Edi Rama të merret me defektet e qeverisjes së tij – sulmet ndaj «Zërit të Amerikës» janë propagandë e qullët

Nëse një medium perëndimor denoncon nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri – qeveria në Tiranë duhet të jetë mirënjohëse për këtë dhe të punojë për të përmirësuar gjendjen. Konfrontimi me çdo zë kritik dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë. Kjo vlen sidomos tani – në 75-vjetorin e emitimit të programit në gjuhën shqipe të «Zërit të Amerikës». Edi Rama do të duhej t’ia uronte «Zërit të Amerikës» këtë përvjetor dhe jo të radhiste shkronja të padenja në profilin e tij në Twitter kundër «Zërit të Amerikës».

Propaganda e përparimit dalëngadalë ka filluar t'i përngjajë emisioneve të dikurshme të Radio Tiranës. Foto: Shutterstock



«Zëri i Amerikës» është medium serioz në shërbim të së mirës publike në Shqipëri dhe kudo ndër shqiptarë. Sot, ky medium ka njoftuar se Qeveria e Tiranës e Partisë Socialiste (PS) i ka shfrytëzuar konkurset publike për fushatë punësimi për zyrtarët e partisë, pra PS-së. Kronika e «Zërit të Amerikës» bazohet në hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Hulumtimi i «Zërit të Amerikës» shpalos defekte të mëdha në qeverisje nga ana e Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama.

Pas transmetimit të kësaj kronike, Edi Rama sulmoi ulët «Zërin e Amerikës» duke e barazuar me «kazanin» medial të Tiranës, siç i quan kryeministri shqiptar të gjitha ato media e gazetarë që nuk janë pjesë e kazanit të tij. (Në viset shqiptare secila parti politike e ka kazanin e vet medial dhe ata pak gazetarë të pavarur goditen nga dy fronte: nga politikanët dhe nga mediat e tyre).

Sulmet e padrejta të politikanëve shqiptarë kundër mediave perëndimore historikisht e kanë dëmtuar Shqipërinë – për shembull në vitet ’90. Andaj, Edi Rama më mirë të merret me defektet e qeverisjes së tij dhe t’i lë anash fjalët çapraze, sepse në asnjë vend që pretendon të integrohet në Bashkimin Europian, politikanët nuk duhet të sillen si pronarë të së vërtetës. E vërteta kullohet në një proces të gjatë publik, ku marrin pjesë edhe mediat kritike, opozita, personalitetet e pavarura publike etj.

Gjendja në Shqipëri nuk është e mirë. Këtë po e tregojnë protestat e studentëve që s’po ndalen qe disa javë. Përkundër reformës në sistemin e drejtësisë, të cilën pushteti dhe opozita përpiqen ta devijojnë për interesa të veta, gati çdo ditë ka njoftime për zyrtarë të korruptuar. Po sot korrespondenti i «Zërit të Amerikës» nga Gjirokastra njoftoi se Prokuroria e Krimeve të Rënda po kryen një hetim ndaj prokurorit të Gjirokastrës Spartak Çoçoli për veprën penale të «korrupsionit të gjyqtarëve dhe prokurorëve». Para disa javësh «Zëri i Amerikës» njoftoi se një firmë fiktive «amerikane» me seli në Dalaware kishte fituar kontrata në vlerë prej 30 milionë euro nga qeveria për ndërtimin e Unazës së Re në Tiranë. Hetimet tashmë kanë filluar, por asnjë zyrtar i qeverisë ende nuk ka dhënë dorëheqje për këtë skandal. Nëse Edi Rama mendon se ky medium është i njëanshëm, le të shikojë intervistën kritike që ka zhvilluar me Ilir Metën para disa muajsh.

Duke pasur korrespondentë në shumë qendra shqiptare nga jugu në veri, pastaj në Prishtinë dhe në Shkup «Zëri i Amerikës» pasqyron nga afër dhe besnikërisht realitetin shqiptar ashtu siç është: shpesh i hidhur, nganjëherë premtues. Jo më larg se sot ky medium transmetoi një kronikë nga Shkodra, ku u përkujtua demonstrata e heshtur e 14 janarit e vitit 1990, e cila synonte rrëzimin e bustit të diktatorit Stalin, vendosur në qendër të këtij qyteti. Demonstrata pati jehonë në mbarë vendin dhe u shoqërua me protesta të ngjashme në disa qytete të Shqipërisë. Të pranishmit bënë thirrje që në Shqipëri të ndërpritet praktika e lartësimit të figurave të regjimit komunist, i cili e ka shkatërruar Shqipërinë dhe deformuar shoqërinë shqiptare.

«Zëri i Amerikës» ka merita historike edhe për informimin e kombit shqiptar gjatë komunizmit dhe në fazën e shporrjes së tij. Zëri medial nga Washingtoni ka ndikuar që mijëra shqiptarë të mposhtin frikën dhe të ballafaqohen me falangat komuniste, duke luftuar për demokraci dhe pastrim të Shqipërisë nga përmendoret e Enver Hoxhës dhe Stalinit. Është e neveritshme që në vitin 2019, në vitin kur pritet që Shqipëria të fillojë negociatat për hyrje në BE, në vitin 2019 kur shënohet 10-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO (për çka «Zëri i Amerikës» ka dhënë po ashtu kontribut) – kryeministri i Shqipërisë mezi pret të kacafytet me çdo medium e gazetar që nuk është pjesë e lojërave politike të Tiranës. Këta gazetarë e këto mediume ushtrojnë kritikë parimore ndaj fenomeneve të këqija të qeverisjes. Një qeveri serioze do të duhej t’i trajtonte si partnerë dhe jo t’i atakonte përmes mediave sociale. Kjo vlen sidomos tani – në 75-vjetorin e emitimit të programit në gjuhën shqipe të «Zërit të Amerikës». Edi Rama do të duhej t’ia uronte «Zërit të Amerikës» këtë përvjetor dhe jo të radhiste shkronja të padenja në profilin e tij në Twitter kundër «Zërit të Amerikës».