Ekspozitë në Tiranë mbi “Tërheqja e madhe” serbe nëpër Shqipëri

Dëshmi unike të historisë së Luftës së Parë Botërore në trojet e Ballkanit, janë vënë në dispozicion të publikut shqiptar nëpërmjet një ekspozite.




E titulluar «Tërheqja e madhe», ekspozita me mbi 40 fotografi është hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri, duke prezantuar për herë të parë historinë e tërheqjes së armatave serbe nëpërmjet maleve shqiptare në dimrin e vitit 1915, shkruan sot Koha Ditore.

Fotografitë, të cilat u ekspozuan në Tiranë nuk janë publikuar asnjëherë. Ato janë realizuar nga tre fotografë, njëri prej të cilëve ka qenë drejtor i «Herald Tribune» për Evropën – një gazetë e rëndësishme amerikane e asaj kohe që botonte edhe edicionin për Evropën.

«Tërheqja…» përmban edhe fotografi të realizuara nga një fotograf rus që shpërfaqin imazhe nga Shkodra, Shëngjini, Durrësi e Korfuzi – vende nëpërmes të cilave ishin tërhequr trupat serbe. Ekspozita është organizuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Serbisë dhe Konsullatën austriake të Shkodrës.

Për drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, ekspozita është një projekt i nisur prej kohësh si pjesë e promovimit historik të bregdetit shqiptar.