Ekipet gati për Evropë – për Kosovë s’kanë as për licencë




Sigal Prishtina, Peja, Bashkimi e Trepça kanë angazhuar tashmë plot basketbollistë të huaj për edicionin e ri. Por asnjëra prej katër skuadrave të mëdha të basketbollit kosovar nuk ka kryer një obligim bazik për pjesëmarrje në gara – nuk ka paguar licencimin, shkruan Koha Ditore.

 

Prishtina në edicionin e ri pos në kampionatin e Kosovës në basketboll do të luajë edhe në Ligën Ballkanike, si dhe në FIBA Euro Cup. Peja e Bashkimi do të luajnë në Superligën e Kosovës dhe në Ligën Ballkanike.

Prishtina ka angazhuar plot gjashtë lojtarë të huaj. Peja tashmë ka tre të huaj dhe pritet të marrë edhe disa të tjerë. Bashkimi i ka dy lojtarë nga Shqipëria dhe dy të huaj e po ashtu pritet të marrë disa përforcime të tjera. Vlerësohet se të paktën dy prej tri skuadrave kanë lojtarë që pagën mujore e kanë më të lartë se shuma që duhet paguar për licencim – tre mijë euro.

Në të vërtetë, licencimi i klubeve është dashur të bëhej para 7 shtatorit. Por, pasi klubet nuk i kanë kryer obligimet për licencim, Federata e Basketbollit e Kosovës të mërkurën u ka dhënë atyre afat shtesë për licencim deri të premten.