Edi Rama: Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë si ai mes Austrisë dhe Zvicrës

Kryeministri i Shqipërisë ka kritikuar në një intervistë me gazetën austriake «Der Standard» politikën e zgjerimit të BE-së, ka paralajmëruar liberalizimin e kontrolleve kufitare me Kosovën, ka premtuar se përherë do t’u ndihmojë shqiptarëve në rajon, sepse këtë e kërkon edhe Kushtetuta e Shqipërisë – dhe ka mbrojtur me çdo kusht Gramoz Ruçin, i cili ka qenë ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë gjatë rënies së komunizmit.

Edi Rama.



Edi Rama është i bindur se Shqipëria së shpejti do të pastrohet nga krimi. Në një intervistë me gazetën austriake «Der Standard» kryeministri i Shqipërisë ka thënë se procesi i verifikimit të biografive të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në Shqipëri i njohur si «vetting», do t’i vë gjërat në rregull. «Nëse flasim në mënyrë ilustrative, atëherë ne kemi një pallat të ri të drejtësisë. Këto verifikime do të sigurojnë që banorët e këtij pallati të drejtësisë të kontrollohen, disa prej tyre nuk do të hyjnë në këtë pallat. Së shpejti do të kemi rezultate konkrete», tha Rama.

Në intervistë Rama ka kritikuar politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian. Sipas tij ky proces po bëhet gjithnjë e më i padrejtë dhe i paparashikueshëm për vendet e Ballkanit. Ai ka shprehur besimin se boshti i ri mes Berlinit dhe Parisit me kancelaren Angela Merkel dhe presidentin Emmanuel Macron do t’i japë hov integrimeve europiane në rajon. «Në rastin tonë është totalisht e padrejtë, sepse ne jemi shtet i NATO-s, Mali i Zi tek vonë është anëtarësuar. Po ashtu ne jemi më përpara në kapituj vendimtar të drejtësisë se Mali i Zi. Edhe Serbia duhet t’i zbatojë këto reforma. Ne tashmë i kemi kryer. Është fantastike që ata po negociojnë (me BE-në). Por, është e padrejtë që ne nuk po negociojmë», tha Rama. Sipas tij është absurde që BE po thotë «ju jeni kandidat për anëtarësim, por nuk negociojmë me ju. Kjo është si kur thoni: duam të martohemi, por për dasmën nuk flasim».

Në pyetjen se përse ka propozuar një «union të vogël» mes Kosovës dhe Shqipërisë Rama tha: «Nuk jemi më në komunizëm, andaj mund të flasim lirshëm. Gjyshërit e kosovarëve të rinj kanë jetuar në një shtet, i cili nuk i pranonte si komb dhe nuk ua njihte statusin e Republikës. Tani ata kanë shtetin e tyre, por janë në një gjendje pezull. Janë populli i vetëm në Europë që s’mund të lëvizë nga vendi i tyre. E gjithë kjo për shkak të një marrëzie!» Me këtë Rama mendon demarkacionin me Malin e Zi. Sipas tij, Kosovës i është thënë nga BE se së pari duhet ta miratojë demarkacionin me Malin e Zi për të fituar të drejtën e lëvizjes, por «njëkohësisht BE po negocionin me Serbinë, një shtet i cili nuk e ka pranuar Kosovën, e lëre më kufijtë e tij».

Në disa mediat europiane është bërë zhurmë e madhe në lidhje me gjoja përzierjen e Ramës në ndërtimin e të Platformës Shqiptare të partive shqiptare në Maqedoni. Rama ka mohuar në intervistë të jetë përzër në fushatën elektorale në Maqedoni. Ai është kundërpërgjigjur se nuk do të ishte skandal nëse, ta zëmë, qeveria e Vjenës do të interesohej për austriakët jashtë Austrisë. «Në Kushtetutën tonë është qartë e përcaktuar që shteti shqiptar kujdeset për të gjithë shqiptarët në botën e jashtme. Unë nuk ju them atyre si të veprojnë, dhe nuk kam ndërhyrë në fushatën zgjedhore maqedonase. Por, nëse më thërrasin për ndihmë, nuk do të them jo. Kjo është e natyrshme dhe nuk është përzierje. Për neve Maqedonia është çështje qendrore. Çdo kërcënim i integritetit të Maqedonisë është i rrezikshëm për mbarë rajonin».

Rama paralajmëroi liberalizimin e kontrolleve kufitare me Kosovën për njerëz dhe për mallra. Kufiri Shqipëri-Kosovë, sipas tij, në të ardhmen do të jetë si ai mes Austrisë dhe Zvicrës. Ai citoi një raport të Bankës Botërore, sipas të cilit në kufijtë e Ballkanit njerëzit dhe mallrat për çdo vit presin nga 3800 vjet. Sa i përket problemit të kanabisit, Rama tha se është çrrënjosur.

Në intervistë me gazetën austriake kryeministri i Shqipërisë e ka mbrojtur me këmbëngulje kryetarin e Parlamentit, Gramoz Ruçi, i cili më 1991 ka qenë ministër i Brendshëm kur në Shkodër u vranë katër demonstrues. Rama tha se Ruçi është liruar në një proces gjyqësor nga këto «akuza të çmendura» – «atëherë përse duhet që këtë ta hetojë partia? Unë jam qëmoti lider i kësaj partie, dhe unë kam qenë prijës i udhëheqjes antikomuniste. Partia Socialiste të cilën e drejtoj unë nuk ka të bëjë asgjë me të kaluarën».

Ruçi, sipas Ramës, më 1991 ka vepruar në mënyrë «madhështore», sepse si ministër i Brendshëm i ka organizuar zgjedhjet e para të lira dhe të ndershme. Dhe gjatë këtyre zgjedhjeve ka humbur presidenti komunist. «Pjesa tjetër është marrëzi dhe nuk e kuptoj si mund të diskutohet kjo në vitin 2017, kur tashmë kemi miratuar një ligj që mundëson publikimin e të gjitha dosjeve nga epoka e komunizmit». Rama tha se Partia Socialiste është shkëputur nga e kaluara para shumë kohësh dhe Ruçi «është vetëm cak i sjelljes barbare të opozitës, e cila vetëm dëshiron t’i demonizojë njerëzit. Jam i lumtur që parlamenti tani punon si parlament dhe jo si klub pijanecësh – si para disa muajsh». (-lli)
Ndalohet ribotimi nga media të tjera.