Edhe në Maqedoni kërkohet gjykatë speciale




Si në Kosovë, edhe në Maqedoni kërkohet themelimi i një gjykate speciale. Ajo do të duhet të merret me aferën e përgjimeve dhe dyshimet për përfshirje të drejtuesve më të lartë shtetërorë dhe të policisë në krim dhe korrupsion. Propozimi vjen nga ekspertët, ndërkohë që partitë kanë dallime për kompetencat dhe profilin e prokurorit që do t’i hetojë aferat.

Nga Arben ZEQIRI

Shkup, 9 shtator

Në Maqedoni gjithnjë e më shumë shtohen zërat për themelimin e një gjykate speciale dhe prokurorie speciale. Për dallim nga Kosova, në Maqedoni ajo do të duhet të merret me aferën e përgjimeve dhe ato të krimit e korrupsionit, të cilat i denoncoi opozita me publikimin e bisedave të përgjuara të zyrtarëve qeveritarë.

Kërkesa për gjykatë speciale erdhi gjatë një debati që u zhvillua mbi takimet e grupeve partiake, të cilat aktualisht po debatojnë për ligjin, kompetencat dhe profilin e prokurorit special. Kjo ishte një nga pikat e Marrëveshjes së Përzhinos më 2 qershor dhe aneks-marrëveshjes së 15 korrikut. Ekspertët thonë se prokurori nuk do të mund ta kryente punën e tij nëse ai nuk mbështetet edhe nga një gjykatë speciale, e cila do të gjykojë drejt. Kjo kërkesë motivohet nga humbja e besimit tek gjykatat vendore pas publikimit të ‹bombave› të opozitës, ku dëgjoheshin emërime dhe ndërhyrje të qeverisë në prokurorinë dhe gjykatat e shtetit.

«Mendoj se struktura e prokurorit special dhe e gjykatës speciale duhet të jetë më tepër replikat i strukturave ndërkombëtare, sesa i atyre që përmenden në nivel kombëtar. Një shembull paraqet gjykata ndërkombëtare penale. Sikurse kjo, prokurori dhe gjykata speciale do të duhej të merren me dy çështje: shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe me problemin e mosndëshkimit», u shpreh profesoresha universitare e drejtësisë dhe aktiviste për të drejtat dhe liritë e njeriut, Mirjana Najcevska. Sllagjana Taseva nga Transparency Macedonia thotë se shembuj të tillë, ku përkrah gjykatave dhe prokurorisë publike themelohen edhe gjykata speciale, ka në të gjithë rajonin. «Në Rumani, në prokurorinë publike për krim të organizuar dhe korrupsion punojnë 174 hetues. Ky ekip ndiqet edhe me gjykata speciale kompetente të shpërndara nëpër regjione, të cilat paralelisht i përcjellin punët dhe veprojnë në lëndët me të cilat merret kjo prokurori», shpjegon Taseva dhe vazhdon me një shembull tjetër: «Në Kroaci, përveç ekzistimit të USKOK-zyrës në Zagreb, ekzistojnë edhe gjashtë zyra të tjera. Kompetente janë katër gjykata. Atje ekzistojnë edhe gjashtë njësi policore, të cilat punojnë në mbështetje të USKOK-ut».

Por, dallimet mes partive politike lidhur me mënyrën se si do të zbardhet afera e përgjimeve dhe dyshimet për krim nga ana e pushtetarëve janë të mëdha. VMRO-DPMNE thotë se marrëveshja e Përzhinos parasheh vetëm emërimin e një prokurori special që do ta hetojë të gjithë aferën. Ndërkaq, opozita kërkon një prokurori speciale si institucion më vete. Në debatin e organizuar nga Instituti për Shoqëri të Hapur, ekspertët dhe profesorët universitarë përkrahën idenë për një prokurori speciale, duke thënë se prokurorit i duhet edhe ndihma e zëvendësve dhe hetuesve. «Lypset një periudhë prej disa javëve ose një muaji që të formohet një ekip i besueshëm prokurorësh dhe hetuesish, duke përfshirë edhe një buxhet të caktuar», tha profesori universitar, Gordan Kallajxhiev.

Përndryshe, afati i fundit për zgjedhjen e prokurorit special është 15 shtatori. Bisedimet mes grupeve punuese zhvillohen për çdo ditë dhe nga bisedimet e deritanishme disa javore nuk ka asnjë përparim.

Foto: Predrag Vasilevski/Shutterstock.com