Ekonomisti zviceran: Secili duhet të marrë 1000 euro rrogë nga shteti – pa punuar

Fitimet nga globalizimi janë të shpërndara gabimisht, mendon ekonomisti Thomas Straubhaar. Për këtë arsye ai propozon një rrogë bazike të pakusht. Straubhaar, 59-vjeçar, i ka parë nga afër pasojat e globalizimit. Qëndrimi i tij kritik vetëm sa u përforcua pas këtyre udhëtimeve. Në librin e tij të ri «Radikal i drejtë. Si e revolucionin shtetin social rroga bazike e pakusht», profesori zviceran i ekonomisë në Hamburg kërkon një kthesë radikale të sistemit.

Thomas Straubhaar.



Keni udhëtuar shumë për t’i parë pasojat e globalizimit. Çfarë keni mësuar?

Që ne duhet të mendojmë nga fillimi. Të mendojmë se si e vlerësojmë pabarazinë. Si e matim. Nuk mjafton nëse shikojmë mesataren e ekonomive popullore. Shifrat ekonomke nuk e tregojnë historinë e plotë.

Çfarë heshtin ato?

Kam qenë në Amerikën Latine. Natyrisht e dija se atje pabarazia është më e madhe. Por është diçka tjetër ta përjetosh pabarazinë nga afërsia. Metrotë në Mexiko City janë të mbushura plot e përplot, njerëzit udhëtojnë një deri dy orë në mëngjes për të shkuar në punë dhe deri në dy orë në mbrëmje për t’u kthyer në shtëpi. Pastaj ata marrin rrogën minimale prej 80 pezo, pra katër euro – në ditë. Kjo ndodh në një qytet, i cili gjithsesi i ka shpenzimet e veta të përditshme.

Ju jeni i njohur si ekonomist që u beson mekanizmave të tregut. A është lëkundur botëkuptimi juaj?

Unë edhe më parë kisha dyshuar në teorinë e pastër të efikasitetit. Vëzhgimet e mia empirike i kanë përforcuar këto mendime kritike. Tepër gjatë i kemi besuar teorisë se tregtia e lirë, sipërmarrja e lirë, pak shtet automatikisht krijojnë barazi dhe se ne vetëm duhet të presim mjaft gjatë deri kur në fund do të shpërblehen të gjithë. Kur udhëton nëpër këto vende, atëherë rriten dyshimet.

Kjo po tingëllon sikur mendoni se globalizimi ka dështuar.

Nejse, pikësëpari globalizimi ia ka arritur që sot aq shumë njerëz të jenë më mirë se ndonjëherë më parë. Kurrë nuk kanë jetuar kaq shumë njerëz kaq mirë dhe kaq gjatë dhe kaq shëndetshëm se sot dhe këtë praktikisht po e përjetojnë të gjitha shoqëritë.

E ku qëndron atëherë problemi?

Njerëzit i refuzojnë situatat «win-win» (situatë kur përfitojnë të gjithë), nëse fitimet ndahen në mënyrë të pabarabartë. Nëse krijoni një situatë në të cilën mund të fitohen 100, por ju e ndani këtë fitim 99 me 1, atëherë ai që e merr 1 nuk do ta quajë këtë zgjidhje si të ndershme dhe të pranueshme. Ndonëse ai objektivisht do të kishte më shumë se më parë.

Domethënë: të gjithë kanë përfituar, vetëm disa shumë më tepër.

Shumica e kanë të qartë se ekonomikisht i kanë punët më mirë se prindërit apo gjyshërit e tyre. Por ata po shohin se hendeku po bëhet dukshëm më i thellë. Dhe si në krizën e bankave fitimet po privatizohen dhe humbjet po socializohen. Të rinjtë po thonë se jeta është bërë më e vështirë. Pasiguria është më e madhe, planifikimi është bërë më i vështirë. Për herë të parë prej një kohe të gjatë në Amerikë po rritet vdekshmëria e të punësuarve të moshës së mesme.

