Edhe Robert Mugabe ishte çlirimtar

93-vjeçari Robert Mugabe e kishte ndërmend të sundonte deri në moshën 99 vjeçare. Muajve të fundit ai u bë gati t’ia dorëzojë pushtetin gruas së tij 53-vjeçare Grace Mugabe. Për shkak të stilit luksoz të jetës ajo quhet «Gucci-Grace». Tani çlirimtari i dikurshëm Robert Mugabe është në arrest shtëpiak, ndërsa bashkëshortja e tij me gjasë është arratisur.

Robert Mugabe dhe gruaja e tij Grace.



Çdo mbrapshti e ka një fund. Për Robert Mugaben fundi filloi mbrëmë, kur një pjesë e ushtrisë nxori disa tanke në rrugët e Harares, kryeqytetit të Zimbabvesë. Ushtarakët morën nën kontroll disa institucione dhe televizionin shtetëror, i bënë apel popullit të qëndrojë i qetë dhe të mos rezistojë, sepse – dhe ky ishte kërcënimi – kush reziston do të ballafaqohet me përgjigjen e duhur të ushtrisë. Mugabe, 93-vjeçar, ka konfirmuar se gjendet në shtëpi, nuk ka thënë se është në arrest shtëpiak, por këtë as që kishte nevojë ta thoshte. Rrethanat që shihen, kallauz nuk donë.

Në Zimbabve ka filluar fundi i sundimit të tij. Dhe fundi nisi pasi Mugabe para disa ditësh largoi nga posti zëvendëspresidentin Emmerson Mnangagwa. Mugabe e kishte ndërmend të sundonte deri në moshën 99 vjeçare. Muajve të fundit ai u bë gati t’ia dorëzojë pushtetin gruas së tij 53-vjeçare Grace Mugabe. Për shkak të stilit luksoz të jetës ajo quhet «Gucci-Grace». Tani çlirimtari i dikurshëm Robert Mugabe është në arrest shtëpiak, ndërsa bashkëshortja e tij me gjasë është arratisur.

Edhe Mugabe, si shumë sundimtarë të viseve tona shqiptare, ishte çlirimtar. Ai që në fillim të viteve ’60 u angazhua në lëvizjen kundër regjimit të Rodezisë, siç quhej Zimbabveja e sotme. Rodezia ishte koloni britanike. Pasi doli nga burgu më 1974, Mugabe shkoi në Mozambik dhe nga atje i priu lëvizjes guerile kundër regjimit të kryeministrit të bardhë Ian Smith. Beteja për të përzënë të bardhët nga pushteti arriti sukses më 1980, kur Mugabe fitoi zgjedhjet parlamentare dhe u bë kryeministër, pastaj më 1982 president. Që nga atëherë qytetarët e Zimbabvesë nuk kanë njohur sundimtar tjetër përveç se Robert Mugabes.

Komandant Mugabe jetoi e sundoi nga fama e çlirimtarit të «hambarit të Afrikës», siç quhet Zimbabve për shkak të tokave pjellore. Në fillim ai u angazhua për pajtim me elitën e bardhë dhe kështu u bë i njohur dhe i respektuar në botë. Si çlirimtar Mugabe mbajti kontakte të ngushta me Jugosllavinë e Josip Broz Titos, ndonëse lideri jugosllav përkrahte edhe lëvizjen e dytë çlirimtare të Rodezisë të prirë nga Joshua Nkomo.

«Mugabe është vigani i fundit nga grupi i luftëtarëve të pavarësisë në Afrikë. Jeta dhe dështimi i tij konfirmon sërish tezën se luftëtarët revolucionarë kryesisht janë demokratë të mjerë. Unitet me çdo çmim, gatishmëri për të vdekur dhe refuzim i çdo kompromisi qenë virtytet vendimtare në luftë kundër shtypësve kolonialistë. Në demokraci kërkohet më shumë e kundërta», shkruan në një koment gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung».

Si shumë çlirimtar edhe Robert Mugabe e shfrytëzoi pushtetin për t’u pasuruar, për të luftuar brutalisht kritikët dhe rivalët politikë dhe për t’i dhuruar pushtet klanit të tij. Ai e kishte ndërmend që gruan e tij «Gucci-Grace» ta instalojë njëherë si nënkryetare, pastaj si kryetare. Duket se me këtë synim nuk pajtohej zëvendësi i deritanishëm i Mugabes, Emmerson Mnangagwa, dhe shumë krerë të ushtrisë. «Gucci-Grace» jeton në luks të paparë, ndërsa shumë njerëz në Zimbabve vuajnë nga uria. Së fundi «Gucci-Grace» e rrahu një modele në Afrikën e Jugut, e cila me gjasë kishte «përzier» diçka me djemtë e saj. «Gucci-Grace» shpëtoi nga drejtësia jugafrikane, sepse u thirr në imunitet diplomatik.

Robert Mugabe besonte se është i pavdekshëm. Ai e krahasonte veten me Jezu Krishtin. Në moshën 92-vjeçare ai tha: «Është e vërtetë: kam qenë i vdekur. Por, jam rilindur vazhdimisht». Duke iu drejtuar kundërshtarëve të tij ai shtoi: «Njerëzit me sa duket mendojnë se çfarë ka ndodhur në kuadër të Pranverës Arabe do të ndodhë edhe në këtë vend, por unë ju them: kjo s’do të bëjë vaki këtu».

Të martën në mbrëmje bëri vaki. Shoku Mugabe, kampioni i korrupsionit dhe represionit, mbeti gati vetëm. Besnikët e tij të deritanishëm u ngutën të distancohen prej tij. Mbetet të shihet nëse ushtria e Zimbabvesë do të jetë e gatshme të garantojë një bartje të pushtetit në duart e një klase tjetër politike, duke lejuar zgjedhje të lira e demokratike. Për këtë nuk duhet pasur shumë shpresa. Sepse puçi në Zimbabve duket më shumë si një betejë mes dy klaneve të hajdutëve. Por, fakt është: askush nuk mund të plaçkit përgjithmonë vendin duke u mbështetur në «vlerat e luftës», në «betejat legjendare», «në vitet e kaluara në burgje». Etj. Etj. Ky kapitull mbi të ashtuquajturat «merita të luftës çlirimtare» i përngjan shumë edhe vokabularit politik me të cilin jetojnë e bashkëjetojnë edhe dy milionë kosovarë që nga viti 1999.