Edhe një libër maqedonas që shqiptarët i shpall kriminelë

Një provokim i radhës nga Maqedonia ka tronditur shqiptarët në mbarë rajonin. Autori i këtij libri, Branislav Svetozareviq, i quan shqiptarët vrasës dhe kriminelë, duke i akuzuar se kanë bërë krime të rënda ndaj maqedonasve në rajonin e Tetovës dhe të Gostivarit.




Vjedhjet, djegiet e shtëpive, torturat dhe vrasjet u vishen shqiptarëve nga drejtori i muzeut të luftës maqedonase për shtetësi dhe pavarësi, i njohur si Muzeu i VMRO-së. Në libër përmenden fjalët më të rënda ndaj shqiptarëve, shkruan sot «Koha Ditore».

«Gjendja në rajonin e Tetovës në dekadat e fundit të shekullit XIX, me një terror të madh mbi maqedonasit. Raportet e konsullatave evropiane në Maqedoni deri te autoritetet e tyre kanë qenë përplot fotografi me krime ndaj popullatës së krishterë. Sipas një hulumtimi në periudhën 1895-1912, në territorin Tetovë-Gostivar ka pasur gjithsej 357 krime ndaj popullatës së krishterë të kryera nga ana e shqiptarëve, prej të cilave 80 kanë qenë vrasje, 21 plagosje, 62 kidnapime, 79 kushtëzime, 45 vjedhje të bagëtisë, 16 vjedhje të tjera, 48 djegie të objekteve, etj.», thuhet mes tjerash në librin me titull «Maqedonasit në Tetovë nga Ala turka në Ala franga».