Ekskluzive: Gruevski kaloi nëpër Shqipëri, një automjet i ambasadës hungareze në Tiranë e dërgoi në Mal të Zi

Si iku ish-autokrati maqedonas përmes pikëkalimit kufitar të Hanit të Hotit dhe Malit të Zi në Hungari.

Nikolla Gruevski.



Burime të policisë shqiptare bëjnë me dije se ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski më 11.11.2018 në orën 19:11 ka dalë nga Shqipëria në Mal të Zi me një veturë të ambasadës hungareze në Tiranë. Targat e automjetit janë: CD1013A. Gruevski njoftoi të martën përmes Facebookut se ka kërkuar azil në Hungari për shkak se gjoja paskësh marrë kërcënime me vdekje në Maqedoni.

Gruevski ka qeverisur mbi 10 vjet Maqedoninë, duke u shndërruar gjithnjë e më tepër në një autokrat të rrezikshëm, i cili mbante lidhje të ngushta me Kremlinin. Ai u dënua në Maqedoni me burg për shkak të keqpërdorimeve financiare me rastin e blerjes së një veture zyrtare në vlerë prej rreth 600 mijë euro. Kundër Gruevskit drejtësia maqedonase po zhvillon hetime edhe për delikte të tjera. Gruevski dyshohet se gjatë sundimit të tij ka përgjuar mbi 20 mijë qytetarë maqedonas. Një kushëri i tij, i cili ishte shef i shërbimit sekret, dyshohet të ketë inskenuar një përleshje të armatosur me disa aventurierë dhe kriminelë shqiptarë nga Kosova dhe rajoni me qëllim të nxitjes së konfliktit në Maqedoni. Kështu Gruevski me gjasë synonte të neutralizonte protestat e opozitës të prira nag socialdemokratët e Zoran Zaevit, i cili tani është kryeministër.

Mbetet mister i madh se si arriti Gruevski të largohej nga Maqedonia, ndërsa thuhej se ishte nën mbikëqyrje të policisë. Kalimi i tij nëpër Shqipëri imponon pyetje të pakëndshme edhe për autoritetet shqiptare. Me çfarë pasaporte kaloi Gruevski nëpër Shqipëri? Dhe a kishte lidhje me ndonjë nga politikanët udhëheqës në Tiranë?