Eksperienca shqiptare në biznesin novator

Njihni të rinjtë shqiptarë që eksperimentojnë me ide të reja për të ndërtuar biznese «startup».

Foto: Durch sdecoret / Shutterstock



Jetojmë në epokën e mendjes, ideve, atyre të thjeshta në dukje, por revolucionarizuese në përmbajtje. Ide, që vijnë edhe nga  mendjet e bukura të të rinjve, por që shpesh mbeten në letër, ose «vyshken», për shkak të klimës së ashpër të një biznesi me vizion  të ngushtë. Ato pak ide që ja dalin, pas shumë sakrificash, pune dhe mbështetjeje, të lulëzojnë dhe të sjellin të ardhura, mund të konsiderohen ngjarje shumë të rralla.

Shqipëria është një mjedis i vështirë për arritje te tilla, por edhe këtu ka nga ata që provojnë ta shndërrojnë idenë në një risi  konkrete dhe e gjitha kjo ka një fillim – një «startup».

Genti Selenica, themelues i «Baboon» thotë:

«‹Startup›-i është periudha e fillimit të një biznesi nga 1 deri në 3 vjet. Në rastin e teknologjisë janë biznese të krijuara, kryesisht, nga të rinj, nga kërkesat e reja  të tregjeve.»

Ndërsa për drejtorin ekzekutiv të «Protik», Erton Graceni, «çdo biznes në fillimet e tij është një ‹startup›». Një nga organizatorët e «Startup Weekend», Mateo Prifti thotë se: «përkufizimi i këtij termi hap debat, sepse për disa është një biznes që lidhet vetëm me fushën e novacionit teknologjik,për të tjerë  me fushën e ekonomisë».

Këto janë disa përkufizime. Ndërkaq, gjithkush ka variantin e tij të fillimit të një sipërmarrjeje teknologjike e sigurisht edhe rrugëtimin  e tij, por dy janë shtyllat kryesore, që do ta mbajnë atë në këmbë:  ideja dhe financimi i saj. Nëse shohim  situatën në Shqipëri, idetë në fushën e «startup»-eve teknologjikë nuk mungojnë. Çfarë  mund të konsiderohet problem është mbështetja prej atyre, që në zhargon quhen «mentorë», ose «ëngjëj financues», pra që investojnë për ecjen, e mëtejshme, të një biznesi fillestar të suksesshëm.

«Kemi dy lloj investitorësh: shqiptarë dhe të huaj. Edhe  ‹startup›-et  janë për tregun shqiptar dhe për atë të huaj. Situata është e tillë që investitorët shqiptarë janë të tërhequr  shumë dhe vetëm ata të  huaj janë më konkretë, por  kjo në rastin, kur produktet kanë për destinacion  tregun jashtë vendit», thotë Erton Graçeni, drejtor ekzekutiv i  qendrës së inovacionit, «Protik».

«Protik», një organizatë joqeveritare e krijuar në vitin 2012, ka synim ta lehtësojë  dhe mundësojë, në rastin më të mirë, marrëdhënien mes «startup»-ve shqiptarë dhe investuesve të mundshëm.

Ka edhe nga ata që i gjejnë vetë financimet, edhe pse jashtë Shqipërisë. I tillë  është rasti i një aplikacioni, risi, në fushën e shpërndarjes së ushqimit në Shqipëri, «Baboon», një ide, të cilën zbatuesi i saj «e vodhi» nga tregu amerikan, dhe e përshtati me sukses në tregun e rrëmujshëm dhe të etur shqiptar. Sot, rreth 2  vjet pas hyrjes  në treg, biznesi është zgjeruar dhe kompania ka mbi 20 të punësuar. Ndërkohë, synon të shtrihet  edhe përtej oqeanit, në një të ardhme jo fort të largët.

Po si ja ka dalë mbanë themeluesi i “Baboon”, Gent Selenica, që të bindë investitorët?

«Investitorët nuk e kanë fare problem kur kanë të bëjnë me një njeri të përgatitur, me këmbë në tokë, që i thotë gjërat  siç janë, pa historira me shumë miliona euro».

Ai ka edhe një këshillë për gjithë ata të rinj që duan të ketë sukses:

«Duhet të keni respekt për kohën tuaj dhe të mos humbisni minutën».

