjetër, duke theksuar se katundi i vogël është i lidhur me rrjete ekstremiste që operojnë prej Evropës Perëndimore nëpërmjet Ballkanit deri në Lindje të Mesme.

Disa burra të lidhur me fshatin janë në mesin e boshnjakëve që kanë shkuar të luftojnë në Siri dhe Irak, kanë thënë ata. Një prej tyre, Emrah Fojniça, 23 vjeç, e ka hedhur vetën në erë në muajin gusht, duke lënë të vdekur 23 persona në Bagdad. Vendbanimi kishte strehuar më 2011 një mysliman nga Serbia që tani po vuan dënimin prej 18 vitesh burgim për shkepjen e më shumë se 100 plumbave në Ambasadën amerikane në Sarajevë.

Marrëdhëniet e mundshme amerikane me rrjetet ekstremiste ishin vënë në paj në shkurt, kur një gjykatë në Kentucky dënoi gjashtë emigrantë boshnjakë me akuzën për dërgim të parave, unfiromave ushtarake, çizmeve të luftës dhe mallrave të tjera ushtarake boshnjakëve që po luftonin në Siri dhe Irak.

Analistët politikë, imamët e moderuar dhe ekspertët e tjerë në Bosnjë e Kosovë fajësojnë krerët politikë dhe fetarë, duke vlerësuar se ata injoruan për vite me radhë ekstremizmin në rritje. Liderët ishin të kënaqur që organizatat bamirëse islamike po ndërtonin xhamitë e dëmtuara gjatë luftës, të ndërtonin të reja dhe të ofronin ndihmë dhe programe edukative në këmbim të përkushtimit fetar ndaj degëve të tyre të islamit.

Pak boshnjakë që kishin folur publikisht ishin anashkaluar prej krerëve politikë e fetarë si «islamofobë», ka deklaruar Senad Peçarin, bashkëthemelues i «Dani»-it, revistë me qëndrim të sertë hulumtues, prej të cilës është larguar në vitin 2010 që të merret me avokaturë. «Për vite me radhë, po sulmonin këdo që paralajmëronte për kërcënimin».

Imamët e moderuar dhe ekspertët politikë në Kosovë thonë se Bashkësia Islame e Kosovës, trup i pavarur fetar që mbikëqyrë çështjet islamike, është nën kontroll të konservativëve që zëvendësuan imamët e moderuar me fundamentalistë në përpjekje për të futur elemente radikale dhe që të sigurojnë përkrahje të vazhdueshme financiare nga Lindja e Mesme.

«Kam thënë se nuk mora ndihmë prej askujt, nga Qeveria, nga Bashkësia Islame», ka thënë Musli Verbani, 49 vjeç, imam i moderuar, makina e të cilit ishte sulmuar me bombë më 2006 në atë që më vonë doli se ishte fushatë që çoi drejt zëvendësimit të tij më 2011 me një imam të linjës së ashpër në xhaminë e madhe në qytezën jugore të Kosovës, Kaçanik.

Vedat Sahiti, këshilltar i kryetarit të BIK-ut, Naim Tërnava, ka hedhur poshtë  akuzat se Bashkësia Islame i ishte dorëzuar ndikimit të islamikëve dhe ka thënë se organizata e tij nuk ka pranuar fonde të huaja.

«Nuk marrim para nga Lindja e Mesme», ka thënë Sahiti, pak para se me krenari të njoftonte se selitë e reja të organizatave dhe të fakultetit ishin ndërtuar me fonde nga qeveritë e Arabisë Saudite dhe Katarit.

Kritikët kanë theksuar se 15 imamë, përfshirë edhe imamin e xhamisë së madhe të Prishtinës, ishin në mesin e 55 të arrestuarve në aksionet masive të gushtit dhe shtatorit të kaluar me dyshimin për promovim të ekstremizmit të dhunshëm dhe rekrutimit të luftëtarëve për Siri dhe Irak.

Shpend Kursani, hulumtues vendor në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, institut politik në Prishtinë, ka thënë se aksionet e vitit të kaluar kanë ulur numrin e fluturimeve të të rinjve drejt Sirisë dhe Irakut, por tani ka parë se ka familje të tëra që po marrin rrugën drejt këtyre shteteve.

Kursani ka intervistuar në kuadër të një studimi të thellë kosovarë të rinj që janë kthyer nga Siria dhe Iraku. Njëri prej tyre kishte diplomë të studimeve master në marrëdhënie ndërkombëtare, derisa 37 për qind kishin të kaluar kriminale në të dhënat e policisë para se të nisnin lavdërimin e islamit radikal, ka thënë ai.

E përbashkëta e të gjithëve, ka vërejtur ai, ishte mungesa e shpresës për një të ardhme më të mirë dhe heqja e iluzioneve për shkak të korrupsionit dhe nepotizmit që ka prekur të gjitha nivelet e sistemit politik të Kosovës. Madje edhe misioni antikorrupsion në Kosovë, i prirë prej Bashkimit Evropian, po hetohet me dyshimin për korrupsion.

Një tjetër faktor që po i kontribuon radikalizimit, thonë zyrtarët dhe ekspertët, është fakti se shumë kosovarë ndihen të tradhtuar dhe të izoluar prej Perëndimit.

Deklarata e Pavarësisë së vendit më 2008 ende nuk është njohur nga Kombet e Bashkuara dhe të gjitha 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, duke e bërë Kosovën shtetin e vetëm të Ballkanit, qytetarëve të së cilës u duhen viza për të udhëtuar në vendet e BE-së. Sidoqoftë, kosovarët mund të udhëtojnë pa viza në Turqinë e afërt, duke kaluar prej andej kufirin që të luftojnë në Siri e Irak.

Serbia, njëkohësisht refuzon të heqë dorë prej pretendimit të saj ndaj ish-krahinës së saj, dhe vazhdon të ushtrojë ndikim të madh politik anembanë minoritetit të vogël serb në Kosovë dhe te përfaqësuesit serb në kuvend.

«Kemi të gjitha elementet e një shteti të dështuar», ka thënë Kursani. «Shteti nuk mund t’u ofrojë siguri qytetarëve të tij».

«McClatchy»