EKSKLUZIVE: Përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare janë kërcënuar edhe me tërheqje të KFOR-it nëse vazhdon aventura kundër Gjykatës Speciale

Kushdo nga deputetët që i bashkohet aventurës për rrëzimin e Gjykatës Speciale duhet ta ketë të qartë se po i bën një shërbim diplomacisë ruse, e cila kohëve të fundit ka qenë e suksesshme në anulimin e njohjes së Kosovës nga Surinami dhe po shton përpjekjet për minimin e pavarësisë së Kosovës. Gjërat sa i përket Gjykatës Speciale kanë shkuar larg dhe me miratimin e Kuvendit të Kosovës.

Ilustrimi: Shutterstock



Kosova po e mbyll një ditë dramatike me shqetësime të pjesëve të mëdha të opinionit publik mbi zhvillimet e mëtutjeshme. Në një aksion të furishëm koalicioni qeverisës i prirë nga Partia Demokratike e Kosovës bëri përpjekje të sjellë në parlament për votim një projektligj, i cili do të shfuqizonte Gjykatën Speciale. Kjo gjykatë është miratuar në parlament në vitin 2015 – edhe me votat  PDK-së.

Ndërkohë PDK ka ndërruar mendjen dhe presidenti Hashim Thaçi bashkë me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe shefin e qeverisë Ramush Haradinaj janë përpjekur të «kontrabandojnë» një projektligj që Kosovën e vë në një pozitë tejet të vështirë karshi bashkësisë ndërkombëtare. Për këtë qëllim ditëve të fundit janë mobilizuar veteranët e UÇK-së – natyrisht për të mbledhur nënshkrime kundër Gjykatës Speciale. Përpjekjet e koalicionit qeverisës për të provokuar perëndimin duke dalë kundër Gjykatës Speciale gjatë mbrëmjes së të premtes mobilizuan ambasadorët e Washingtonit dhe Londrës për t’i bërë presion partive politike të «krahut të luftës» të heqin dorë nga nisma e tyre. Krahas diplomatëve të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe kanë reaguar edhe ambasadori gjerman dhe përfaqësuesja e BE-së në Kosovë. Të gjithë e kanë quajtur iniciativën e PDK-së dhe satelitëve të saj si të dëmshme për Kosovën, të rrezikshme, të tmerrshme, e cila mund të çojë në izolimin e Kosovës.

Por, prapa kulisave mesazhet kanë qenë edhe më të ashpra. Një deputet i Kuvendit të Kosovës ka thënë në kushte anonimiteti se ka pasur kërcënime nga ana e përfaqësuesve ndërkombëtarë me tërheqje të KFOR-it nëse vazhdon aventura e «politikan-komandantëve» kundër Gjykatës Speciale. Ky kërcënim duket se i ka bërë përshtypje një pjese të konsiderueshme të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. «Situata është tejet serioze», tha deputeti.

Dështimi i mbledhjes së Kuvendit të premten ndodhi për shkak se LDK dhe VV nuk morën pjesë në takimin e kryesisë së Kuvendit, e cila do të duhej të caktonte seancën e jashtëzakonshme. Burime të ndryshme tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ende mbetet e ndarë nëse do ta mbështes apo jo «krahun e luftës» për të rrëzuar Gjykatën Speciale. Por gjasat që partitë politike t’ia bllokojnë rrugën veprimit të drejtësisë duken të vogla. Pikësëpari me rrëzimin e ligjit përkatës nuk bie Gjykata Speciale, ajo mbetet në Kushtetutë. Për heqjen e saj nga Kushtetuta kërkohet shumica e dyfishtë – domethënë dy të tretat e deputetëve shqiptarë dhe të pakicave.

Në rast se parlamenti i Kosovës në ditët në vijim kalon projektligjin kundër Tribunalit Special, fillimisht Kosova do të izolohet politikisht dhe ka gjasa të hyjë në një fazë jostabile. Pastaj presioni ndërkombëtar do të rritet dhe përkrahja do të zvogëlohet. Në një situatë të tillë, sipas diplomatëve perëndimorë, shumë palë (e sidomos Serbia dhe Rusia) do ta ndiejnë veten të trimëruara për të acaruar situatën në rajon, veçanërisht në veriun e vendit, në mos edhe në Maqedoni. Loja e deputetëve të Kosovës është lojë me zjarr.

Bashkësia ndërkombëtare, ku hyjnë BE, SHBA-të, Këshilli i Europës, i cili ka miratuar raportin e Dick Martytit, do të gjenden në një situatë kur duhet të gjejnë rrugëdalje. Një rrugëdalje është kthimi te Rezoluta 1244 dhe kërkesa në drejtim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të themeluar një gjykatë të veçantë për të trajtuar pretendimet serioze të raportit të Dick Martyit. Kushdo nga deputetët që i bashkohet aventurës për rrëzimin e Gjykatës Speciale duhet ta ketë të qartë se po i bën një shërbim diplomacisë ruse, e cila kohëve të fundit ka qenë e suksesshme në anulimin e njohjes së Kosovës nga Surinami dhe po shton dita ditës përpjekjet për minimin e pavarësisë së Kosovës. Gjërat sa i përket Gjykatës Speciale kanë shkuar larg dhe me miratimin e Kuvendit të Kosovës dhe të vetë Hashim Thaçit. Në një seancë të Kuvendit të Kosovës në qershor të vitit të kaluar Thaçi kishte deklaruar: «Më duhet të them se nevojë e jona është që të pastrohemi nga ky etiketim i panevojshëm dhe i padrejtë për emrin e luftës së shenjtë të UÇK, që u përkrah nga e mbarë bota… Ne e dimë që në të gjitha luftërat ka pasur edhe lëshime, ka pasur edhe krime… Prandaj, Kosova duhet që të lirohet nga kjo të them <legjendë e zezë>, e krijuar padrejtësisht për ta dëmtuar imazhin e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës». Në të vërtetë, Gjykata Speciale nuk është krijuar për të dëmtuar imazhin e qytetarëve të Kosovës, sepse ata nuk janë fajtorë për krimet e ndonjë individi, pa marrë parasysh kush është ai.