A po bëhet ky hendek edhe më i madh nga shtysa e digjitalizimit?

Po, prandaj unë angazhohem që të mësojmë nga gabimet e viteve të kaluara. Duhet të gjejmë mjete që shoqëria të mos polarizohet edhe më tutje nga globalizimi dhe digjitalizimi.

A nuk është vonë për këtë? Tani kur ata që e konsiderojnë veten viktima të globalizimit e çuan Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë?

Ndoshta kemi edhe një shans. Në Europë tek këtë vit mbahen zgjedhje. Besoj se ne mund të arrijmë një ringritje, e cila tregon: e kemi kuptuar, por reagojmë. Por nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë do ta përjetojmë trumpizmin dhe neonacionalizmin edhe në Europë. Nëse nuk duam të kemi një Trump europian, duhet të ofrojmë diçka që njerëzve u jep një sinjal se ata nuk po mbesin mbrapa.

A e shënon Trumpi fundin e globalizimit?

Nuk mjafton të ankohemi për Trumpin. Ai vetëm e ka shfrytëzuar atë që më parë e kanë shkaktuar elitat. Gabimet janë bërë më herët. Është etabluar një egoizëm, i cili madje viteve të fundit është krenuar me veten e tij. Është mbjellë egoizmi, e korrëm Trumpin. Duhet të jemi mjaft të mençur që të mos e tendosim egoizmin në interesin personal. Na duhet një pajtim i ri i vlerave sociale dhe liberale.

Dhe ky pajtim, sipas jush, bazohet në idenë e rrogës bazike të pakusht prej ndoshta 1000 euro në muaj, e cila i zëvendëson të gjitha kontributet sociale si pensionin, rrogën gjatë papunësisë apo ndihmën sociale.

Po. Sistemi ynë social, sistemi ynë tatimor: gjithçka mbështetet në baza që po shpërbëhen. Të gjitha modelet nisen nga ajo se ne punojmë pandërprerë 45 vjet, se familjet përbëhen nga burri e gruaja dhe dy fëmijë. Por ky nuk është më rasti normal dhe në të ardhmen do të jetë edhe më pak. Sistemi ka plot padrejtësi. Ekzistojnë kufijtë e matjes së kontributeve: kush mbetet nën to, duhet të paguajë. Kush gjendet mbi to, mund të shkëputet nga solidariteti ndaj gjeneratave të tjera. Zyrtarët publikë nuk paguajnë fare. Kush ka të ardhura nga qiraja apo kapitali, po ashtu mund të largohet pa pasoja.

Të gjitha këto mund të ndryshohet. A duhet që menjëherë të bëjmë një ndryshim të sistemit? Mund të bëhen ndërhyrje në bazën e modelit të vjetër.

Kjo nuk funksionon. Diçka e tillë nuk funksionon kurrë. Reformat e vogla shpesh dështojnë për shkak të grupeve të interesit. Kërkohen projekte të mëdha për të arritur ndryshime. Riparimi i ekzistueses nuk mjafton. Por ekziston edhe një arsye tjetër për rrogë bazike: përmes saj kemi shansin historik të rimendojmë për punën.

Çfarë po mendoni me këtë?

Deri më tani sistemi ynë bazohet në atë se njerëzit janë të detyruar të pranojnë vende pune, të cilat në të vërtetë janë çnjerëzore. 200 vjet ka qenë kështu. Por në një botë ku robotët kryejnë gati çdo punë, kjo s’na duhet më. Asnjë njeri nuk duhet më të pranojë për pak para vende pune, të cilat nuk i kryen askush me qejf. Puna nuk është më obligim ekzistencial.

Punëdhënësit mund ta shohin rrogën bazike si shans historik për të hequr qafe në mënyrë elegante shpenzimet. A nuk ju bën kjo mosbesues kur menaxherët kryesorë befas ëndërrojnë për rrogën bazike?

