Edhe PS me lobist në Amerikë, punëson kompaninë e afërt me Trump

Pas LSI-së dhe PD-së, edhe Partia Socialiste firmosi një kontratë lobimi për 20 mijë dollarë në muaj me kompaninë amerikane Ballard Partners, presidenti i së cilës njihet si një ndër mbledhësit më të mëdhenj të fondeve për fushatën e presidentit Trump në Florida.

Kryeministri dhe kryetari i PS, Edi Rama



Partia Socialiste e Shqipërisë ka punësuar kompaninë e lobimit Ballard Partners me bazë në Florida-kompani e cila njihet për lidhjet me presidentin amerikan, Donald Trump. Të dhënat e siguruara nga BIRN në Departamentin Amerikan të Drejtësisë tregojnë se kontrata është firmosur më 13 prill 2017 nga drejtori i komunikimit të Ramës, Endri Fuga dhe presidenti i Ballard Partners, Brian Ballard.

Sipas kontratës së dorëzuar më 17 prill në Departamentin e Drejtësisë, marrëveshja hyn në fuqi më 1 Prill 2017 dhe do të qëndrojë në forcë deri në 31 Mars 2018. Konsulenca e Ballard Partners do t’i kushtojë 20 mijë dollarë çdo muaj Partisë Socialiste dhe nëse ajo zgjat sa ç’është parashikuar, vlera totale do të arrijë 240 mijë dollarë plus kostot.

Në kontratën e siguruar nga BIRN, kompania merr përsipër të këshillojë Partinë Socialiste dhe të advokojë çështje me rëndësi në emër të saj përballë qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara.

«Çështjet dhe objektivat mund të përfshijnë zgjerimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, forcimin e institucioneve demokratike dhe të sundimit të ligjit, promovimin e reformës në drejtësi, zbatimin e përpjekjeve në luftën kundër terrorizmit dhe ato ushtarake…si dhe shtyrjen përpara të integrimit të Shqipërisë në strukturat Europiane dhe ato Euro-Atlantike», shkruhet në kontratë.

Ballard Partners është një kompani e njohur me bazë në Florida, e cila ka tërhequr vëmendjen e medias amerikane për shkak se presidenti i saj, Brian Ballard njihet si një ndër mbledhësit kryesorë të fondeve për fushatën presidenciale të Trump në shtetin e Floridas.

Sipas revistës “Politico”, Ballard Partners hapi zyrën e vet të lobimit në Uashington pas fitores së Trump dhe firmosi kontratën e parë të lobimit me Republikën Domenikane për 900 mijë dollarë në total.

Partia Socialiste e Shqipërisë është klienti i dytë i huaj për Ballard Partners.

Kontratat me kompani të kushtueshme lobuese për të ndikuar mbi qeverinë amerikane janë manovra të përdorura herët nga partitë politike në Shqipëri, të cilat kohët e fundit po shënojnë një kulm të ri. Partia Socialiste i është bashkuar në këtë përpjekje Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike, të cilat kanë punësuar më herët lobuesit e tyre për të vendosur marrëdhënie me administratën e Trump-it.

Në dy investigime të mëparshme, BIRN zbuloi se Lëvizja Socialiste për Integrim pagoi mbi 300 mijë dollarë për lobim në SHBA gjatë vitit 2016, aktivitet i cili përfshinte edhe një ftesë për inaugurimin e presidentit Trump. Ndërkohë, Partia Demokratike pajtoi në muajin mars kompaninë e lobimit «Stonington Strategies», pjesë e «Muzin Capitol Partners» për 25 mijë dollarë në muaj.

(https://www.reporter.al/edhe-ps-me-lobist-ne-amerike-puneson-kompanine-e-afert-me-trump/)