Darjo Rexhollari është një prej të rinjve, që punon dhe nuk heq  dorë, për të parë një ditë aplikacionin e tij «Spontan» të ketë sukses në treg.

«Unë e financoj vetë  aplikacioni tim. Është pikërisht  filozofia e ‹startup›-it. Ne mblidhemi me grupin tonë. Secili prej nesh ka aftësinë e tij dhe punojmë  së bashku për orë të tëra. nuk kërkojmë investim për momentin, por më vonë, kur të arrijmë diçka mund të kërkojmë investim për të kaluar në fazën tjetër.»

Në një tjetër rrugëtim, më pranë suksesit, është Alen Saqe, themeluesi i platformës «Dentem».

«Dentem» është një platformë që mundëson menaxhimin e gjithë aktivitetit të një mjeku stomatolog duke ja besuar atë një aplikacioni  shumë të avancuar.

Edhe për të, vështirësia qëndron te investitorët shqiptarë, ndaj ai e ka përqendruar vëmendjen jashtë Shqipërisë dhe shpreson t’ia dalë së shpejti mbanë.

«Investitorët shqiptarë i përkasin më së shumti  fushës së ndërtimit dhe nuk e kuptojnë mirë konceptin e përfitimeve që vijnë nga zhvillimi i teknologjisë së  informacionit».

Në këtë terren të vështirë, ata që duan të ecin i kanë, gjithsesi, disa pika referimi, apo «dyer» ku mund të trokasin. Njëra syresh është «Innovation hub», një hapësirë publike e krijuar një vit më parë, që u ofron të rinjve trajnime, mentorime, apo edhe mundësi për t’u lidhur me investitorë të interesuar për produktet e tyre.

Drejtoresha e kësaj qendre, Ada Ilia është optimiste.

«Kjo hapësirë u shërben të rinjve për të zhvilluar idetë e tyre dhe shndërruar ato nga një ide në një produkt. Veç kësaj,  organizojmë shumë trajnime me mentorë të huaj dhe shqiptarë që u vijnë në ndihmë individëve për të krijuar bizneset e tyre, por edhe për punësim. Një vit më parë kemi financuar edhe 16 ‹startup›-e, të cilat i përzgjodhëm nga 120 aplikacionet që na erdhën. Këto ide kanë përfituar grante dhe 4 prej tyre ja kanë dalë të hapin biznese».

Por ka edhe evente të  herëpasherëshme private, apo shtetërore, që bëjnë bashkë të rinjtë  për të shpalosur idetë e tyre, për t’ua bërë ato të njohura biznesmenëve potencialë.

Mateo Prifti është një nga  organizatorët e «Startup Weekend».

«Në moshën 16 vjeçare kisha një ide biznesi, por nuk dija si ta zhvilloja. Dëgjova për ‹Startup Weekend Tirana›. U përfshiva në këtë aktivitet dhe kjo ishte një përvojë që më rriti shumë. Më pas, konkurrova në një event tjetër të tillë, ku edhe fitova dhe këtë përvojë doja ta ndaja edhe me  të rinjtë të tjerë. Kjo më bëri të marr  përsipër organizimin ‹Startup›-it të parë për mosha të reja».

Që prej 5 vitesh, një platformë mbarëkombëtare, kushtuar tërësisht «startup»-eve teknologjikë ICT Awards, vlerëson më të mirat e prurjeve në këtë fushë, duke synuar që përmes këtij vlerësimi të japë shpresë dhe nxitje për ata që kanë ide  të konceptuara mirë.

Kushtrim Shala, manaxheri i çmimeve «ICT AWARDS», thotë se nga viti në vit prurjet janë përmirësuar.

«Çdo vit vijnë rreth 150 aplikime të konceptuara shumë mirë dhe kjo e bën të vështirë edhe punën e jurisë në përzgjedhjen e më të mirëve».

Komuniteti i «startup»-eve teknologjikë është  ende i ri dhe i brishtë, në Shqipëri. Si çdo  sipërmarrje tjetër edhe ato duan kërkim, guxim, fat dhe shumë këmbëngulje , për të pasur sukses në një terren të vështirë.

(https://www.reporter.al/eksperienca-shqiptare-ne-biznesin-novator/)