EKSKLUZIVE: Ambasadori amerikan takon Albin Kurtin, Shpend Ahmetin dhe Visar Ymerin

Pas një sërë takimesh me diplomatë të vendeve perëndimore, sonte një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje ka takuar ambasadorin amerikan Greg Delawie. Takimi është zhvilluar në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë. Ambasadori citohet të ketë thënë se Washingtoni «do të bashkëpunojnë me atë qeveri që i siguron numrat, pra 61 deputetë».

Greg Delawie.



Pas suksesit në zgjedhjet elektorale të së dielës, me ç’rast Lëvizja Vetëvendosje (VV) dyfishoi numrin e votuesve, të mërkurën në mbrëmje një delegacion i VV i përbërë nga kandidati i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe kryetari i VV, Visar Ymeri, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Greg Delawie. Takimin e kanë konfirmuar për «dialogplus» disa pjesëmarrës si dhe burime ndërkombëtare.

«Në takim u lavdërua procesi zgjedhor, ndërsa delegacioni i VV e njoftoi ambasadorin se çfarë mendon Lëvizja Vetëvendosje të ndërmarrë në qeverisje me 40 pikat e programit të saj», tha njëri nga pjesëmarrësit në takim. Ambasadori Delawie, sipas këtij burimi, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës «do të bashkëpunojnë me atë qeveri që i siguron numrat, pra 61 deputetë».

Të martën Albin Kurti, Shpend Ahmeti dhe Visar Ymeri janë takuar me ambasadorët e Francës dhe Italisë, ndërsa të mërkurën janë zhvilluar takime me ambasadorin e Britanisë së Madhe dhe me shefen e EULEX-it, Nataliya Apostolova. Të hënën delegacioni i Vetëvendosjes ka takuar edhe ushtruesen e detyrës së ambasadores së Gjermanisë (chargé d’affaires) në Kosovë.