Edi Rama në Bernë: një vizitë nën hijen e problemeve shqiptare

Në ditën që kryeministri shqiptar vizitoi Zvicrën për të shënuar 25-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë formalisht demokratike dhe Konfederatës zvicerane, mediat njoftuan se një zyrtar i lartë i policisë shqiptare ka fituar azil në Zvicër. Ai kishte denoncuar tregtinë me drogë në Shqipëri.

Edi Rama dhe Doris Leuthard gjatë parakalimit të gardës së nderit në Bernë.



Pasi u nderua në Paris me titullin e lartë të «Komandantit të Legjionit të Nderit» kryeministri shqiptar Edi Rama vizitoi të premten Zvicrën. Ndonëse në këtë vend jetojnë mbi 200 mijë shqiptarë (shumica nga Kosova dhe Maqedonia) kontaktet zyrtare të nivelit të lartë mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë (pjesa shqiptare) me Zvicrën mbesin të rralla. Për këtë mungesë kontaktesh ekziston një shpjegim: trevat shqiptare të Ballkanit sundohen kryesisht prej politikanëve të korruptuar me lidhje të ngushta me krimin e organizuar, andaj ata nuk janë të dëshiruar dhe të mirëpritur në sallonet e Bernës. Disa prej liderëve të Kosovës kanë jetuar gjatë në Zvicër dhe dosjet e tyre janë të trasha, rrjedhimisht ata mund të zgjojnë vetëm interesimin e qarqeve të sigurisë.

Edi Rama ishte i ftuar nga presidentja e Zvicrës Doris Leuthard. Qëllimi i vizitës ishte shënimi i 25-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë formalisht demokratike dhe Konfederatës zvicerane. Zvicra kishte njohur Shqipërinë më 1922, ndërsa në vitet ’30 ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike, të cilat kishin pushuar pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist më 1945. Tek në vitin 1970 prapë ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike. Më 5 tetor 1970 ambasadori i Zvicrës në Beograd, Hans Keller, i cili mbulonte edhe Shqipërinë, i dorëzoi letrat kredenciale Haxhi Lleshit, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Hans Keller, i cili vdiq në vitin 1999, në vitet ’60 kishte shërbyer si ambasador i Zvicrës në Pekin dhe atje ishte njoftuar dhe kishte krijuar një kontakt mirëbesimi me ambasadorin shqiptar Nesti Nase. Më 1969 Keller i kishte bërë një vizitë private Nesti Nases, për të cilin portali i njohur i biografive Munzinger shkruan se për prejardhjen dhe jetëshkrimin e tij dihet vetëm se ka ndjekur shkollën e njëjtë në Korçë, në të cilën kishte dhënë mësim Enver Hoxha.

Gjatë shekullit ’20 marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Shqipërisë mbetën modeste. Rrjedhimisht, vizita e kryeministrit Edi Rama mund të ishte historike nëse qeveria shqiptare të ishte në nivelin e detyrës dhe jo e preokupuar me krizën e brendshme politike dhe me rrezikun e dështimit të zgjedhjeve. Rrjedhimisht, të premten mes Zvicrës dhe Shqipërisë në Bernë u nënshkruan dy marrëveshje – njëra për programin e zhvillimit ekonomik, tjetra mbi aftësimin profesional në tregun e punës në Shqipëri. Këto marrëveshje janë shumë të rëndësishme, por potenciali është shumë më i madh. Kryeministri do të mund të takonte përfaqësues të byrove të mëdha turistike të Zvicrës, të industrisë së kimisë, të bujqësisë, pastaj biznesmenë shqiptarë, të rinj e të reja të integruar mirë në këtë vend. Nuk u realizua asgjë nga kjo, sepse, për fat të keq, kryeministri dhe stafi i tij duket se janë të preokupuar me zahmete të tjera lokale mes Kukësit e Sarandës. Ndërsa në Shqipëri jetojnë 84 shtetas zviceranë, në Zvicër jetojnë mbi 200 mijë shqiptarë, një numër i konsiderueshëm i të cilëve së paku pushimet verore i kalojnë në Shqipëri. Një kryeministër në nivel të detyrës do të duhej të hapte në Zürich Zyrën Turistike të Shqipërisë, sepse jo vetëm shqiptarët e këtushëm kalojnë pushimet në «vendin e shqipeve», por edhe shumë zviceranë. Mjafton të hulumtohet në arkivin e mediave zvicerane: aty gjenden tekste mbi turizmin alpin, mbi mundësitë për shëtitje me biçikleta në veri të Shqipërisë, mbi një restorant të famshëm të ushqimit në Fishtë, për Tiranën që – më në fund – ka edhe shtigje për biçikleta. Një arkeolog zviceran madje ka shkruar një libër mbi alpinizmin në Theth e rrethinë.