Deri më tani ka qenë kështu: sapo përjashtohej dikush nga puna, shteti duhej të kujdesej për të. Ndërmarrjet nuk kishin asnjë punë me të. Në të ardhmen punëdhënësit duhet të kujdesen që të krijojnë një ambient ku punëtorët duan të japin kontributin e tyre.

Ndonjëri do t’i marrë 1000 euro dhe do të ndihet rehat.

Edhe rroga bazike nuk do ta krijojë një njeri më të mirë. Përherë ka njerëz që refuzojnë të punojnë, edhe në sistemin e sotëm. Por rroga bazike nuk është shpërblim për ndërprerje të punës, siç po thuhet shpesh. Rroga bazike legjitimon njerëzit, të cilët duan të bëjnë diçka. Kush është dobët i arsimuar, mund të largohet nga procesi i punës për një kohë dhe të shkollohet më tutje. Nga kjo përfitojnë të gjithë.

Por individi do të humbte pretendimet e tij individuale. Me 1000 euro do të paguhej gjithçka. Por kjo është e padrejtë. Dikush që jeton në malet e Bavarisë ia del me këtë shumë, një që jeton në Mynih me siguri jo.

Nëse ka arsye të mira për përjashtime, atëherë është plotësisht në rregull që ato të përmenden. Natyrisht edhe invalidi në karrocë nuk ia del me 1000 euro. Shteti në rast të tillë duhet të paguajë një kontribut shtesë.

Pastaj një grup pas tjetrit do të parashtrojë kërkesa, rrëmuja e kontributeve sociale do të ishte më e madhe se kurrë më parë.

Jo patjetër. Duhet të arsyetohet vërtet mirë nëse në një rast individual do të ketë shmangie nga modeli themelor. Nga kjo nuk e humb menjëherë atraktivitetin. Është shumë më transparent, shumë më i drejtë. Ndihmon në tëhollimin e burokracisë. Dhe vjen në çastin e duhur, pasi që makinat po kryejnë gjithnjë e më shumë veprimtari dhe financimi i shtetit social nga kontributet që merren nga rrogat po funksionon gjithnjë e më pak.

Çka ju bën kaq të sigurt? Para disa dekadave shumë njerëz mendonin se automatizimi do të shkaktojë papunësi masive. Vërtet sot në shumë uzina ka robotë, por prapë në Gjermani si kurrë më parë janë të punësuar shumë qytetarë.

Nuk po them se po na mbaron puna. Digjitalizimi do të eliminojë miliona vende të punës, por ai do të krijojë edhe miliona vende të punës, të cilat sot nuk mund t’i marrim me mend.

Atëherë nuk ka arsye për rrogë bazike?

Jo ka arsye, sepse shtysa teknologjike vjen pashmangshëm, dhe bota e punës në të ardhmen do të ketë kërkesa të tjera. Nuk do të punohet më 8 orë në ditë gjatë 46 javëve të vitit dhe 45 viteve pa ndërprerje dhe nuk do të gjenerohet rrogë gjatë tërë jetës. Procesi do të jetë me thyerje, koha e lirë do të ketë më shumë vlerë. Ky ndryshim e vështirëson financimin e deritanishëm të shtetit social.

A mendoni se është realiste që kjo ide të jetësohet?

Nuk e kam qëllimin që këtë model ta realizojë që nesër. Do të ishte e arritur e madhe nëse do të zhvillohej një debat në mënyrë që qytetarët të mos kenë përshtypjen se me digjitalizim punët po ecin po aq keq sa me globalizimin. Gjatë globalizimit kemi dështuar, sepse e kishim parasysh vetëm efikasitetin dhe çështjet e ndarjes së mirëqenies mbetën të patrajtuara. Nga kjo duhet të mësojmë dhe kur të merremi me pasojat e digjitalizimit çështjen e ndarjes së mirëqenies duhet ta trajtojmë me prioritet.

(Der Spiegel, 11.02.2017)