EKSKLUZIVE: Arrestohet një islamist shqiptar në Vjenë, planifikonte atentat

Të premten në mbrëmje në Vjenë është evituar një sulm i madh terrorist. Policia austriake ka arrestuar një islamist shqiptar. Lajmin e kanë konfirmuar mediat austriake dhe ministri i Jashtëm i Austrisë.




Gazeta austriake Krone shkruan se Vjena të premten për pak i ka shpëtuar një sulmi terrorist. Njësia e policisë speciale Cobra ka arrestuar një të dyshuar për terrorizëm, pas njoftimeve që kishte marrë nga disa shërbime sekrete nga bota e jashtme. I dyshuari, një islamist shqiptar, kishte arritur në Vjenë të premten dhe ishte ndjekur hap pas hapi nga hetuesit austriakë. Të premten në mbrëmje ai u arrestua në lagjen Favoriten të Vjenës.

Sipas gazetës Krone ditëve të fundit kishte paralajmërime se një grup i islamistëve shqiptarë po planifikonte një sulm terrorist në Vjenë mes datës 15 dhe 30 janar. Autoritetet austriake të sigurisë ishin vënë në gatishmëri të plotë për të evituar sulmin. I arrestuari thuhet te jetë një shqiptar 18-vjeçar me shtetësi austriake.

Shqiptari i arrestuar dyshohet të jetë anëtar i të ashtuquajturit Shtet Islamik. Ai thuhet se kishte konstruktuar një mjet shpërthyes në Gjermani me qëllim që të shkaktojë një sulm përmasash të mëdha në Vjenë. I dyshuari u arrestua rreth orës 18:00, ndërsa një banesë në afërsi u bastis. Policia në Vjenë u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të vëmendshëm. Lajmin për arrestimin e shqiptarit të dyshuar për terrorizëm e ka konfirmuar edhe ministri i Jashtëm austriak Sebastian Kurz në një postim në Twitter.