Efekti «Azem Syla» në politikën zvicerane

Kosovarët janë pothuaj të papërfaqësuar në politikën zvicerane, shkruan me ton ankues gazeta «Solothurner Zeitung». Në zgjedhjet e fundit në kantonin e Solothurnit kandiduan tre shqiptarë, asnjëri nuk fitoi. Shqiptarët ende vuajnë nga imazhi i keq i shkaktuar nga bandat e drogës në vitet ’90 dhe sidomos në kantonin e Solothurnit nga efekti «Azem Syla».

Pamje e qytetit të Solothurnit. Foto: Shutterstock



Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ministri i Mbrojtjes i «Qeverisë së Përkohshme» të Kosovës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe profesori i kimisë Azem Syla ka jetuar disa vite në kantonin e Solothurnit si refugjat politik – nga paratë e taksapaguesve zviceranë. Kjo s’është diçka përbuzëse, të gjithë refugjatët mbështetën nga shteti derisa të integrohen në procesin punues. Syla nuk punoi asnjëherë në Zvicër, me gjasë për shkak të problemeve shëndetësore, të cilat për të nuk qenë pengesë që ai nëpër kodra e male, në borë e në shi të komandojë UÇK-në deri në ditën e çlirimit për të marrë pastaj detyrën e ministrit të Mbrojtjes në «qeverinë» post-Rambouillet të Hashim Thaçit.

Ndonëse u kthye në Kosovë pas vitit 1999, Syla nuk hoqi dorë nga leja e qëndrimit në Zvicër dhe para së gjithash nuk hoqi dorë nga shfrytëzimi i ndihmave sociale. Që nga viti 2002 deri në vitin 2011 ai mori rreth gjysmë milioni franga nga autoritetet e kantonit të Solothurnit, të cilat pasi zbuluan se Syla po merrte edhe rrogë deputeti në Kosovë, vendosën t’ia ndërpresin ndihmat dhe t’ia anulojnë lejen e qëndrimit në Zvicër. Kjo aferë ka dominuar me vite jo vetëm shtypin lokal në kantonin e Solothurnit, por edhe mediat nacionale të Zvicrës. «Deputeti i Kosovës mashtron sistemin social të Zvicrës» – titujt e tillë e kanë dëmtuar edhe më shumë imazhin e shqiptarëve, sidomos në kantonin e Solothurnit në Zvicrën qendrore.

Çmimin e këtyre aferave e paguajnë djem e vajza si Shpëtim Xhemaili, Kosovare Rrustemi dhe Përparim Rekaj. Në mars që të tre kandiduan në zgjedhjet për parlamentin kantonal – dhe që të tre nuk patën asnjë fije shansi. Xhemaili kandidoi për Partinë Demokristiane (CVP), Rrustemi për socialdemokratët (SP), Rekaj për liberalët (FDP). Kosovarët, shkruan gazeta «Solothurner Zeitung», janë pothuaj të papërfaqësuar në politikën zvicerane, duke përmendur imazhin ende të keq të shkaktuar nga bandat e drogës në vitet ’90 dhe nga shoferët e papërgjegjshëm. Por një fakt tjetër të cilin gazeta nuk e përmend është efekti «Azem Syla». Asgjë nuk e acaron më shumë një qytetar zviceran se sa kur kupton se një i huaj apo një vendas ka keqpërdorur ndihmat sociale apo pensionet invalidore, të cilat financohen nga taksat.

Kosovarët e parë erdhën në Zvicër në vitin 1964 dhe fillimisht punuan në sektorin e bujqësisë dhe më vonë në ndërtimtari. Aktualisht në Zvicër jetojnë mes 200 deri 250 mijë shqiptarë. Në kantonin e Solothurnit jetojnë 5534 kosovarë – pa i llogaritur ata ma shtetësi zvicerane. Sarah Gretler, përkthyese, punëtore sociale dhe autore e një libri mbi historinë e emigracionit nga Kosova në Zvicër, mendon se arsyet përse shqiptarët e Kosovës janë pothuaj të papërfaqësuar në jetën politike të Zvicrës kanë të bëjnë me vitet e ’90, të cilat qenë shumë të vështira nën sundimin serb. Nga ky sundim nuk kanë vuajtur vetëm familjet në Kosovë, por edhe ato në mërgim. Parakushtet e ardhjes në Zvicër shpesh kanë qenë të pafavorshme, thotë Gretler. Për dallim nga komunitetet e tjera të huaja shumica e shqiptarëve të Kosovës nuk kanë ardhur vullnetarisht në Zvicër, por si pasojë e represionit apo kushteve të rënda ekonomike. «Duhet kohë», thotë Gretler.

Herolinda Rexhepi, Përparim Rekaj, Kosovare Rrustemi dhe Shpëtim Xhemaili kanë vendosur të braktisin rolin e spektatorëve dhe të angazhohen në politikë. Herolinda Rexhepi rrëfen për gazetën zvicerane mbi vështirësitë e saj në Partinë Demokristiane, ku një pjesë e anëtarëve më të moshuar nuk e akceptonin një aktiviste politike me emër që tingëllon i huaj. Ndërkohë Rexhepi, e cila, siç thotë, ka qenë rekrutja e parë shqiptare në Ushtrinë e Zvicrës, po provon karrierën politike në Partinë Socialdemokrate, e cila është më tolerante ndaj të huajve.

Përparim Rekaj, me origjinë nga Ferizaj, tregon se për shkak të emrit ka pasur më pak shanse për të nxënë një profesion, por ndërkohë ia ka dalë, ai sot drejton një firmë me 25 punëtorë, e cila merret me mirëmbajtjen e shtëpive. Por skepticizmin e zviceranëve Rekaj thotë se e vëren edhe sot. «E vërej gjatë kontaktit me sy apo në bazë të gjesteve të personit që kam përballë». Rekaj politizon në Partinë Liberale (FDP), e cila i qëndron besnike slloganit se qytetari duhet të marrë vetë përgjegjësi për fatin e tij.

Kosovare Rrustemi e bart prejardhjen në emër, por thotë se atdheu i saj, megjithatë, është Zvicra. Si shumica e kosovarëve edhe ajo tregon për përvojat e saj negative. Thotë se është interesuar në më shumë se 100 ndërmarrje për të nxënë një profesion – pa sukses. «E di se kjo ka të bëjë me prejardhjen time të huaj», thotë ajo, duke konfirmuar jo vetëm një përshtypje: një pjesë e madhe e shoqërisë zvicerane, sidomos në zonat jourbane, ka rezerva të mëdha ndaj të huajve, të cilat përzihen edhe me ndjenja raciste. Dhe këto rezerva bëhen edhe më të mëdha pas aferave si kjo me Azem Sylën, i cili në sytë e opinionit zviceran është vetëm një mashtrues. Por shpesh kosovarët ia dalin ta rrëzojnë murin e paragjykimeve. Kosovare Rrustemi tani është specialiste e marketingut dhe komunikimit – dhe me sukses drejton një restorant në fshatin Derendingen.