Ekspertët paralajmërojnë rrezikun e shtimit të islamofobisë në Ballkan

Islamofobia ka gjasë që do të rritet në vendet e Ballkanit, thonë ekspertët, si pasojë e përkeqësimit të mjedisit politik dhe të medias të shkaktuar nga kriza e refugjatëve dhe ngritja e ISIS.

Foto: M-SUR / Shutterstock.com

Islamofobia ka gjasa do të rritet në Ballkan në të ardhmen, vërejnë ekspertët, si pasojë e ndryshimit të klimës politike dhe të medias në shumë vende të rajonit, – veçanërisht në Kroaci e Serbi – si pasojë e fenomeneve rajonale të tilla si kriza e refugjatëve të vitit 2015 dhe ngritjes së të ashtuquajturit Shteti Islamik në Lindjen e Mesme.

«Në vitin 2015 ne pamë një ndryshim paradigmatik në partitë e të djathtës në Kroaci», tha për BIRN Dino Mujadzevic, një studiues nga Universiteti i Zagrebit dhe ekspert i historisë bashkëkohore në Europën Jug-Lindore. Sipas Mujadzevic, Islamofobia nuk ka qenë një problem madhor në Kroaci, por gjërat kanë ndryshuar që nga dallga me refugjatë që goditi këtë vend vitin e kaluar.

«Për herë të parë, partitë e krahut të djathtë në Kroaci po shfrytëzojnë idenë e ‹kërcënimit mysliman› që po vjen në vendin tonë, i importuar nga myslimanët jo-Europianë… dhe media në Kroaci ka filluar të raportojë gjerësisht mbi krimet e kryera nga myslimanë apo azilkërkues në vende të tjera», tha Mujadzevic duke vërejtur se media po e lehtëson rritjen e ndjenjave anti-islamike mes popullsisë.

«Në rast se do të ketë një valë të re me refugjatë… Islamofobia do të bëhet një forcë reale në Kroaci», tha ai.

Shqetësimet e Mujadzevic u ndanë nga Bojan Perovic, një kërkues nga Universiteti i Hamburgut dhe një ekspert për ëështjet e të drejtave të njeriut në Serbi.

Ai paralajmëroi për rritjen e ndjenjave anti-myslimane në median e Serbisë dhe rrezikun që këto ndjenja të shtohen pas mbështetjes së gjerë që morën nacionalistët e vijës së ashpër në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ndërsa Perovic vërejti se autoritetet e Serbisë reaguan me shpejtësi ndaj krizës së refugjatëve, ai vërejti se ndjenjat anti-islamike janë të pranishme si në librat e shkollës në Serbi ashtu edhe në gazetat tabloide.

«Në të ardhmen, veëanërisht pasi partitë nacionaliste u rikthyen në parlament, ne mund të presim që kjo lloj retorike të bëhet edhe më popullore», tha Perovic për BIRN.

Si Perovic ashtu edhe Mujadzevic janë mes ekspertëve që morën pjesë në një panel diskutimi dedikuar ndaj Islamofobisë në Ballkan, organizuar si pjesë e Samitit të parë Europian mbi Islamofobinë që u zhvillua të dielën.

Panelistë të tjerë theksuan shqetësimin se retorika islamofobe mund të gjendet gjithashtu në vende si Kosova dhe Bosnja, ku myslimanët përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë.

Arber Fetiu, një kërkues nga Universiteti i Montrealit, nga Kosova, tha se megjithëse shumë njerëz në Kosovë praktikojnë Islamin, stereotipet negative kundër «burrave me mjekër» apo «grave të mbuluara» po bëhen gjithnjë e më të zakonshme si një pasojë e shqetësimeve ndaj radikalizimit dhe ekstremizmit, si dhe për shkak se ata shihen si «ndikim fetar i huaj» i cili mund të dëmtojë pavarësinë e Kosovës.

«Këta njerëz shpesh përshkruhen si burra dhe gra që janë paguar nga vendet arabe, e madje edhe nga Serbia – sipas disa teorive konspirative – për të ‹ri-islamizuar› Kosovën», tha Fetiu në konferencë.

Dermana Seta, një eksperte nga Bosnja mbi studimet fetare e cila drejton komisionin për lirinë e besimit brenda Bashkësisë Islamike të Bosnjës, vërejti se myslimanët e Bosnjës janë shpesh viktima të gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes në zonat ku ata janë në minorancë.

Ajo tha se lëvizjet e autoriteteve të Bosnjës për të luftuar terrorizmin dhe radikalizimin kanë kontribuar në stigmatizimin e besimtarëve myslimanë si kërcënime potenciale të sigurisë.

«Strategjia e Bosnjës kundër terrorizmit në mënyrë specifike përmban masa kundër ekstremistëve myslimanë… ndërsa lëvizjet e tjera ekstreme të të djathtës (serbë dhe kroatë) as nuk përmenden fare», tha Seta për BIRN.

«Qeveria jonë po përpiqet të krijojë përshtypje të mirë te partnerët Perëndimorë, por teknikat e saj nuk po bëjnë asgjë pozitive në situatën brenda vendit», shtoi ajo.

(BIRN Albania: http://www.reporter.al/ekspertet-paralajmerojne-rrezikun-e-shtimit-te-islamofobise-ne-ballkan/)