Fatkeqësisht vizita e Edi Ramës në Bernë përfundoi pa ndonjë rezultat të madh. Dhe për këtë përgjegjësinë e bart ai vetë dhe kabineti i tij. Problemet shqiptare e ndoqën kryeministrin deri në Bernë. Pas takimit me presidenten Leuthard në Bernë Rama dhe nikoqirja e tij dolën para mediave. Rama foli, siç mund të pritej, për futbollin. Ai tha se Shqipëria është mirënjohëse për ndihmën e Zvicrës në fushën e blertë – aktualisht 6 shqiptarë me pasaportë zvicerane luajnë për kombëtaren shqiptare. Në stilin e tij mes ironisë dhe shpotisë menjëherë nënvizoi se pa Shaqirin dhe Xhakën (Granitin!) Zvicra nuk do të mund të kishte arritur këtë nivel.

Ky muhabet, siç shkruan «Neue Zürcher Zeitung», shërbeu vetëm për të larguar vëmendjen nga problemet reale. Dhe problem real është tregtia me drogë në Shqipëri. Amerikanët po thonë se nën qeverisjen e Ramës prodhimi është katërfishuar, italianët janë pak më modest: thonë se është trefishuar. Thënë shkurt: Shqipëria ka një problem të madh. Në intervistën dhënë për «dialogplus.ch» kryeministri Rama tha se kanabisi ishte këtu, domethënë nuk e sollën socialistët, gjë që është shumë e vërtetë, por po aq e vërtetë është se të dy blloqet politike – socialistë e demokratë – nuk kanë ndonjë interes për të çrrënjosur këtë kancer për shoqërinë shqiptare. Para se të vinte për vizitë në Zvicër gazeta «Neue Zürcher Zeitung» botoi një tekst të gjatë të një gazetari shqiptar mbi kanabisin si «mbret të Shqipërisë», ndërsa ditën që Rama ishte në Bernë u bë e ditur se një 24-vjeçar, i cili më 9 mars mbijetoi një sulm me armë në Basel (ku vdiqën dy shqiptarë të tjerë), është dëbuar në Shqipëri. Viktimat dyshohet se kanë qenë tregtarë të drogës.

Po ashtu: në ditën kur Rama vizitoi Bernën një gazetar e ballafaqoi atë me një pyetje kritike mbi një ish-zyrtar policor në Shqipëria, i cili ka ikur në Zvicër, pasi, siç ka deklaruar, në vendin e tij kishte zbuluar makinacionet e mafies së drogës. I pakujdesshëm, shpeshherë edhe i papërgjegjshëm siç është Rama e talli gazetarin: «Ah, ju gazetarët gjithkund në këtë botë jeni të njëjtë». Përndryshe zyrtari policor me emrin Dritan Zagani këtë javë ka marrë azil në Zvicër. Një vendim i tillë i autoriteteve zvicerane i është komunikuar me notë diplomatike Ambasadës së Shqipërisë në Bernë më 29 mars 2017. Zagani i tha televizionit publik zviceran se kishte zbuluar pista ilegale në Shqipëri, ku aterronin avionë nga Italia dhe ngarkoheshin me mariuanë. Autoritetet zvicerane i kanë besuar këtij versioni. Gazetarë hulumtues në Tiranë thonë se Zagani po aq sa denoncues mund të jetë edhe vetë i inkriminuar pasi dyshohet t’i ketë shitur të dhëna hetimore policisë italiane. Po të ishte Shqipëria shtet ku sundon ligji, kryeministri nuk do të ballafaqohej me pyetje të tilla. Kur të kthehet në Tiranë ai ndoshta mund ta pyes ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri nëse di diçka më shumë për Dritan Zaganin.